Në një mesazh zanor privat që është bërë publik së fundmi, Justin Baldoni dëgjohet duke komplimentuar Blake Lively, përpara nisjes së konfliktit të tyre ligjor.
Sipas një audio-mesazhi të siguruar nga TMZ dhe publikuar të hënën, regjisori dëgjohet duke komplimentuar aktoren pasi ajo i kishte dërguar fotografi nga provat e kostumeve për rolin e Lily Bloom, në fillim të vitit 2023. “Përshëndetje Blake, shpresoj që prova e kostumeve të ketë shkuar shumë mirë,” dëgjohet të thotë Baldoni. “Faleminderit që më dërgove ato foto, ishte shumë bukur t’i shihja.” Ai shton se reagimi i tij ishte i menjëhershëm kur pa imazhet: “Isha në një mbledhje me drejtuesit e departamenteve dhe, sinqerisht, më kaloi një ndjesi e fortë kur i pashë.” “Dukesh e mrekullueshme. Do të funksionojë shumë mirë.” Publikimi i mesazhit zanor vjen vetëm pak ditë pasi u zbardh një tjetër komunikim privat, ku Blake Lively i referohej Baldonit si “mik”. “Shpresoj të jesh shumë mirë,” i kishte shkruar ajo në shkurt 2023, në lidhje me oraret e xhirimeve të filmit. Aktorja kishte treguar se bashkëshorti i saj, Ryan Reynolds, e kishte inkurajuar të fliste hapur me Baldonin për shqetësimet e saj, duke qenë se mes tyre ekzistonte “besim shumë i madh”. Lively theksonte se po i drejtohej Baldonit “më shumë si mike”, ndërsa përpiqej të balanconte angazhimet profesionale pas lindjes së djalit të saj, Olin, në shkurt 2023. Blake Lively punoi në filmin “Proxy” nga marsi deri në maj 2023, ndërsa xhirimet e “It Ends With Us” u zhvilluan nga maji deri në qershor 2023. Prodhimi rifilloi në janar 2024 pas përfundimit të grevës së skenaristëve. Megjithatë, spekulimet për një përplasje mes dyshes nisën vetëm pas publikimit të filmit në gusht 2024. Në dhjetor 2024, Lively paditi Baldonin, duke e akuzuar për ngacmim seksual, akuza që ai i mohoi kategorikisht. Baldoni ngriti një kundërpadi në janar 2025, por ajo u rrëzua më vonë nga gjykata. Çështja ligjore mes Blake Lively dhe Justin Baldoni ka vijuar të jetë në qendër të vëmendjes mediatike, veçanërisht pas publikimit të komunikimeve private me emra të njohur të Hollywood-it, përfshirë Taylor Swift dhe Ben Affleck. Dy aktorët pritet të përballen zyrtarisht në gjykatë më 18 maj 2026.