
Rusia ka nisur një projekt ambicioz shkencor, duke investuar miliarda rubla në kërkimet për zgjatjen e jetës njerëzore dhe luftimin e plakjes, me synimin që në të ardhmen të kapërcejë edhe kufijtë biologjikë të njeriut.
Në krye të kësaj nisme është Maria Vorontsova, vajza e madhe e presidentit rus Vladimir Putin, e cila është endokrinologe dhe drejtuese e Institutit të Kërkimeve dhe Edukimit Mjekësor në Universitetin Shtetëror të Moskës. Gjatë një forumi në Moskë, ajo prezantoi një strategji me dy faza, ku fillimisht synohet që njerëzit të arrijnë moshën 85-90 vjeç dhe më pas të tejkalohen kufizimet natyrore të jetëgjatësisë, në atë që e cilësoi si përpjekje për të “mashtruar Zotin ose natyrën”.
Për realizimin e këtij objektivi, shkencëtarët rusë po punojnë edhe për zhvillimin e një vaksine eksperimentale kundër plakjes, e cila synon të bllokojë një gjen të lidhur me ndryshimet qelizore që shfaqen me kalimin e viteve. Programi, i promovuar personalisht nga Putini, parashikon investime prej më shumë se 2 trilionë rublash dhe përfshin gjithashtu kërkime për rigjenerimin e indeve.
Studiuesit pretendojnë se kanë arritur të printojnë kërc njerëzor dhe një gjëndër tiroide miu, ndërsa objektivi është që deri në vitin 2030 të bëhet i mundur zëvendësimi i organeve njerëzore. Autoritetet ruse synojnë që përmes këtyre programeve të shpëtojnë 175 mijë jetë deri në vitin 2030, ndërsa Putini ka vendosur si objektiv rritjen e jetëgjatësisë mesatare në 78 vjet deri në vitin 2030 dhe 81 vjet deri në vitin 2036. Megjithatë, projekti është shoqëruar me skepticizëm nga një pjesë e komunitetit shkencor, pasi deri më tani janë publikuar pak studime të mirëfillta shkencore që dëshmojnë rezultatet e këtyre kërkimeve. Ndërkohë, nisma ngre edhe pikëpyetje për paradoksin mes miliardave të investuara për të shpëtuar jetë dhe humbjeve të mëdha njerëzore që Rusia po pëson në luftën kundër Ukrainës.
Sipas vlerësimeve të cituara në raport, viktimat ruse nga lufta kanë arritur në qindra mijëra, ndërsa ekspertë të pavarur paralajmërojnë se ambiciet për të mposhtur plakjen mund të jenë më shumë premtime politike sesa rezultate konkrete shkencore.