Flash

Asambleja e ortakëve të VIA: Kredia e Delphos, asnjë efekt mbi aeroportin e Vlorës!

Lapsi.al 19 June 2026

Në përpjekje për t'i dhënë fund një nga çështjeve të ngritura si shqetësim nga Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Asambleja e Përgjithshme e Ortakëve të shoqërisë “Vlora International Airport, VIA ka deklaruar publikisht se kompania koncesionare e Aeroportit të Vlorës “nuk do të aderojë, nuk do të bëhet palë, nuk do të bëhet huamarrëse, garantuese apo dhënëse sigurie në marrëveshjen e financimit Delphos”.

Vendimi i referohet kredisë që ka marrë kompania zviceriane MABCO, që disponon 98% të investimit në aeroportin e Vlorës dhe për të cilën, Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi kishte dyshime në lidhje me detyrimet që i ngarkohen shoqërisë koncesionare të Aeroportit.

Për më tepër, Asambleja ka vendosur se kjo politikë “do të mbetet në fuqi në mënyrë të parevokueshme”, pavarësisht nga çdo mbledhje e ardhshme e ortakëve.

Ky pozicionim vjen pas shqetësimeve të ngritura pak kohë më parë nga Ministria e Infrastrukturës, e cila ka argumentuar se amendimet e marrëveshjes së financimit Delphos mund të krijonin detyrime që do të cenonin interesat e VIA-s ose kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës.

Pikërisht për t’iu përgjigjur këtyre pretendimeve, Asambleja thekson se vendimi “nuk përbën pranim se marrëveshja Delphos ka cenuar, cenon ose mund të cenojë VIA-në, Kontratën e Koncesionit apo të drejtat e Autoritetit Kontraktor”, por se ai merret “vetëm për eliminimin e çdo dyshimi institucional dhe për mbrojtjen e interesit të shoqërisë”.

Por garancia për kredinë Delphos është vetëm një pjesë e vendimit. Në të njëjtën mbledhje, Asambleja e Ortakëve kufizon në mënyrë të ndjeshme kompetencat e administratorit aktual, i ndalon atij të pengojë hyrjen e MABCO-s dhe nënkontraktorëve në kantier, kërkon rivendosjen e menjëhershme të aksesit në punime dhe urdhëron kryerjen e një auditimi të pavarur mbi gjendjen financiare dhe teknike të projektit.

Në këtë mënyrë, përveçse një garanci për Ministrinë lidhur me Delphos, vendimi përbën edhe një hap para në betejën për kontrollin dhe vijimin e projektit të Aeroportit të Vlorës.

NJOFTIM PUBLIK I Vendimit të asamblesë së ortakëve të shoqërisë "Vlora International Airport – VIA" sh.p.k.

VIA kurrë nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e marrëveshjes së financimit Delphos.

VIA kurrë nuk do të aderojë dhe nuk do të bëhet palë, nuk do të jetë huamarrëse, garantuese apo dhënëse sigurie në marrëveshjen e financimit Delphos, as nga ky administrator dhe as nga asnjë administrator në të ardhmen.

Asambleja e Përgjithshme e Ortakëve të shoqërisë "Vlora International Airport – VIA" sh.p.k. u mblodh më datë 18.06.2026, në orën 10:00, pranë selisë qendrore të shoqërisë, në përputhje me nenin 83 të ligjit nr. 9901/2008 "Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare" dhe nenin 14.3 të Statutit të Shoqërisë, në praninë e ortakut mazhoritar shoqërisë "Mabco Constructions" S.A. dhe në mungesë të ortakut minoritar shoqërisë "2A Group" sh.p.k., edhe pse ky i fundit kishte marrë dijeni në mënyrë të rregullt për thirrjen e mbledhjes, që prej datës 09.06.2026.

