Flash

Misteri/ "Financial Times": Kush e nxiti valën e emigrantëve drejt Spanjës 

Lapsi.al 2 August 2026

Vala e emigrantëve që vërshoi në Ceuta, duke besuar se Spanja do të ishte një "portë e hapur" mundësish, rezultoi një zhgënjim për mijëra të rinj afrikanë. Brenda vetëm 24 orësh mijëra njerëz u kthyen prapa, duke parë ëndrrën e tyre për një jetë të ligjshme në Evropë të shkatërrohej.

Më shumë se 48,300 njerëz, nga rreth 60,000 që kaluan masivisht në Ceuta, u kthyen vullnetarisht në Marok, duke ndjekur të njëjtën rrugë nga kishin hyrë. Ata e kishin kaluar natën jashtë, duke bredhur rrugëve në kërkim të ushqimit dhe ujit. Aty kuptuan se nuk kishte "qasje të lehtë" në Evropë ndryshe nga sa u ishte thënë.

"Na gënjyen. Askush nuk na pranon. Është si një burg", - tha një maroken 18-vjeçar, duke shprehur zhgënjimin e shumë bashkëmoshatarëve të tij.

Mediat sociale dhe premtimet e rreme

Autoritetet spanjolle po përpiqen tani të identifikojnë se kush qëndronte pas mesazheve që çuan dhjetëra mijëra të rinj të mblidheshin në qytetin maroken përballë Ceutës përpara se të provonin kalimin.

Postime dhe mesazhe në mediat sociale u gjetën në telefonat e shumë emigrantëve, sipas të cilëve kushdo që arrinte të notonte deri në anën spanjolle mund të merrte një leje qëndrimi, të përfitonte nga procedurat e supozuara të legalizimit dhe më pas të udhëtonte pa vështirësi në Spanjën kontinentale.

Këto premtime rezultuan të rreme, por për mijëra të rinj pa punë dhe pa perspektivë, ato ishin nxitje e mjaftueshme për të provuar kalimin e rrezikshëm.

Si mijëra emigrantë notuan nëpër Ceuta

Hyrja masive e rreth 60,000 njerëzve në enklavën spanjolle të Ceutës të enjten nuk ishte një lëvizje spontane. Sipas “Financial Times”, shumë prej atyre që notuan përtej kufirit detar ishin përgatitur për javë të tëra, me qëllimin e vetëm për të arritur në tokën evropiane.

Kjo erdhi disa ditë pasi rreth 1,800 njerëz kishin arritur të hynin në Ceuta duke notuar rreth valëpritëses që ndan territorin spanjoll nga Maroku.

Sipas dëshmisë së një instruktori maroken noti, disa migrantë kishin marrë mësime ose kishin mësuar vetë të notonin, duke e ditur se deti do të ishte e vetmja rrugë për në Evropë.

Njëkohësisht një "infrastrukturë" informale për sipërmarrjen u organizua në mediat sociale. Grupet e Facebook postuan reklama për shitjen e pendëve dhe kostumeve të zhytjes, ndërsa përdorues të tjerë shkëmbyen informacione në arabisht rreth kushteve të motit, rrymave të detit dhe rrugës për në plazhin Tarajal në Ceuta, madje duke i shoqëruar postimet me pamje të ekranit nga Google Maps.

Rruga për në det

Që në orët e para të mëngjesit të së enjtes, mijëra njerëz iu drejtuan kufirit nga ana marokene. Ata mbërritën në këmbë, me biçikletë, me makinë apo edhe me kamiona, duke shkaktuar bllokime trafiku në rrugët që të çojnë në vijën kufitare.

Në vend që të kalonin nëpër doganë, shumë prej tyre ecën poshtë shpateve të pjerrëta drejt një plazhi të ngushtë. 

Edhe pse distanca më e shkurtër për në Ceuta është vetëm disa qindra metra, mbipopullimi dhe rrymat e forta të detit i detyruan shumë të notojnë distanca shumë më të gjata, duke qëndruar në ujë për orë të tëra.

Imazhe kaosi dhe tragjedie

Në bregdetin spanjoll, të mbërriturit po dilnin nga deti me lëndime në këmbë nga shkëmbinjtë. Garda Civile Spanjolle, e cila kishte marrë përsipër ruajtjen e kufirit, monitoroi situatën pa i penguar emigrantët të zbarkonin.

Imazhi i një burri që arriti të arrinte në tokë edhe duke pasur biçikletën me vete, ndërsa të tjerë e regjistruan përpjekjen e tyre në telefonat celularë, ishte karakteristik.

Sipas mediave spanjolle, të paktën 57 persona humbën jetën në det gjatë kalimit.

Realiteti pas mbërritjes

Shumë prej atyre që mbërritën në Ceuta u drejtuan për në qendrën e pritjes së migrantëve, e cila kishte tejkaluar kapacitetin e saj në ditët e mëparshme dhe mbetej e mbyllur. Disa prej tyre qëndruan në tokë nën mbikëqyrjen e policisë dhe Kryqit të Kuq, duke pritur zhvillime të mëtejshme.

Pavarësisht përshtypjes së krijuar pas vendimit të fundit të Gjykatës Supreme Spanjolle se ata që mbërrijnë duke notuar nuk mund të kthehen menjëherë mbrapsht, Ceuta nuk është një portë hyrëse e lirë për në pjesën tjetër të Bashkimit Evropian. Kontrolle të tjera kufitare janë të nevojshme për kalimin në Spanjën kontinentale.

Deri të premten pasdite, sipas autoriteteve spanjolle, rreth 48,300 njerëz ishin kthyer vullnetarisht në Marok, ndërsa më vonë Komisioneri Evropian për Migracionin, Magnus Brunner, deklaroi se "pothuajse të gjithë" ata që kishin kaluar kufirin ishin kthyer. ©Financial Times, Përgatiti LAPSI.al 

Të këshilluara

ide

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

Ata që shohin vjedhjen e Agron Shehajt nga koteci i Edi Ramës

Çmenduri të tilla, kur një pushtet prek fundin, janë të njohura. Grupe armiqësore, gazetarë puçistë, elementë të rekrutuar nga shtete armiqësore etj, historia jonë politike ka me shumicë, por vetëm Edi Rama ia ka dalë që në 10 vitet e fundit t’i njehsojë, gati- gati të duken si një fytyrë e vetme të gjithë ata që i shërbejnë.

16:41 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

36°c

KËMBIMI EURO

93.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI