
Taylor Swift ka surprizuar fansat me një tjetër projekt muzikor. Këngëtarja 36-vjeçare ka njoftuar versionin e ri të albumit të saj të vitit 2025, “The Life of a Showgirl: The Encore”, i cili do të publikohet të premten.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Swift përmes një postimi në Instagram.
“Rreth një vit më parë, ju bëtë diçka vërtet të pabesueshme. Diçka që më mahniti plotësisht… I dhatë ‘The Life of a Showgirl’ javën e parë më të madhe për një album në historinë e muzikës”, shkroi këngëtarja.
Swift tregoi se pas publikimit të albumit, në tetor të vitit të kaluar, ajo udhëtoi drejt Suedisë së bashku me bashkëpunëtorët e saj, Max Martin dhe Shellback, ku shkroi këngë të tjera që do t’i bashkoheshin projektit.
Versioni “The Life of a Showgirl: The Encore” do të përmbajë katër këngë të reja: “Patient Zero”
,“Cleveland!”,“Pink Clouding” “Babylon”. Swift tha se këto këngë u krijuan si rezultat i mirënjohjes së saj ndaj fansave për mbështetjen dhe entuziazmin që treguan për albumin.
“Shpresoj t’i pëlqeni, sepse ato lindën nga mirënjohja e pastër për entuziazmin dhe mënyrën se si e keni festuar albumin që krijuam”, u shpreh ajo.
Njoftimi i versionit “Encore” vjen vetëm një ditë pasi Swift konfirmoi publikimin e këngës “Patient Zero”.
“Kam pritur me padurim t’ju tregoja se kënga ime e re ‘Patient Zero’ do të publikohet më 25 shtator”, shkroi ajo në Instagram.
Kënga është në dispozicion për porosi paraprake në tre versione të ndryshme CD-je, përfshirë një version akustik dhe një version pianoje. Secili version kushton 3.99 dollarë dhe përmban fotografi të ndryshme të këngëtares.