
Rusia nuk ka ndërmend të ndalë luftën në Ukrainë, deklaroi ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, një ditë pasi u hodh ideja për një moratorium mbi sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. Gjatë fjalimit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Lavrov tha se Moska do të vazhdojë atë që e quan operacion special ushtarak në Ukrainë.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, ai argumentoi se vendet evropiane kërkojnë një ndalesë të luftimeve me synimin, sipas tij, për të shfrytëzuar këtë periudhë për furnizimin e Ukrainës me armë. Një ditë më parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se ishte i gatshëm të mbështeste një moratorium për sulmet ndaj objekteve energjetike, nëse Rusia do të ndërmerrte të njëjtin hap.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës mund të arrihet më shpejt nga sa pritet. Megjithatë, deklaratat e Lavrovit tregojnë se Moska aktualisht nuk po sinjalizon një ndalim të përgjithshëm të operacioneve ushtarake.