Flash

Nga Zvërneci te dorëheqja e Ramës: Si u shndërrua protesta në revoltën më të madhe qytetare të viteve të fundit

Lapsi.al 15 June 2026

Këtë të hënë pritet të mbahet protesta e 16-të radhazi e revoltës qytetare kundër qeverisë. Ajo që nisi si një kundërshtim ndaj projektit të resortit në Zvërnec dhe Sazan është shndërruar në një lëvizje shumë më të gjerë, me kërkesa që shkojnë përtej çështjeve mjedisore dhe prekin drejtpërdrejt qeverisjen, emigracionin, korrupsionin dhe të ardhmen e vendit.

Prej më shumë se dy javësh, mijëra qytetarë mbushin çdo mbrëmje bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin para Kryeministrisë. Mes flamujve kombëtarë, pankartave dhe thirrjeve kundër qeverisë, kërkesa kryesore mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës socialiste.

Kjo lëvizje ka marrë gradualisht karakteristikat e një proteste qytetare, ku pjesëmarrja nuk dominohet nga partitë, por nga qytetarë, familje, të rinj, profesionistë dhe emigrantë të kthyer për pushime. Në mbrëmje, pasi përfundojnë fjalimet para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin që tashmë është bërë pjesë e ritualit të përditshëm të protestës. Rrugët kryesore të Tiranës mbushen nga kolona të gjata njerëzish që lëvizin nën brohoritma dhe këngë patriotike.

Megjithatë, protesta e së dielës shënoi një moment të ri për lëvizjen. Për herë të parë që nga nisja e revoltës, protestuesit bllokuan plotësisht autostradën Tiranë-Durrës dhe aksin që lidh kryeqytetin me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.

Pas më shumë se dy orësh fjalime para Kryeministrisë, turma marshoi drejt mbikalimit të Kasharit, duke krijuar trafik kilometrik në arterien më të rëndësishme rrugore të vendit. Më pas protestuesit vijuan drejt rrugës së aeroportit, duke paralizuar për disa orë qarkullimin në një nga nyjet më strategjike të Shqipërisë. 

Teksa mijëra qytetarë ishin mbledhur para Kryeministrisë, deputetja socialiste e Shkodrës, Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalësorja”, njoftoi largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ajo deklaroi se do të vijojë mandatin si deputete e pavarur, duke argumentuar se kufijtë e saj përcaktohen nga vlerat personale dhe jo nga përkatësia partiake.

Një nga elementët më të veçantë të kësaj lëvizjeje mbeten pankartat. Nëse në ditët e para dominonin mesazhet për mbrojtjen e Zvërnecit, sot pankartat pasqyrojnë një gamë shumë më të gjerë shqetësimesh. Emigrimi masiv, korrupsioni, kostot e jetesës, mungesa e shpresës për të rinjtë dhe kritikat ndaj klasës politike janë kthyer në temat kryesore të revoltës.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj proteste është diaspora. Shqiptarë në Londër, Vjenë, Mynih, e qytete të ndryshme në SHBA dhe Kanada kanë organizuar tubime solidariteti në mbështetje të protestuesve në Shqipëri. Qindra shqiptarë që mbajnë në shpinë flamurin kuqezi kanë përcjellë mesazhe mbështetjeje për zhvillimet në Tiranë.

Thirrja “Rama, jepe dorëheqjen” është bërë tashmë refreni i përbashkët i protestave brenda dhe jashtë vendit.

Të këshilluara

ide

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

92.85

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI