
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i është rikthyer sërish çështjes së Kosovës dhe Serbisë gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke e përfshirë atë në listën e tetë konflikteve ndërkombëtare që ai thotë se i ka përfunduar ose parandaluar gjatë mandatit të tij.
Gjatë fjalës para udhëheqësve botërorë, Trump e cilësoi vendosjen e paqes në këto rajonet e nxehta si një “nder të madh” për administratën e tij, duke theksuar se përpjekjet e Uashingtonit kanë marrë vlerësime direkte nga liderët përkatës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e renditi përplasjen mes Serbisë dhe Kosovës si një nga pikat ku diplomacia e tij ka arritur të parandalojë përshkallëzimin dhe të vendosë stabilitet, duke e vendosur Ballkanin Perëndimor krah krizave të tjera madhore në botë.
Sipas Trump, ndërhyrja e tij në këto dosje ka lënë gjurmë te udhëheqësit e përfshirë:
“Pothuajse secili prej këtyre vendeve më shkroi një letër falënderimi,” deklaroi Trump para OKB-së.
Ai shtoi gjithashtu se kryeministri i Pakistanit i kishte konfirmuar personalisht se ndërhyrja e tij diplomatike në atë rajon kishte shpëtuar më shumë se 30 milionë jetë njerëzish.
Konfliktet që Trump deklaron se i ka zgjidhur gjatë mandatit të tij përfshijnë:
-Serbi – Kosovë
-Izrael – Hamas
-Izrael – Iran
-Egjipt – Etiopi
-Indi – Pakistan
-Ruandë – Kongo
-Armeni – Azerbajxhan
-Kamboxhia – Tajlandë