Në përfundim, Asambleja mori vendimet si më poshtë:

1. Shoqëria "Vlora International Airport – VIA" sh.p.k. nuk do të aderojë, nuk do të bëhet palë, nuk do të bëhet huamarrëse, garantuese apo dhënëse sigurie në marrëveshjen e financimit Delphos. Kjo politikë është detyruese për administratorin dhe çdo person që vepron në emër ose për llogari të shoqërisë dhe do të mbetet në fuqi në mënyrë të parevokueshme, pavarësisht nga çdo mbledhje e ardhshme e Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve. Ky vendim nuk përbën pranim se marrëveshja Delphos ka cenuar, cenon ose mund të cenojë VIA-në, Kontratën e Koncesionit apo të drejtat e Autoritetit Kontraktor; ai merret vetëm për eliminimin e çdo dyshimi institucional dhe për mbrojtjen e interesit të shoqërisë.

2. Shoqëria do të ndjekë si objektiv parësor vijimësinë e pandërprerë të punimeve dhe përfundimin e projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për shmangien e vonesave, ndërprerjeve të punimeve, penaliteteve kontraktore dhe çdo pasoje tjetër negative për shoqërinë.

3. Referuar nenit 16.6 të Statutit të Shoqërisë VIA, çdo marrëveshje e re, ose amendim i ndonjë marrëveshje ekzistuese, mund të nënshkruhet nga Administratori vetëm pas miratimit paraprak me shkrim të Asamblesë së Ortakëve.

4. Shoqëria do të sigurojë dhe garantojë aksesin e plotë, efektiv dhe të pandërprerë në kantierin e ndërtimit për ortakët, kontraktorët, nënkontraktorët, furnitorët, konsulentët, punëmarrësit dhe çdo subjekt tjetër të angazhuar në realizimin e projektit, me qëllim përfundimin e punimeve në një kohë sa më të shpejtë.

5. Çdo vendimmarrje tjetër që mund të ndikojë në vijimësinë e punimeve, aksesin në kantier, marrëdhëniet me Autoritetin Kontraktor, ekspozimin e shoqërisë ndaj penaliteteve ose detyrimeve financiare të rëndësishme, do të ushtrohet në përputhje me vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve dhe interesin më të mirë të shoqërisë.

6. Administratori, punëmarrësit dhe çdo person që vepron në emër ose për llogari të shoqërisë janë të detyruar të ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me këto politika dhe të shmangin çdo veprim ose mosveprim që mund të pengojë realizimin e projektit ose të shkaktojë dëm ekonomik, kontraktor ose reputacional ndaj shoqërisë.

7. Asambleja nuk ratifikon, nuk miraton dhe e konsideron në kundërshtim me interesin më të mirë të shoqërisë çdo akt, urdhër, udhëzim apo veprim të mëparshëm të administratorit që ka sjellë ndërprerjen e marrëdhënieve kontraktore me ortakët, kontraktorët ose nënkontraktorët, apo kufizimin e aksesit në kantier, në mungesë të vendimit paraprak të Asamblesë. Për rrjedhojë, Asambleja urdhëron administratorin të ndërpresë dhe revokojë menjëherë zbatimin e këtyre akteve, duke rezervuar të drejtën e shoqërisë dhe ortakëve për të kërkuar dëmshpërblim dhe çdo masë tjetër pranë organeve kompetente.

8. Lejimi i menjëhershëm, efektiv, i dokumentuar dhe i pandërprerë i aksesit të shoqërisë "Mabco Constructions" S.A., degës së saj në Shqipëri, nënkontraktorëve, punëmarrësve, furnitorëve, konsulentëve dhe personave të autorizuar prej tyre në kantier, për qëllime të vijimit të punimeve, verifikimit teknik, inventarizimit të aseteve, mbrojtjes së pajisjeve/materialeve, përmbushjes së detyrimeve kontraktore dhe shmangies së vonesave. Çdo refuzim aksesi duhet të jetë i arsyetuar me shkrim, i bazuar në arsye konkrete sigurie teknike dhe jo në mosmarrëveshjen mes ortakëve, dhe duhet t'i njoftohet menjëherë Asamblesë për miratim.

