
Pas disa muajsh ngërç, Komisioni i Reformës Zgjedhore rikthehet në punë. Në fokus pritet të jenë ndryshimet që lidhen me hartën e re territoriale dhe zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi kanë rënë dakord që komisioni të mblidhet këtë të hënë, më 9 nëntor, për të diskutuar detyrimet që burojnë nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore dhe ndikimin e tyre në Kodin Zgjedhor.
Një nga çështjet kryesore lidhet me mënyrën se si do të zgjidhen këshillat bashkiakë pas ndryshimeve territoriale. Paralelisht, palët do të duhet të adresojnë edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR, Komisionit të Venecias dhe Komisionit Europian, të cilët kanë kërkuar një reformë më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, me përfshirjen jo vetëm të PS-së dhe PD-së, por edhe të forcave të tjera politike.
Në raportin e fundit të progresit për Shqipërinë, Komisioni Europian theksoi se disa rekomandime të kahershme mbeten ende të pazbatuara dhe se reforma zgjedhore është urgjente përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Partia Demokratike ka bërë të ditur se mbështet lista 100% të hapura, përfshirë edhe zgjedhjen e këshillave bashkiakë. Oerd Bylykbashi deklaroi se Shqipëria ka nevojë për një sistem të ri zgjedhor, me përfaqësim proporcional dhe lista të hapura. Socialistët, nga ana tjetër, nuk kanë paraqitur ende një propozim konkret për sistemin zgjedhor, por kanë paralajmëruar se, në mungesë të një marrëveshjeje, mund ta çojnë përpara reformën edhe pa konsensusin e opozitës.
Mandati i Komisionit të Posaçëm përfundon në fund të nëntorit dhe mazhoranca ka bërë të ditur se afati nuk pritet të shtyhet.