Flash

Dita e të vërtetës në Budapest: Shqipëria për dy rezultate ndaj Bjellorusisë, edhe barazimi na mban në krye

Në Budapest, përballë Bjellorusisë, Shqipëria ka mundësinë të kurorëzojnë rrugëtimin në grupin C1 me vendin e parë dhe të sigurojnë ngjitjen në Ligën B.

Lapsi.al 15 November 2026

Dita e të vërtetës në Budapest: Shqipëria për dy

Kuqezinjtë luajnë sot një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Nations League. Në Budapest, përballë Bjellorusisë, Shqipëria ka mundësinë të kurorëzojnë rrugëtimin në grupin C1 me vendin e parë dhe të sigurojnë ngjitjen në Ligën B. Për skuadrën shqiptare, objektivi është i qartë: mjafton të mos humbasë për të ruajtur kreun, por ambicia është që këtë mision ta përmbyllë me tri pikë.

Përballja do të nisë në orën 18:00 dhe vjen në një moment kur Shqipëria ka në duart e saj fatin e këtij grupi. Avantazhi në renditje i jep mundësinë të mos jetë e detyruar të fitojë me çdo kusht, por në kampin kuqezi nuk ka dëshirë për të bërë llogari. Synimi është një tjetër paraqitje bindëse, që do t'i jepte fund kompeticionit në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kreu kalon nga Budapesti, barazimi mjafton, por objektivi është fitorja

Shqipëria udhëton drejt kësaj sfide me një pozicion të favorshëm në grupin C1. Një barazim kundër Bjellorusisë do të ishte i mjaftueshëm për të mbajtur vendin e parë dhe për të realizuar objektivin kryesor të këtij edicioni. Megjithatë, një qasje e tillë nuk pritet të jetë në planet e kuqezinjve, të cilët kërkojnë ta mbyllin me sukses këtë rrugëtim.

Një fitore do të kishte vlerë të dyfishtë. Përveç sigurimit të kreut me autoritet, tri pikët do të ndikonin pozitivisht edhe në renditjen e FIFA-s, një aspekt që ka rëndësi për pozicionimin ndërkombëtar të përfaqësueses shqiptare.

Pas përgatitjeve të nisura në Tiranë, skuadra udhëtoi drejt kryeqytetit hungarez, ku zhvilloi edhe seancën përfundimtare në prag të kësaj përballjeje. Atmosfera në kampin kuqezi është e përqendruar te objektivi, pasi 90 minutat e sotme mund të përcaktojnë suksesin e gjithë fushatës në Ligën e Kombeve.

Muçi dhe Ramadani, dy mungesa të rëndësishme për kuqezinjtë

Shqipëria nuk do të jetë në Budapest me grupin e plotë. Ernest Muçi është mungesa më e rëndësishme për shkak të shqetësimeve fizike të shfaqura pas ndeshjes me Finlandën. Fantazisti nuk ka marrë miratimin e stafit mjekësor për të luajtur dhe do ta ndjekë takimin nga tribuna.

Një tjetër mungesë është ajo e Ylber Ramadanit, i cili nuk mund të aktivizohet për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve. Bëhet fjalë për dy futbollistë me peshë në strukturën e skuadrës, mungesa e të cilëve i imponon stafit teknik ndryshime në zgjedhjet për këtë takim.

Megjithatë, Shqipëria ka alternativa për të përballuar situatën dhe për të ruajtur ekuilibrat e lojës. Në një ndeshje ku rëndësia e rezultatit është maksimale, do të jetë vendimtare edhe përgjigjja e lojtarëve që do të marrin më shumë përgjegjësi në fushë.

Historia përballë Bjellorusisë, tri fitore radhazi dhe asnjë hap fals

E kështu, në vigjilje të ndeshjes së fundit në këtë Nations League, le të shohim edhe historinë e përballjes me Bjellorusinë ndër vite. Janë katër fitore, dy barazime e dy humbje, por në 16 vitet e fundit nuk kemi njohur asnjë rezultat negativ përballë tyre, për 5 takime rradhazi. 

Në 8 ndeshje, 4 janë fitoret e kuqezinjve dhe 2 të bjellorusëve, me dy takime që janë ndarë në paqe. Në dukje, një historik që tregon rritjen e Shqipërisë, nga ai 2-2 në 2 shtator 2006 në Minsk, kur dy formacionet u vunë për herë të parë përballë. Pikërisht në ato kualifikuese europiani erdhi edhe humbja e parë për skuadrën që drejtohej nga Otto Baric. Suksesi i parë i kuqezinjve është ai në 26 mars 2011 kur mposhtën 1-0 bjellorusët në Tiranë, pasi kishim humbur në të njëjtën fushatë për europianin 2012, 2-0 në transfertë.

Nga kjo datë, Shqipëria nuk njeh më humbje përballë Bjellorusisë në pesë ndeshje radhazi, me katër fitore dhe një barazim. Tre sukseset e fundit kanë qenë ato të vitit 2020, nën drejtimin e Edi Rejas, 0-2 në Minsk dhe 3-2 në Arenën Kombëtare dhe debutimi i Rolando Maran në shtator të këtij viti. 

HISTORIKU I NDESHJEVE ME BJELLORUSINË

2 shtator 2006 Bjellorusi-Shqipëri 2-2 Kualifikuese europiani

17 nentor 2007 Shqipëri-Bjellorusi 2-4 Kualifikuese europiani

12 tetor 2010 Bjellorusi-Shqipëri 2-0 Kualifikuese europiani

26 mars 2011 Shqipëri-Bjellorusi 1-0 Kualifikuese Europiani

15 nentor 2013 Bjellorusi-Shqipëri 0-0 Miqësore

4 shtator 2020 Bjellorusi-Shqipëri 0-2 Nations League

18 nentor 2020 Shqipëri-Bjellorusi 3-2 Nations league

26 shtator 2026 Shqipëri-Bjellorusi 2-0 Nations League

Totali: 4 fitore 2 barazime 2 humbje

Bilanci i pastër në tri ndeshjet e fundit është një tregues pozitiv, por jo një garanci për suksesin e radhës. Përballja e Budapestit ka specifikat e saj dhe Shqipëria duhet të tregojë në fushë të njëjtin nivel përqendrimi që ka karakterizuar ndeshjet e mëparshme.

Një fitore për ta mbyllur me autoritet dhe për të parë përpara

Përtej rëndësisë së pikëve, sfida me Bjellorusinë përfaqëson një mundësi për Shqipërinë që të konfirmojë progresin e bërë dhe të përfundojë me sukses një tjetër etapë në arenën ndërkombëtare.

Kreu i grupit C1 dhe kalimi në Ligën B janë objektivat kryesorë, ndërsa përmirësimi i pozicionit në renditjen e FIFA-s përbën një motiv shtesë. Kuqezinjtë kanë avantazhin e rezultateve dhe të historisë në përballjet direkte, por prova përfundimtare do të jepet në fushën e lojës.

Në Budapest, Shqipëria ka dy rrugë për të siguruar objektivin: fitoren ose barazimin. Megjithatë, mes këtyre dy mundësive, dëshira e skuadrës është të zgjedhë triumfin dhe ta mbyllë fushatën në Ligën e Kombeve me një tjetër rezultat pozitiv.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

90.71

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI