
Dani Olmo ka refuzuar të pranojë ndjesën e Roberto Ayalës, pasi u godit nga trajneri i Argjentinës pas finales së Kupës së Botës. Momenti kur Ayala i afroi dorën drejt fytit të spanjollit ishte vetëm një pjesë e përplasjes së madhe që pasoi finalen në New Jersey. Goditja me dorën e djathtë dukej se erdhi krejt papritur, ndërsa lojtarët dhe anëtarët e stafit të të dyja skuadrave u përfshinë në një përleshje pas fitores 1-0 të Spanjës në kohën shtesë.
Ayala deklaroi: “Natyrisht që më vjen keq. Për shkak të rolit tim, nuk mund të lejoj që një ndjenjë apo ajo që mund të marr nga pala tjetër të ndryshojë sjelljen dhe veprimet e mia. Ishte më shumë një shtyrje sesa diçka tjetër, nuk ishte një grusht siç po thonë. Ishte një reagim ndaj diçkaje që ai tha, por kaq. Nëse e takoj, sigurisht që do t’i kërkoj falje personalisht. Qëllimi im ishte të ndaja palët. Ndonjëherë ndodhin gjëra dhe emocionet janë të forta, por kjo nuk është justifikim. Duke pasur parasysh pozicionin tim, sjellja ime duhet të jetë ndryshe”.
Megjithatë, Olmo nuk e pranon këtë version dhe hodhi poshtë justifikimin e Ayalës. Ai tha për Diari de Terrassa: “Dikush që thotë se i vjen keq, por e justifikon një goditje duke pretenduar se ishte reagim ndaj ‘një fjale’, ndoshta nuk është aspak i penduar. “Ai nuk po thotë të vërtetën, sepse unë nuk i thashë asgjë, kështu që nuk kam nevojë për faljen e tij. Ajo që na përcakton vërtet nuk është gabimi, por guximi për ta pranuar atë”. FIFA po heton incidentin pas ndeshjes në stadiumin MetLife, ku edhe mesfushori argjentinas Leandro Paredes goditi Gavin ndërsa ky i fundit ishte i shtrirë në tokë. Argjentina është kritikuar për sjelljen gjatë Kupës së Botës, ndërsa FIFA po heton gjithashtu festimin e ekipit me një pankartë për Ishujt Falkland pas fitores ndaj Anglisë në gjysmëfinale.
