
Nga Elton Qyno/ Prokuroria e posaçme SPAK, ka hapur një hetim pasuror ndaj Vlora Hysenit, ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shqiptar dhe familjarëve të saj, me shpresën e gjetjes së pasurive të fshehura prej saj në Tiranë, Gjermani dhe Kosovë.
Hetimi po zhvillohet paralelisht me çështjen penale Nr.20/1 kundër Vlora Hysenit që lidhet me dy akuzat e “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Nxjerjes së sekretit hetimor”. Ndërkohë hetimet vijojnë edhe për dyshimet në përfshirjen e saj në akuzën e korrupsionit, fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave.
Verifikimet janë duke u kryer nga dy prokurorët e çështjes, Altin Dumani, Bledar Maksuti dhe 6 oficerëve të BKH-së, të cilët pasi kanë konstatuar një tentativë transferte bankare prej 450 mijë euro nga llogaria e kompanisë së Orest Sotës “Fortis Beton” në drejtim të një kompanie gjermane që është e rregjistruar në emër të vëllait të Vlora Hysenit, Izet Hyseni alias Dingler, kanë vendosur të realizojnë një hetim pasuror ndaj ish-funksionares së lartë të SHISH, Vlora Hyseni.
Prokurorët që po ndjekin rastin e parave të fituara në tenderat e AKSHI-t, kanë ngritur dyshime të forta se një pjesë e shumave financiare që fitoheshin nga AKSHI, janë kanalizuar në llogaritë bankare të kompanisë së mikut të Ergys Agasit, Orest Sota dhe më pas prej “Fortis Beton”, dërgoheshin tek njerëz shumë të afërt të Vlora Hysenit.
Njëri nga këta njerëz të afërt të Hysenit, është Izet Hyseni alias Dingler, që sipas mediave italiane rezulton të jetë ndaluar në vitin 2020 gjatë një operacioni antidrogë të koduar “Karaburun”, duke çuar në arrestimin e 90 personave mes të cilëve 27 shtetasve Kosovarë.
Por tashmë emri i Izet Dingler, ka dalë në një çështje tjerë në prokurorinë e Posaçme SPAK, të cilët në kuadër të verifikimeve kanë dërguar dy letërporosi në Gjermani dhe Kosovë, për të mësuar transfertat bankare, pasuritë e Dingler dhe motrës së tij, Vlora Hyseni në këto dy shtete.
Përmes disa pyetjeve të renditura në letërporosi, SPAK ka kërkuar nga autoritet e Drejtësisë Gjermane të mbledhin informacion për shtetasin Izet Dingler dhe mundësojnë marjen në pyetje të tij.
Të lokalizojnë dhe venë në dispozicion bilancet financiare të kompanisë së tij në Gjermani dhe çdo aktivitet tregtar dhe pronësor që ai ka kryer dhe zotëron në këtë shtet.
Të njëjtat pyetje i janë dërguar dhe autoriteteve të Kosovës, ku i është kërkuar informacion për Vlora Hysenin, familjarëve të saj dhe vëllain, Izet Dingler.
Siç mësohet nga gazetari Elton Qyno, transfertë prej 450 mijë eurosh nga shoqëria e Orest Sotës “Fortis Beton”, është anuluar më 27 shkurt 2024. Kjo transfertë bankare kishte si destinacion shoqërinë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH” me adrresë “Landsberger” Str. 183, D-80687 München.
Ky transaksion sipas SPAK, nuk është kryer por në faturën bankare që do realizohej ishte përshkruar konkretisht “Pagesë për kotratë huaje”, që tregon se shuma nga Orest Sota do jepej në formë huaje (Borxhi) tek vëllai i Vlora Hysenit në Gjermani, shtetasi Izet Dingler alias Hyseni.
Mirëpo edhe pse ky transaksion nuk është kryer, për prokurorinë e posaçme SPAK ka mjaftuar si indicie kryesore për të nisur një hetim pasuror ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, e cila tashmë është vendosur në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Lidhur me këtë pyetje mësohet të jetë marë në pyetje Orest Sota dhe dy persona të tjerë Ardit Sota dhe Genci Shima, ku dy persona e fundit kanë treguar se nuk kanë pasur dijeni për këtë tentativë transaksioni nga llogaria e kompanisë “Fortis Beton” në drejtim të llogarisë së “Erd & Tiefbau Dingler GmbH” në Mynih.
Aktualisht prej 1 Dhjetorit 2025, kompania “Fortis Beton” e Orest Sotës është shitur kundrejt 30 mijë euro tek kompania “Forever Construction” në pronësi të Vangjel Lilës. /Marrë nga Syri,net