9. Kryerja e një auditimi të pavarur nga SGS të projektit VIA, përfshirë kontratat me Mabco, 2A Group dhe çdo nënkontraktor; situacionet e punimeve; faturat; pagesat; pretendimet për detyrime të papaguara; përdorimin e fondeve të BKT; gjendjen e pajisjeve/materialeve në kantier; shkallën reale të përfundimit të punimeve; dhe ndikimin e bllokimit të aksesit në vonesa dhe kosto. Administratori detyrohet të vendosë në dispozicion të ortakëve dhe audituesit të pavarur, brenda 48 orëve, të gjithë dokumentacionin teknik, financiar, bankar, kontraktor dhe administrativ të shoqërisë.

10. Vendosen kufizimet e mëposhtme ndaj kompetencave të administratorit:
- ndalohet të kufizojë ose ndalojë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të drejtën e hyrjes dhe aksesit të shoqërisë "Mabco Constructions" S.A., nënkontraktorëve dhe personave të autorizuar prej tyre në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës;
- ndalohet të lëshojë çdo urdhër, udhëzim apo akt që ka si pasojë kufizimin e aksesit të subjekteve të mësipërme; çdo akt i tillë konsiderohet absolutisht i pavlefshëm;
- ndalohet të kalojë, delegojë ose transferojë kompetencat e administrimit te persona të tretë të paemëruar rregullisht nga Asambleja; çdo prokurë ose autorizim i tillë i mëparshëm revokohet nga data e këtij vendimi;
- ndalohet të transferojë pasuri, fonde ose aktive të shoqërisë në favor të ortakëve pa vendim të vlefshëm të Asamblesë;
- ndalohet të lidhë ose ndryshojë kontrata me vlerë mbi 1.000.000 (një milion) lekë pa autorizim paraprak të Asamblesë;
- ndalohet të emërojë përfaqësues ligjorë ose avokatë pa autorizim paraprak të Asamblesë; çdo prokurë e dhënë më parë për këtë qëllim revokohet nga data e këtij vendimi.

Ky njoftim publik bëhet për efekt të nenit 12 të ligjit nr. 9901/2008 "Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare". Sipas pikës 2 të këtij neni, "përfaqësuesit ligjorë mbeten të detyruar ndaj shoqërisë për të zbatuar të gjitha kufizimet e tagrave të përfaqësimit në marrëdhëniet me të tretët, të përcaktuara në statut apo të miratuara nga organet e shoqërisë.".

Vendimmarrjet e mësipërme, duke përfshirë kufizimin absolut të aderimit në marrëveshjen e financimit Delphos dhe kufizimet e tjera të kompetencave të administratorit, përbëjnë kufizime të tilla të miratuara nga organi më i lartë i shoqërisë dhe janë detyruese si ndaj administratorit ashtu edhe ndaj çdo pale të tretë e cila, pas bërjes publike të këtij njoftimi, nuk mund të pretendojë mungesë dijenie. Gjithashtu, referuar pikës 4 të nenit 12, "çdo parregullsi në emërimin e përfaqësuesit ligjor nuk përjashton apo kufizon përgjegjësinë e shoqërisë ndaj palëve të treta", çka do të thotë se shoqëria "Vlora International Airport – VIA" sh.p.k. mbetet subjekt i detyrimeve ligjore dhe kontraktore të saj, ndërkohë që vendimet e kësaj Asambleje janë të vlefshme dhe të detyrueshme pavarësisht nga çdo kontestim eventual i statusit të administratorit aktual.

Ortaku minoritar, administratori i emëruar prej tij, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, AKSHI, Qendra Kombëtare e Biznesit, Policia e Shtetit dhe Policia e Sigurimit Privat janë njoftuar edhe shkresërisht për këto vendimmarrje.

Me respekt,

MABCO Constructions S.A.

 

Të këshilluara

ide

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Media holandeze: Shqipëria mund të ketë manipuluar shpenzimet në mbrojtje

Tre vende të NATO-s, pas rishikimit të të dhënave, rezulton se kanë shpenzuar më pak për mbrojtjen e tyre sesa ishte rënë dakord, thonë burime të NATO-s. Çekia, Sllovenia dhe Shqipëria rezultojnë se nuk e kanë arritur minimumin e dakordësuar vitin e kaluar, ndërkohë që ato në fakt duhet të jenë tashmë duke punuar drejt një buxheti shumë më të lartë të mbrojtjes.

11:00

Me sytë katër

PAPARAZZI