Flash

Eskorta absurde e autobusit të Argjentinës në Botëror: mbi 30 mjete e kordone kundër tifozëve

Masa sigurie që shumëkush i konsideron të tepruara dhe të denja për kortezhe presidenciale apo krerë shtetesh, e jo për një skuadër futbolli.

Lapsi.al 4 June 2026

Masa sigurie që shumëkush i konsideron të tepruara dhe të denja për kortezhe presidenciale apo krerë shtetesh, e jo për një skuadër futbolli. Policia e Kansas City ka vendosur një eskortë mbresëlënëse për “Scaloneta”-n, kombëtaren argjentinase që po përgatitet për Botërorin e ardhshëm. Për çdo lëvizje të autobusit, më shumë se 15 motoçikleta policie dhe rreth 20 patrulla e shoqërojnë dhe i paraprijnë mjetit, duke penguar këdo t’i afrohet.

Edhe tifozët nuk e kanë të lehtë, pasi një kordon i vazhdueshëm policësh i mban ata më shumë se 250 metra larg lojtarëve, duke e bërë praktikisht të pamundur çdo akses në Compass Minerals, kompleksi modern sportiv ku stërvitet Argjentina, dhe në Origin Hotel, ku skuadra është akomoduar. Prej disa ditësh, Kansas City po jeton momente në kufijtë e surrealizmit.

 

I gjithë itinerari nga Origin Hotel, ku qëndron skuadra, deri te qendra sportive Compass Minerals, kompleksi i vënë në dispozicion nga Sporting Kansas City i MLS-së, është kthyer çdo ditë në një zonë ushtarake të ndaluar për të gjithë. Një mobilizim mbresëlënës i forcave të rendit bllokon rrugët dy herë në ditë për të lejuar kalimin pa pengesa të autobusëve të ekipit të Scalonit. 

Një udhëtim që zgjat rreth njëzet minuta, gjatë të cilit rruga dhe zonat përreth patrullohen nga të paktën 15 motoçikleta dhe më shumë se 20 automjete policie, deri sa skuadra të hyjë në qendrën sportive.

Eskorta “ushtarake” për Argjentinën në përgatitje për Botërorin

Një spektakël që ka shkaktuar habi dhe jo pak polemika për masat tepër të rrepta të sigurisë, të papara më parë për një skuadër futbolli, edhe pse bëhet fjalë për kampionët në fuqi të botës. Sidomos tifozët argjentinas po e përjetojnë entuziazmin e tyre në mënyrën më të keqe: jo vetëm që nuk mund të ndjekin stërvitjet, por as nuk mund t’u afrohen lojtarëve për autografe apo selfie.

Përveç eskortës, një kordon i përhershëm policësh i detyron tifozët të qëndrojnë të paktën 250 metra larg skuadrës dhe praktikisht i ndalon shumë përpara qendrës sportive. Rigoroziteti dhe intoleranca e njohur e policisë së Kansas City kanë krijuar një atmosferë gjithçka tjetër veçse të qetë. Argjentina mbërrin një herë në ditë në Compass Minerals dhe për çdo transferim ndiqet i njëjti protokoll i hekurt sigurie.

Por edhe në Origin Hotel, ku qëndrojnë futbollistët, ekziston një perimetër sigurie i pakalueshëm. Prania e vazhdueshme e policisë e mban të gjithë zonën nën mbikëqyrje, pa i lejuar askujt të afrohet. Logjika e operacionit është e njëjtë në të dy vendet: krijimi i një perimetri që izolon plotësisht ekipin nga çdo situatë apo e papritur, në një flluskë totale që do ta çojë Argjentinën drejtpërdrejt deri më 14 qershor, kur në Kansas City Stadium do të debutojë kundër Algjerisë.

Të këshilluara

ide

Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë

13:42 Andi Bushati

Reforma territoriale dhe profecia e romakut Tacitus

Sipas informacioneve të dala, ajo synon rishikimin e hartës aktuale me 61 bashki, duke shkrirë 10 deri në 14 bashki të vogla, me qëllim që numri i tyre, për zgjedhjet vendore të vitit 2027, të mos jetë më tepër se 50 bashk

11:29 Ferdinand Dervishi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

93.69

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI