
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka ndaluar tre persona të dyshuar dhe ka konfiskuar 136 kilogramë marihuanë në autostradën “Arbën Xhaferi”, pranë Doganajt në Kaçanik.
Sipas njoftimit të tij, në kuadër të operacionit janë sekuestruar gjithashtu tri automjete, një motor me katër rrota dhe 680 euro para në dorë.
Gjatë ndjekjes, njëra prej veturave të dyshuara ka tentuar t’u shpëtojë forcave të rendit dhe ka shkaktuar një aksident. Për ta ndalur atë, zyrtarët policorë kanë përdorur edhe armët e zjarrit.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit, shtetas të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, dyshohet se kishin planifikuar transportimin e marihuanës nga Shqipëria, përmes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë.
Sveçla ka bërë të ditur po ashtu se ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë aktivitet kriminal. Rasti është marrë në shqyrtim nga Inspektorati Policor i Kosovës, i cili do të hetojë dhe do të sqarojë të gjitha rrethanat.
“Besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës do ta ruajmë dhe forcojmë përmes angazhimit të vazhdueshëm duke pastruar nga radhët e saj çdo individ të lidhur me krimin”, ka thënë Sveçla.
Ministri ka nënvizuar se lufta kundër narkotikëve do të vijojë pa kompromis dhe se askush, përfshirë edhe zyrtarët publikë, nuk do të lejohet të shkelë ligjin. /LAPSI.al