Flash

Ferit Hoxha për konsullatat: Shqipëria synon Preshevën, Serbia ka kërkuar Shkodrën

Lapsi.al 30 July 2026

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas debatit të krijuar mbi mundësinë e hapjes së një konsullate të Serbisë në Shkodër, duke sqaruar se procesi është pjesë e një marrëveshjeje reciproke, përmes së cilës Shqipëria synon të hapë një Konsullatë të Përgjithshme në Luginën e Preshevës.

Sipas Hoxhës, Tirana ka kërkuar prej kohësh një prani të përhershme konsullore në Preshevë, ndërsa Serbia ka paraqitur si kërkesë hapjen e një konsullate në Shkodër. Ai thekson se procedurat do të vijojnë vetëm nëse të dyja palët bien dakord për të gjitha aspektet e marrëveshjes.

“Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës. Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse”, shkruan ministri.

Hoxha argumenton se reciprociteti është një parim i zakonshëm i marrëdhënieve diplomatike dhe nuk nënkupton domosdoshmërisht që dy shtetet kanë të njëjtat interesa apo përfitime.

“Në praktikën e konsoliduar diplomatike, reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare. Ai nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë.”

Hoxha shprehet gjithashtu i habitur që debati publik është përqendruar pothuajse tërësisht te përfitimi i mundshëm i Serbisë nga hapja e një konsullate në Shkodër, ndërsa sipas tij është lënë në plan të dytë ajo që e konsideron interesin kryesor të Shqipërisë: krijimin e një pranie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës.

“Është e çuditshme, madje e vështirë për t’u kuptuar, që shumë prej reagimeve zgjedhin të anashkalojnë pikërisht atë që është thelbësore: interesin e Shqipërisë dhe përfitimin konkret që sjell krijimi i një pranie të përhershme konsullore shqiptare në Luginën e Preshevës.” shkruan Hoxha në X.

Reagimi vjen një ditë pasi ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, konfirmoi publikisht se dy vendet po diskutojnë hapjen e konsullatave respektive në Shkodër dhe në Luginën e Preshevës. Në fakt, ideja për një konsullatë shqiptare në Preshevë nuk është e re. Në prill të këtij viti, pas takimit me homologun serb në Forumin Diplomatik të Antalias, Hoxha njoftoi se kishte mirëpritur gatishmërinë e Beogradit për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shqipërisë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc. 

Të këshilluara

ide

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

92.05

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI