Tifozët e Anglisë janë tërbuar nga sjellja e pazakontë e Jude Bellingham në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Ylli i Real Madridit ishte titullar në këtë sfidë. “The Sun” shkruan se ai e pati të vështirë të linte shenjë në ndeshje gjatë pjesës së parë edhe pse bëri disa pasime të mira në mesfushë.
“Në pushimin e pjesës së parë ai ndërmori hapin e pazakontë të shkëmbimit të fanellave me yllin e Shqipërisë Kristjan Asllani. Numri 8 i Shqipërisë mezi priste të merrte fanellën e Bellingham dhe kërkoi një shkëmbim fanellash sapo gjyqtari i ra bilbilit për pushimin e pjesës së parë” – shkruan “The Sun”.

Tifozët u habitën nga ky gjest pasi e konsiderojnë fyes shkëmbimin e fanellave pa mbaruar ndeshja sepse duket sikur për lojtarët nuk ka rëndësi rezultati. “The Sun” citon disa prej komenteve të tyre në rrjetet sociale. "Bellingham shkëmbeu fanellën në pushimin e pjesës së parë???? Bëjeni në fund të ndeshjes! Ndalojeni këtë budallallëk!" – shkroi një komentues.
Një tjetër shtoi: "Bellingham dhe një lojtar shqiptar po shkëmbejnë fanellat në pushimin e pjesës së parë në një ndeshje kualifikuese (e di që është një ndeshje pa vlerë). Të paktën prisni deri në fund të ndeshjes".
"Bellingham po shkëmben fanellat në pushimin e pjesës së parë... Ndeshja paska mbaruar" - shkroi një i tretë, citon lapsi.al. Një tjetër komentoi: “Bellingham ndërroi fanellat në pushim. Hiqni dorë nga kjo.”

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel u pyet për “incidentin e veçantë” pas përfundimit të ndeshjes, ku “Tre Luanët” u larguan nga Shqipëria me një fitore 2-0.
“Është diçka që ndodh tani. Nuk më pëlqen dhe aq shumë, jam pak i vjetër dhe mendoj se nuk do t’i jepja kurrë përshtypjen në pushim një kundërshtari se dua të kem fanellën e tij. Por mendoj se duhet të pranojmë kohët e reja” – tha Tuchel.
Bellingham, 22 vjeç, po luante ndeshjen e tij të parë me Anglinë që nga qershori, pasi ishte lënë jashtë skuadrës. Ai humbi ndeshjet e shtatorit kundër Andorrës dhe Serbisë për shkak të një dëmtimi në shpatull.
Lënia jashtë e Bellingham nga skuadra muajin e kaluar shkaktoi thashetheme për një përçarje të tij dhe Tuchel pasi ky i fundit i përshkroi disa nga sjelljet e Bellingham në fushë si “të neveritshme”. ©LAPSI.al