Shqipëria, e tronditur nga një varg skandalesh tashmë edhe me famë ndërkombëtare, ka mbetur sot pa drejtuesin e institucionit më të rëndësishëm të sigurisë kombëtare. Vlora Hyseni, kryetare e Shërbimit Informativ Shtetëror prej vitit 2023, është pezulluar nga detyra, shpallur në kërkim dhe vënë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Shefja e shërbimit sekret dyshohet se është vënë në shërbim të krimit të organizuar duke i ndihmuar së paku Ergys Agasit t’i fshihet drejtësisë dhe duke vënë në funksion të një grupi të strukturuar kriminal informacione që përbëjnë sekret shtetëror. Me kapjen e Shërbimit Informatin Shtetëor nga krimi i organizuar, Edi Rama ka shënuar një nivel të paimagjinueshëm të shndërrimit të një shteti në një organizatë të mirëfilltë kriminale.
Nga përdorimi i banditëve për vota kur garonte si kryetar bashkie 25 vite më parë e deri më sot, kur banditët përdorin shtetin në funksion të krimit, Edi Rama ka trasuar një rrugë që do ta kishin zili edhe mafiozët më të fuqishëm të planetit. Veshja me pushtet dhe imunitet politik i trafikantëve të drogës, vrasësve dhe përdhënuesve që hynë në parlament e në krye të bashkive duke asgjesuar lirinë e votës. Ndarja e posteve të larta zyrtare direkt tek anëtarë të bandave kriminale. Grabitja me ligj dhe maliq e qindra miliona eurove nga buxheti i shtetit për të ushqyer si makinerinë monstruoze të vjedhjes së votave ashtu edhe kopshtin personal të Surrelit. Shpërndarja e copave të Shqipërisë “mafiozvëe strategjikë” që pastrojnë miliardat e kokainës dhe dalin hapur me armë, njësoj si në Kolumbinë e Eskobarit. Eleminimi me dhunë e para të pista i opozitës, medias dhe shoqërisë civile. Jeta prej sheiku me avionë privatë, vera 33 mijë euro, trajtime speciale e tribuna ndeshjesh të NBA. Blerja e paturpshme e diplomatëve, ambasadorëve, qeveritarëve europianë e deri tek shefi i kundërzbulimit të FBI... Të gjitha këto, të para dikur si fenomene të veçanta të një regjimi të korruptuar e kriminal, sot japin pamjen e plotë të një ngrehine mafioze, nga themelet e deri në kulm, që formalisht quhet Republika e Shqipërisë.
Në këtë projekt të shndërrimit të shtetit në një organizatë të pastër ultramafioze, regjisori nuk do të kishte patur këtë sukses absolut pa ndihmën e bashkëpunëtorëve të babëzitur që pushtetin e 1 milion votave të 2013-ës e përkthyen si licensë për të vjedhur e grabitur. Organizata e strukturuar e rilindjes, në formë piramidale, kopjoi modelin e klaneve mafioze ku shpërblehen vrasësit e kriminelët dhe ndëshkohen ata që nuk pranojnë të bëhen pjesë e saj. Ajo bleu shërbimet e një aradhe të tërë zyrtarësh të tredhur, gazetarësh mercenarë, biznesmenësh pa moral, diplomatësh të pangopur dhe opozitarësh të mjerë. Fuqia e saj është aq e dukshme sa, edhe sot kur është në deklin, në të gjithë organizatën mbretëron kodi i heshtjes.
Rënia e SHISH, e bashkë me të edhe e mitit të një shërbimi inteligjent që kontrollohet nga shërbimet partnere, është përfundimi logjik i “shtetit” të Edi Ramës. Nëse në historinë botërore njihen raste të kompromentimit të këtyre shërbimeve nga agjentura të huaja armike, në Republikën e Shqipërisë, Shërbimin Informativ e kapi Gysi. Sepse shteti i Edi Ramës as nuk u konceptua e as u drejtua ndonjëherë nga ligji, rregullat dhe funksionimi demokratik i institucioneve. Në themel të tij ishte vjedhja e Shqipërisë për të vjedhur vota, vjedhja e votave për të vjedhur Shqipërinë dhe asgjesimi i çdo faktori që do ta pengonte këtë projekt. Një shtet të tillë nuk ka si ta drejtojë një qeveri e përgjegjshme, një parlament efektiv dhe një administratë e përkushtuar. Ai mbetet në duart e kreut të kupolës dhe emisarëve që ai delegon për të kryer punët e pista.
Bashkë me Vlorën, kanë rënë edhe të gjitha alibitë që deri më sot janë munduar të justifikojnë Edi Ramën, qëllimin e tij të mirë për të ndërtuar një Shqipëri moderne, me poshtërsinë e vartësve, intrigat e kundërshtarëve, spekullimin e tipave si Agasi, etj. Vlora nuk është as dardhë e as pjeshkë që dikush e ha pas shpinës së kryeminstrit. Ajo është ilustrimi më eklatant se si vetë Edi Rama i ka vënë institucionet e vendit në shërbim të pushtetit të tij, që në thelb është pushteti i krimit. Që këtë herë, si dëshmi e një aksiome të njohur se regjimet në fundin e tyre janë sa tragjikë aq edhe komikë, pushteti i krimit i vuri poshtë institucionet edhe në shtrat. ©lapsi.al


