
Në pritje për të përjetuar sërish emocionet e Serie A, provojmë të imagjinojmë kampionatin që do të jetë falë Superkompjuterit. Bëhet fjalë për Predictor Opta, një model që llogarit përqindjet e mundësisë që një skuadër ta përfundojë sezonin në një pozicion të caktuar të renditjes, duke u bazuar te kuotat e kompanive të basteve dhe te Opta Power Rankings, parametra që marrin parasysh paraqitjet historike dhe ato të fundit.
Siç ka raportuar “Corriere dello Sport”, tabela e algoritmit i ka idetë mjaft të qarta: Interi është super favorit për titullin përpara Romës, ndërsa Como dhe Juventusi janë skuadrat e parashikuara për të zënë dy vendet e tjera që të çojnë në Champions League. Milani është i pari ndër ekipet që mbeten jashtë kompeticionit prestigjioz europian. Napoli renditet madje i shtati, edhe pas Lazios. Në zonën e rënies nga kategoria, Venezia konsiderohet pothuajse e dënuar, ndërsa më shumë se të tjerat rrezikojnë Genoa dhe Parma.
Parashikimet e Opta-s
Këto janë parashikimet që lidhen me Expected Points (Xpts), pra pikët e mundshme në bazë të rasteve për gol të krijuara dhe të lejuara.
Në këtë aspekt, Interi parashikohet të kalojë kuotën e 78 pikëve, me pothuajse 45% mundësi për të fituar titullin dhe plot 88% mundësi për ta mbyllur kampionatin në katër vendet e para. Roma renditet e dyta me 73 pikë sipas Opta-s dhe me 73% mundësi për të siguruar një vend në Champions, ndërsa shanset për titull janë pak nën 22% dhe për këtë arsye janë përgjysmuar në krahasim me Interin, kampionin në fuqi.
Më shumë sesa Como në vendin e tretë, me 67 pikë të parashikuara, 10% mundësi për titullin dhe 52% për katër vendet e para, vëmendje tërheq pozicioni i fundit që siguron kualifikimin për kompeticionin më prestigjioz.
Juventus parashikohet në vendin e katërt, gjithmonë me 67 pikë të mundshme dhe vetëm 8,91% mundësi për të fituar titullin. Megjithatë, mbetet përpara Milanit, që parashikohet me 64 pikë dhe ka 37% mundësi për Champions League, si dhe Lazios, e cila renditet e gjashta me plot 33% mundësi për ta mbyllur sezonin në katër vendet e para.
Ajo që është ndoshta më e pabesueshme, ndoshta edhe si pasojë e nisjes së ngadaltë të sezonit, ka të bëjë me Napolin. Opta e konsideron të shtatin në renditje, me më pak se 3% shanse për titullin dhe 28,90% mundësi për rikthimin në Champions League. Më tej, dhjetë vendet e para plotësohen nga Atalanta, Cagliari dhe Sassuolo.
Sa i përket luftës për mbijetesë, Venezia, që ka 0 pikë pas pesë humbjeve, por ka vendosur të konfirmojë Stroppan, është në rrezik shumë të madh për të rënë nga kategoria. Algoritmi i Superkompjuterit i jep plot 73,52% mundësi për një rikthim të menjëhershëm në Serie B.
Në vendin e parafundit renditet Genoa me 41% mundësi rënieje, ndërsa Parma është e parafundit me 38%. Ndërkohë, do të mbijetonin në Serie A si Monza, me 36,85% mundësi rënieje, ashtu edhe Lecce, me 28,36%.
