
Taylor Swift ka konfirmuar rikthimin e saj në muzikë me një këngë të re të titulluar “Patient Zero”, e cila do të publikohet më 25 shtator.
Këngëtarja 36-vjeçare surprizoi fansat të martën, pasi në faqen e saj zyrtare u shfaq një numërim mbrapsht prej dy orësh. Duke qenë se Swift njihet për mesazhet e koduara, “Easter Eggs” dhe numërimet misterioze që paraprijnë projektet e saj të reja, fansat nisën menjëherë të spekulonin se çfarë po përgatitej.
Disa prej tyre menduan se bëhej fjalë për fotot e shumëpritura nga dasma e saj me Travis Kelce, ndërsa të tjerë parashikuan një album të ri ose një version “deluxe” të albumit të saj të fundit.
Por, sapo numërimi mbrapsht përfundoi, Swift zbuloi surprizën: këngën e re “Patient Zero”.
Ajo publikoi edhe një seri fotosh të reja, ku shfaqet me fustane të zeza dhe një pamje më gotike, me grimin karakteristik me sy të theksuar dhe buzë të kuqe.
“Kam pritur me padurim t’ju tregoja se kënga ime krejt e re ‘Patient Zero’ do të publikohet më 25 shtator dhe mund ta porosisni paraprakisht tani në faqen time për 24 orë”, shkroi Swift.
Titulli i këngës duket se lidhet me një artikull të Los Angeles Times të vitit 2024, ku Swift ishte përshkruar si një lloj “pacienti zero” për përhapjen emocionale te fansat.
Pamjet e reja, me një atmosferë të errët dhe gotike, kanë nxitur menjëherë teori të shumta në rrjetet sociale. Disa fansa kanë spekuluar se “Patient Zero” mund të jetë pjesë e një projekti të ri të lidhur me albumin “The Life of a Showgirl”, madje duke hedhur idenë se mund të bëhet fjalë për një projekt me një koncept më të errët.
Fansat mund të porosisin paraprakisht tre versione të ndryshme të këngës, përfshirë versione akustike dhe piano, me çmim 3.99 dollarë.
Swift kishte përdorur gjithashtu rrjetet sociale për të shtuar misterin. Në biografinë e saj në Instagram dhe Twitter ajo vendosi frazën: "And, baby, that’s sh0w business f0r y0u”, duke zëvendësuar shkronjat “o” me zero.
Përpara njoftimit, një pjesë e fansave ishin të bindur se numërimi mbrapsht do të sillte më në fund fotot e dasmës së Taylor Swift dhe Travis Kelce.
Çifti u martua më 4 korrik në Madison Square Garden, në New York, por, pavarësisht muajve që kanë kaluar, publiku ende nuk ka parë fotografi nga ceremonia.
Dasma u mbajt nën masa të rrepta konfidencialiteti dhe të ftuarit u detyruan të respektonin marrëveshje moszbulimi.
Sipas deklaratës së publicistes së Swift, Tree Paine, veshjet e çiftit u krijuan nga Christian Dior Haute Couture, ndërsa këpucët e nuses u realizuan posaçërisht nga Christian Louboutin dhe ajo mbante bizhuteri Cartier.
Në ceremoni morën pjesë emra të njohur të muzikës, kinemasë dhe showbizit, mes tyre Paul McCartney, Beyoncé, Jay-Z dhe Steven Spielberg.