
Pas rreth shtatë orësh seancë në Gjykatën e Fierit, është vendosur vijimi i masës së sigurisë “Arrest me burg” për drejtorin e Spitalit të Fierit dhe ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Arben Voja, si dhe për ish-kreun e Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shytin dhe noteren Anila Haxhiun.
Ndryshe është vendosur për punonjësin e Kadastrës, Fjorelo Biden, të cilit gjykata i ka ndryshuar masën e sigurisë, duke caktuar ndaj tij tri masa me karakter ndalues.
Arben Voja akuzohet për shpërdorim detyre dhe tjetërsimin e 44,000 m² tokë shtetërore në Povelçë për një park fotovoltaik. Ai u ndalua pas hetimeve për tjetërsimin e pronave shtetërore duke përdorur dokumente të falsifikuara gjatë kohës që drejtonte Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Fier. Gjatë mbajtjes në paraburgim dhe seancës gjyqësore, Voja ka shfaqur probleme shëndetësore dhe kardiake, duke marrë ndihmë mjekësore.