
Policia e Fierit ka finalizuar me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Hijet e Natës”, duke bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e tre automjeteve të vjedhura, si dhe të sendeve të tjera që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e vjedhjeve.
Në vijim të hetimeve intensive dhe kontrolleve të ushtruara në terren, strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë lokalizuar automjetet në zonën e Fushë-Mamurrasit, në Kurbin, dhe në Borizanë, Krujë.
Sipas policisë, dy prej automjeteve janë vjedhur më 13 nëntor 2026, në Mallakastër, ndërsa automjeti i tretë është vjedhur më 13 shtator 2026, në Divjakë. Nga hetimet paraprake dyshohet se automjetet do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve kriminale.
Faza e dytë e operacionit vjen pas rezultateve të fazës së parë, gjatë së cilës u zbardhën pesë raste të vjedhjes së automjeteve. Në atë fazë, policia vuri në pranga një nga autorët e dyshuar, ndërsa shpalli në kërkim dy persona të tjerë, të dyshuar si pjesë e kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë kontrolleve të fundit u sekuestruan edhe sende të tjera me interes për hetimin, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët për realizimin e vjedhjeve.
Ndërkohë, strukturat e DVP Fier vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe kapjen e dy të dyshuarve të shpallur në kërkim.