Flash

Një moment vendimtar për Shqipërinë

Është hera e parë që shqiptarët ndihen se mund ta formësojnë debatin kombëtar pa pritur që partitë politike të marrin drejtimin. Përvoja na mëson se demokracia varet jo vetëm nga zgjedhjet, por edhe nga qytetaria aktive mes tyre.

Ditmir Bushati 1 September 2026

Sikurse shumë prej revolucioneve të Europës Lindore, protestat në Shqipëri nuk nisën me një fjalim politik apo me një plan. Ato nisën me një pamje. Në maj, një protestues paqësor në fshatin bregdetar jugor të Zvërnecit u tërhoq zvarrë nga roje private sigurie, ndërsa punonjësit e policisë qëndronin mënjanë, teksa mjetet e ndërtimit nisnin punën për një projekt resorti luksoz të mbështetur nga vajza dhe dhëndri i Trump-it, Ivanka dhe Jared Kushner, dhe i përkrahur fuqishëm nga qeveria shqiptare.

Projekti synon ta shndërrojë një brez bregdetar të çmuar dhe të ndjeshëm nga pikëpamja mjedisore — një vend folezimi për flamingot — në një kënd argëtimi për të pasurit e botës. Çdo pjesë e tij zgjon indinjatë në një vend ku të ardhurat mbeten të vogla, ndërkohë që një pakicë e zgjedhur duket se përparon.

Titujt e pronësisë mbi tokën në fjalë janë të kontestuar. Kjo nuk përbën ndonjë risi në Shqipëri, ku pretendimet rivale shpesh mbivendosen. Pronari i pretenduar akuzohet për falsifikim të dokumenteve të pronësisë. Ai është vënë gjithashtu nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pastrim parash dhe trafik ndërkombëtar kokaine.

Gardhi në plazh. Pamundësia për të dalë në det. Banditët si simbol i lidhjeve të krimit të organizuar me politikën dhe me oligarkët. Betoni që po gllabëron vijën bregdetare. Për shumë shqiptarë, ajo skenë përmblodhi një ndjesi që ishte krijuar prej vitesh, e ushqyer mbi të gjitha nga ndërtimet në Tiranë dhe përgjatë bregdetit. Asgjë prej kësaj nuk ishte abstrakte. Njerëzit e jetojnë atë çdo ditë. Atyre nuk u duhej një ideologji për ta kuptuar.

Ajo që pasoi ishte një reaksion zinxhir që nxori në pah sa shumë pakënaqësi popullore ishte grumbulluar. Për tre muaj me radhë, edhe pse në kushtet e një vale nxehti pervëlues, mijëra shqiptarë kanë dalë çdo ditë në rrugë për të kërkuar më shumë llogaridhënie dhe fundin e korrupsionit. Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë, kanë ndihmuar në mbajtjen e protestës.

Protesta pasqyron një ndjesi që është ndërtuar prej vitesh në shumë shtresa të shoqërisë: kundërshtimin ndaj një modeli grabitqar të kapitalizmit, të ngritur në kurriz të brezave të shkuar dhe të ardhshëm — duke konsumuar kontributin e të parëve dhe duke shkatërruar perspektivën e të dytëve. Parë në këtë mënyrë, projekti i Zvërnecit është pika e fundit e durimit dhe njëkohësisht një lente përmes së cilës të gjithë shqiptarët mund të kuptojnë se si janë qeverisur. Furitë që ai ka çliruar kanë hapur një debat kombëtar për të ardhmen e vendit: si duhet të zhvillohet Shqipëria, si duhet të merren vendimet dhe nëse qytetarët besojnë se ato vendime merren në interesin e tyre.

Ky mund të dëshmohet si një moment vendimtar në historinë e Shqipërisë, i krahasueshëm me rënien e komunizmit dhe të shtrëngimit të tij si darë mbi politikën, kulturën dhe jetën e përditshme në vendin tim. Njerëzit që udhëheqin këto demonstrata të përditshme kanë lindur pas asaj rënieje. Ata nuk u rritën me frikën apo me reflekset e epokës komuniste. Ata janë rritur në një Shqipëri të hapur: kanë udhëtuar, kanë studiuar dhe kanë ndërtuar jetë të lidhura me Europën dhe me botën e gjerë. Ata nuk e masin Shqipërinë e sotme me të kaluarën e saj. E masin me atë që besojnë se vendi i tyre është i aftë të bëhet.

Kërkesat e tyre nuk janë as radikale, as ideologjike. Shqiptarët duan një demokraci funksionale me udhëheqës që e shohin veten si shërbëtorë të popullit. Duan institucione të cilave mund t'u besojnë, vendime transparente, ligje që zbatohen njësoj për të gjithë dhe bindjen se pasuritë publike administrohen në dobi të shumicës e jo të një pakice të privilegjuar.

Deri tani, qeveria nuk u është përgjigjur kërkesave të protestuesve, dhe as nuk ka arritur ta shuaj atë. Është joshëse ta përshkruash përgjigjen e qeverisë si tërheqje. Po aq joshëse është ta hedhësh poshtë si teatër. Në qershor, qeveria i vendosi protestuesit në kategoritë e manipulimit të luftës hibride, të një "proletariati algoritmik" ose të armiqësisë së thjeshtë. Në korrik, ajo e përmbysi repertorin e qershorit pa e mohuar plotësisht atë. Pranoi një diagnozë të pjesshme, të shoqëruar me një kurë të pjesshme. U përpoq, pa sukses, të përvetësonte fjalorin e protestës pa hequr dorë nga projekti dhe pa rishikuar logjikën e zhvillimit që prodhoi pakënaqësinë.

Po aq e rëndësishme është të kuptohet se çfarë nuk janë këto protesta.

Pavarësisht vëmendjes ndaj familjes Trump dhe zhvillimit të resortit, këto demonstrata nuk përbëjnë një refuzim të investimeve të huaja, as të një resorti luksoz në vetvete. Kjo është një revoltë qytetare pa udhëheqës kundër mënyrës se si funksionon pushteti, dhe një paralajmërim se zemërimi publik nuk mund të shpërfillet më.

Shqipëria mbetet, ndoshta, shoqëria më pro-amerikane në Europë, e formësuar nga dekada miqësie dhe mirënjohjeje ndaj Shteteve të Bashkuara, dhe e përkushtuar fort ndaj aleancës euroatlantike. Shqiptarët e dinë se investimet e huaja, turizmi dhe sipërmarrja private janë thelbësore për rritjen ekonomike.

Pyetja është nëse zhvillimi mund të shoqërohet me transparencë, llogaridhënie dhe besim publik. Këto parime nuk janë pengesa për investimet. Në afat të gjatë, ato janë ndër garancitë më të forta të tyre.

Flamingoja që është lidhur me këto protesta është vetëm një simbol. Vetë lëvizja ka të bëjë me diçka shumë më të madhe: me bindjen se trashëgimia natyrore e Shqipërisë, institucionet e saj publike dhe e ardhmja e saj meritojnë administrim të kujdesshëm.  Është hera e parë që shqiptarët ndihen se mund ta formësojnë debatin kombëtar pa pritur që partitë politike të marrin drejtimin. Përvoja na mëson se demokracia varet jo vetëm nga zgjedhjet, por edhe nga qytetaria aktive mes tyre.

Ngjarjet që po shpalosen në Shqipëri janë më shumë se një çështje e brendshme dhe meritojnë të lidhen më ngushtë me procesin e integrimit në BE. Prej vitesh, diskutimet për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE janë përqendruar te shqetësimet e njohura: shteti i së drejtës, korrupsioni, kapja oligarkike e shtetit, krimi i organizuar dhe dobësia institucionale. Protestuesit shqiptarë po kërkojnë ndryshim pikërisht në këto fusha. Ata po bëjnë atë që bëjnë qytetarët e përgjegjshëm në çdo demokraci. Heshtja e BE-së, e mbajtur si qëndrim institucional, duhet t'i lërë vendin një mbikëqyrjeje të rreptë por të drejtë, që mbështet shoqërinë shqiptare në përmbushjen e standardeve europiane.

Që nga rënia e komunizmit në vitin 1990, Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm. Ajo u anëtarësua në NATO, forcoi partneritetin me Shtetet e Bashkuara, shërbeu si spirancë stabiliteti në Europën Juglindore dhe iu afrua vazhdimisht BE-së. Faza e ardhshme e suksesit të Shqipërisë do të varet nga diçka tjetër. Rritja ekonomike duhet të shoqërohet me institucione që gëzojnë besimin e publikut dhe me një kulturë politike që e mirëpret llogaridhënien në vend që t'i frikësohet asaj.

Analizë e botuar për revistën International Politics and Society www.ips-journal.eu

Të këshilluara

Ngatërresa e madhe me Ergys Agasin

Ato që tregojnë më pak për historinë e “Gysit” janë pamjet dhe deklaratat e nxjerra nga arkivat për lidhjen e tij me Ramën. Pasi nuk është i pari që njollos të  dytin

10:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

Ata që shohin vjedhjen e Agron Shehajt nga koteci i Edi Ramës

Çmenduri të tilla, kur një pushtet prek fundin, janë të njohura. Grupe armiqësore, gazetarë puçistë, elementë të rekrutuar nga shtete armiqësore etj, historia jonë politike ka me shumicë, por vetëm Edi Rama ia ka dalë që në 10 vitet e fundit t’i njehsojë, gati- gati të duken si një fytyrë e vetme të gjithë ata që i shërbejnë.

16:41 Armand Shkullaku

Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë

13:42 Andi Bushati

Reforma territoriale dhe profecia e romakut Tacitus

Sipas informacioneve të dala, ajo synon rishikimin e hartës aktuale me 61 bashki, duke shkrirë 10 deri në 14 bashki të vogla, me qëllim që numri i tyre, për zgjedhjet vendore të vitit 2027, të mos jetë më tepër se 50 bashk

11:29 Ferdinand Dervishi

Çfarë është “Shqipëria e re”?

Shteti, partia dhe pushteti janë personalizuar tek një lider i vetëm. Sot hendeku mes fasadës së propagandës rilindase dhe realitetit që jetojnë qytetarët është bërë po aq i madh sa hendeku mes propagandës komuniste dhe realitetit qytetar dje

21:40 Blendi Kajsiu

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

Flamingot duhet t'i injorojnë hijet e së djeshmes

Strategjia e një pjese të madhe të mbrojtësve oligarko-mediatikë të autokratit është të bëjnë kamikazin duke thithur mbi vete debate shterpë që largojnë vëmendjen nga thirrja: “Rama jeeeepe dorëheqjeeeeeen”

08:25 Andi Bushati

ide

Po sikur Lali të dalë nga burgu?

Një pakt është përvijuar mes kryeministrit dhe kryebashkiakut të burgosur për të kthyer këtë të fundit në zyrë. Po cila do të qe konseguenca për një reformë në drejtësi, që pushtetarët e lartë ia shkëlyen dyert e qelive?

16:02 Andi Bushati

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

92.01

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Po sikur Lali të dalë nga burgu?

Një pakt është përvijuar mes kryeministrit dhe kryebashkiakut të burgosur për të kthyer këtë të fundit në zyrë. Po cila do të qe konseguenca për një reformë në drejtësi, që pushtetarët e lartë ia shkëlyen dyert e qelive?

16:02 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI