Flash

ANALIZA/ "Ballkani Perëndimor, ende në pikë kritike"

Lapsi.al 15 December 2025
ANALIZA/ "Ballkani Perëndimor, ende në pikë kritike"

Ballkani Perëndimor vijon të mbetet në pozicion kritik, pavarësisht reformave dhe progresit që po ndërmerren në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Instituti gjerman, "Aspen”, i cili në qendër të punës së tij ka edhe mbështetjen ndaj vendeve të rajonit ballkanik në rrugën drejt BE-së, theksoi një sërë sfidash në raportin më të fundit: "Ndryshimi strukturor në Ballkanin Perëndimor”. Sipas këtij raporti, "disa vende vijojnë të mbeten prapa, të penguar nga fragmentimi politik, mangësitë në qeverisje ose agjendat e ngecura të reformave”.

"Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor përballen me një model të vazhdueshëm në të cilin, sundimi i dobët i ligjit, institucionet e politizuara shtetërore dhe kapaciteti i kufizuar administrativ dëmtojnë zbatimin e politikave dhe ‘gërryejnë' besimin e publikut” – thuhet në raport.

Këtij modeli, sipas raportit, i bashkëngjiten edhe "fushatat e vazhdueshme të dezinformimit, që burojnë si nga aktorë vendas që kërkojnë avantazh politik afatshkurtër, ashtu edhe nga aktorë të jashtëm që synojnë të dobësojnë qëndrueshmërinë demokratike dhe të zbehin mbështetjen për harmonizimin me BE-në".

"Ikja e trurit”

Të rinj të ulur në stol në sheshin "Skënderbej" në Tiranë, me telefona në duar

"Popullsia e rajonit po tkurret dhe të talentuarit po lëvizin gjithnjë e më shumë”. Kështu e përshkruan dukurinë e "largimit të trurit” nga rajoni raporti më i fundit i Institutit Aspen. Lëvizjet demografike shihen me shqetësim, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në modernizimin e ekonomisë, së cilës në rajon i mungojnë njerëzit e për rrjedhojë aftësitë e tyre, përshtatshmëria dhe një e ardhme e qëndrueshme.

"Ai që dikur shihej si emigrim i përkohshëm, është bërë problem strukturor, sepse të rinjtë dhe punëtorët e kualifikuar largohen në kërkim të mundësive, teksa popullsia në plakje dhe pjesëmarrja e ulët në tregun e punës dëmton fuqinë punëtore vendase” – thuhet në raport.

Të gjashta shtetet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina qëndrojnë shumë poshtë standardeve të BE-së në grup-kapitullin e "Aftësive”, duke reflektuar mospërputhje të vazhdueshme mes rezultateve në arsim dhe nevojave të tregut të punës.

"Në të gjithë rajonin, punëdhënësit raportojnë mangësi të punëtorëve të kualifikuar edhe pse niveli arsimor rritet” – mendojnë ekspertët e "Aspen”. Pagat e ulëta, krahasuar me vendet e BE-së, mundësia e kufizuar për të bërë karrierë dhe qasja në tregun europian të punës, janë ndër faktorët më të rëndësishëm. Rikthimet e të kualifikuarve që ikin, janë tepër të kufizuara.

Shqipëria, "boshllëqe në sigurinë kibernetike”

Në procesin drejt anëtarësimit në BE, Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen si kryesuesit e rajonit, për shkak të reformave të ndërmarra. Një ndër fushat ku theksohet ndërmarrja e hapave konkrete nga ana e Shqipërisë është modernizimi i infrastrukturës digjitale, përmes platformave si e-Albania, e cila sipas raportit, i centralizon shërbimet publike.

"Megjithatë dobësitë kibernetike janë të mprehta, siç u tregua në rastet e sulmeve kibernetike të vitit 2022, raste që iu atribuan Iranit, të cilat dëmtuan sistemet shtetërore dhe nxorrën në pah boshllëqet në mbrojtjen e të dhënave”.

Raporti përmend miratimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2020-2025, dhe përafrimin me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave.

"Megjithatë, sfidat vazhdojnë në aspektin e lirisë së medias, presionit politik mbi gazetarët dhe pavarësisë institucionale të Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave. Mbështetja e BE-së dhe bashkëpunimi kibernetik me NATO-n kanë përmirësuar gatishmërinë digjitale të Shqipërisë, por nevojat për ndërtimin e kapaciteteve mbeten të larta”.

Serbia, pengesa madhore për anëtarësimin e Kosovës

Sipas Institutit "Aspen”, Kosova konsiderohet kandidat potencial për anëtarësim nga Bashkimi Europian. Por edhe pse ka bërë progres në disa fusha, vendi përballet ende me pengesa madhore, ku peshën më të madhe e zë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. I njëjti argument vlen edhe për Serbinë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidenti serb Aleksandar Vuciq dhe ish-ndërmjetësit europianë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke biseduar në tryezë.

"Serbia ka nisur negociatat për anëtarësimin në BE që prej vitit 2014, por përparimi mbetet i kufizuar, me shqetësime mbi reformën e sundimit të ligjit, lirinë e medias, harmonizimin e politikës së jashtme dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të cilat vijojnë të ngadalësojnë ritmin e negociatave" – theksohet në raport.

Sfidat e brendshme dhe të jashtme të BE-së

Nga ana e tij, zgjerimi në Bashkimin Europian gjendet mes udhëkryqit të situatës gjeostrategjike që ka krijuar pushtimi rus në Ukrainë dhe skepticizmit të brendshëm nëse shtetet e reja do të përshtaten siç duhet me rregullat e Unionit.

"Ndërsa disa shtete anëtare e shohin konsolidimin institucional si parakusht për pranimin e vendeve të reja anëtare, të tjera vende argumentojnë se procesi i zgjerimit në vetvete mund të veprojë si katalizator për modernizimin institucional. Si pasojë, BE-ja është përpjekur që qëllimin strategjik të saj ta përkthejë në një proces tërësisht të parashikueshëm". /DW

Të këshilluara

ide

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

Ata që shohin vjedhjen e Agron Shehajt nga koteci i Edi Ramës

Çmenduri të tilla, kur një pushtet prek fundin, janë të njohura. Grupe armiqësore, gazetarë puçistë, elementë të rekrutuar nga shtete armiqësore etj, historia jonë politike ka me shumicë, por vetëm Edi Rama ia ka dalë që në 10 vitet e fundit t’i njehsojë, gati- gati të duken si një fytyrë e vetme të gjithë ata që i shërbejnë.

16:41 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

93.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI