Të dielën në mbrëmje në programin “Kush do të bëhet milioner” të drejtuar nga Gerry Scotti në Canale 5 ndodhi diçka e rrallë. Pensionistja Vittoria Licari fitoi 1 milion euro. Kjo ishte hera e pestë në 1 692 episodet e kuizit që arrihet deri në çmimin final.
69-vjeçarja ka punuar duke dhënë mësim në konservatorë të ndryshëm dhe tani jep mësime private kantoje. Edhe pse ka fituar çmimin e madh thotë se nuk do të ndalet së punuari, por me ato para do të jetë në gjendje të kujdeset për burrin e saj. Më poshtë intervista për Corriere Della Sera.
Si ndihesh me 1 milion euro në llogarinë tënde bankare?
"Shumë e relaksuar. Le të themi se e kam pastruar mendjen time. Mund të përqendrohem përsëri në gjërat pozitive pa pasur nevojë të shqetësohem vazhdimisht për problemet financiare."
"Shumë vite më vonë. Përballë skuadrës së pushkatimit...” Cili roman fillon kështu?" Kjo ishte pyetja e fundit e kuicit. E dinit apo e goditët njërën nga 4 përgjigjet e sugjeruara?
"Më duhej të mendoja për të. Kisha lexuar "Murtaja" dhe "Krim dhe ndëshkim". Kam parë filmin "Doktor Zhivago", por nuk kisha absolutisht asnjë ide se për çfarë bëhej fjalë në romanin "Njëqind vjet vetmi". Nuk e kisha lexuar kurrë. Kështu që arrita tek ai përmes arsyetimit dhe një procesi eliminimi. Përgjigjja e saktë mund të ishte vetëm romani i Gabriel García Márquez."
Nga 10 pyetjet që ju çuan te 1 milion, cila ishte më e vështira?
Kishte dy në veçanti që më vështirësuan. Kur Gerry Scotti më pyeti se cila ishte pjesa më perëndimore e Evropës, isha e pasigurt midis Spanjës dhe Portugalisë. Kështu që kërkova ndihmën e 50:50, e cila eliminon dy përgjigje të pasakta. Në atë pikë, shkova direkt te Portugalia.
Po tjetra?
Pyetja në lidhje me “Non Stop”, emisionin televiziv nga fundi i viteve '70. Mund ta kisha dhënë përgjigjen, por nuk isha e sigurt, kështu që preferova të përdorja ndihmën e “Switch”, e cila të lejon të ndryshosh plotësisht një pyetje.
Ti përdore gjithashtu edhe ndihmën e tretë "Pyet ekspertin tënd", në rastin tuaj, shoqen që të shoqëronte në emision.
Ishte logjike që fraza për mundësinë e "udhëtimit duke qëndruar gjithmonë në shtëpi" ishte nga Salgari, por unë preferova të kërkoja ndihmë. Ishte gjithashtu një mënyrë për ta prezantuar më mirë shoqen time.
A do t'i bësh asaj një dhuratë?
"Do të shkojmë në një udhëtim së bashku, por nuk e dimë ende se ku sepse ajo ka qenë kudo."
Çfarë dhurate do t'i bësh vetes?
"Më pëlqen të udhëtoj. Doja të bëja një udhëtim me anije rreth botës, por nuk kam gjetur asnjë rrugë që më pëlqen. Në maj, do të shkoj në Berlin, ku nuk kam qenë kurrë më parë. Dua të shoh një koncert të bukur nga Filarmonia e Berlinit."
Thatë se keni sqaruar me veten tuaj shumë gjëra: për çfarë po flisnit?
"5 vjet më parë, im shoq - i cili është shumë më i madh se unë - pësoi një krizë nervore. Ai vuan nga demenca. Është afazik, por është mirë ta kesh në shtëpi. Është një prani e ngrohtë, por ka nevojë për kujdes 24 orësh. Një familje bashkëpunëtorësh peruanë na ndihmon dhe padyshim që kjo ka një kosto. Kështu që kam gjetur burime që nuk i kisha më parë."
A do të shfaqen të afërm të papritur tani?
"Nuk ka një rrezik të tillë. Familja ime është shumë më e vogël tani. Kam disa kushërinj në Liguria, por jemi në marrëdhënie të shkëlqyer me ta."
Përveç familjes suaj, kë njoftuat të parët?
"Menaxherin e bankës dhe kontabilistin."
Çfarë do të kishe bërë me këtë 1 milion euro nëse do ta kishe fituar në moshën 20 vjeçe?
"Do të doja të mos kishte ndodhur. Nuk do të kisha pasur pjekurinë dhe mendimin kritik për të përballuar një shumë kaq të madhe. Është më e vështirë të rrëmbehesh tani. Kjo ishte koha e duhur, pikërisht tani kur kam vërtet nevojë për to."
“Në fillim të një korriku jashtëzakonisht të nxehtë, drejt mbrëmjes, një i ri zbriti në rrugë nga dhoma e vogël që kishte marrë me qira". Kujt libri i përket kjo frazë nga tre të tjerët që janë ende në lojë?
"Do të thoja “Krim dhe Ndëshkim”.
Mirë. Përgjigje e saktë, por këtë herë falas. ©LAPSI.al