
Protestuesit kanë lënë zonën pranë Ministrisë së Arsimit dhe kanë vijuar marshimin nëpër rrugët e Tiranës, duke u zhvendosur drejt 21 Dhjetorit dhe më pas drejt Zogut të Zi. “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Dorëheqje!” janë mes sloganeve që kanë shoqëruar marshimin. Thirrja kundër të dy drejtuesve kryesorë politikë është dëgjuar vazhdimisht edhe gjatë protestave të mëparshme të studentëve, të cilët kanë këmbëngulur se nuk ndihen të përfaqësuar nga partitë tradicionale.
Protesta e sotme nisi në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit dhe zhvillohet në ditën e 168-të të mobilizimit. Kërkesa kryesore e studentëve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ata kanë vijuar të refuzojnë ofertat e qeverisë për dialog. Marshimi po vijon në zona të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa protestuesit po zhvendosen në grup përgjatë akseve kryesore të Tiranës.