
Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, është ndaluar mbrëmjen e së martës (22/9) në pikën kufitare të Morinës mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Lajmin e bënë fillimisht të ditur media të Kosovës. Lapsi.al mësoi nga burime të tij se rreth orës 19.00 Hyseni është dorëzuar në policinë e Kosovës dhe më pas forcat e rendit e kanë shoqëruar dhe dorëzuar te autoritetet shqiptare në pikën e kalimit kufitar.
Mësohet se Hyseni ka qëndruar gjatë ditës në Kosovë.
Me herët, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi vendimin për ta liruar nga detyra Hyseni. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që ajo të pezullohet nga detyra dhe të vendoset në "arrest shtëpiak".
Hyseni akuzohet për nxjerrje të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit. Masa vjen në kuadër të hetimeve për çështjen AKSHi dhe lidhjeve të Hysenit me biznesmenin e arrestuar Ergys Agasi. /LAPSI.al