
Problemet nuk kanë të mbaruar për Rolando Maran, në vigjilje të debutimit në Nations League. Pasi humbi Pajazitin e Laçin, tekniku italian mund të mos ketë në dispozicion edhe Ivan Balliun. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi i djathtë ka pësuar një dëmtim në kavilje gjatë ndeshjes së fundit të zhvilluar me klubin e tij, Rayo Vallecano, në transfertë ndaj Osasunës.
Balliu i është nënshtruar rezonancës magnetike, e cila ka evidentuar një dëmtim në kyçin e këmbës dhe ka nisur programin e rehabilitimit pranë klubit të tij. Stafi mjekësor i Kombëtares shqiptare është në komunikim të vazhdueshëm me stafin mjekësor të Rayo Vallecanos për të ndjekur nga afër gjendjen e lojtarit dhe ecurinë e rikuperimit të tij.
Nëse situata do të përmirësohet në ditët në vijim, Balliu do të bashkohet me grupin e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Maran për ndeshjet e radhës të Kombëtares.
PALESTËR E TAKTIKË PËR TË TJERËT
Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për katër ndeshjet e radhës të vlefshme për UEFA Nations League, teksa skuadra kuqezi zhvilloi pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”.
Trajneri Maran kishte në dispozicion të gjithë 28 lojtarët e grumbulluar për këtë fazë përgatitore. Seanca nisi me ushtrime në palestër, ndërsa më pas futbollistët vijuan punën në fushë, ku u përqendruan në skema dhe detyra të ndryshme taktike.
Kombëtarja do të vijojë përgatitjet në “Shtëpinë e Futbollit” edhe gjatë ditëve në vijim, në prag të sfidave të radhës në UEFA Nations League. Ndërkohë, ditën e nesërme, në orën 12:00, dy lojtarë të Kombëtares do të dalin para mediave në konferencën për shtyp që do të zhvillohet në sallën e konferencave të “Shtëpisë së Futbollit”.