
Në betejën e Slivovës në afërsi të Shtimjes në Kosovë në prill 1881 kundër forcave osmane të Dervish Pashës, thuhet se Mic Sokoli kreu një akt trimërie të rrallë duke i vënë gjoksin topit të armikut dhe ra heroikisht në fushën e betejës duke frymëzuar të gjithë luftëtarët e tjerë të vazhdojnë luftën me trimëri e krenari.
Të paktën kështu e njeh historia nga rrëfimet e veçanërisht nga këngët rapsodike që disa historianë i përligjin. Ky veprim i Mic Sokolit është portretizuar edhe në art, me krahë hapur, me plis në kokë, i patrembur dhe duke qëndruar përballë topit.
Por a është e vërtetë krejt kjo çka thuhet e këndohet për Micin, apo rrëfimet kanë shkuar aq larg, saqë personaliteti i tij është mitizuar.
Fakti historik i padiskutueshëm është se Mic Sokoli u vra në Betejën e Slivovës ku u sulmua drejtpërdrejt bateria e artilerisë osmane, ndërsa detaji specifik i "vënies së gjoksit në grykën e topit" mbështetet kryesisht në traditën gojore dhe historiografinë tradicionale, por debatohet nga një pjesë e historianëve modernë.
Historiani kosovar, Jahja Drançolli, studiues i shkencave medievalistike thotë se “disa personalitete të ndritshme të historisë tonë ndonjëherë janë ekzagjeruar”.
Mic Sokoli udhëhoqi një kundërsulm të guximshëm për të kapur pozicionet e topave osmanë në kodër dhe u vra pikërisht aty.
Sipas burimeve të shkruara dhe dëshmive të kohës, ai arriti t'i afrohej aq shumë njërit prej topave, sa e mbërtheu ose u përpoq ta rrokulliste atë tatëpjetë kodrës për ta nxjerrë jashtë përdorimit, moment në të cilin u qëllua për vdekje nga ushtarët osmanë.
Rapsodët popullorë, për të rritur trimërinë e jashtëzakonshme të tij e përshkruan aktin në mënyrë poetike si bllokim i gjyles me kraharor. Historianët e periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe më pas ata të periudhës komuniste e morën këtë motiv folklorik si të mirëqenë për të ndërtuar figurën e heroit.
Kjo u përforcua edhe më shumë nga arti figurativ (veçanërisht piktura ikonike e Sali Shijakut), e cila e fiksoi në kujtesën kolektive imazhin e Micit me krahët hapur mbi grykën e topit.

Disa studiues dhe historianë bashkëkohorë theksojnë se nga ana fizike është e pamundur që trupi i njeriut të ndalë një gjyle topi dhe se nuk ka dokumente arkivore osmane apo të huaja të kohës që ta përshkruajnë vdekjen e tij fjalë për fjalë në atë mënyrë.
Sipas tyre, "vënia e gjoksit topit" është një metaforë e fuqishme popullore për faktin se Mic Sokoli u sul me armë të lehta dhe trup më trup drejt zjarrit të artilerisë së rëndë pa u zmbrapsur, derisa ra i vrarë ngjitur me topin e armikut. ©LAPSI.al