Flash

Analiza/ Samiti me Trump, më vendimtar se lufta për Putinin

Lapsi.al 7 August 2025
Analiza/ Samiti me Trump, më vendimtar se lufta për Putinin

Presidenti rus Vladimir Putin ka kohë që dëshiron një takim me Donald Trumpin. Arsyeja? Ai beson se një bisedë direkte me ish-presidentin amerikan, më shumë sesa përparimi në frontin e luftës, është shansi i tij më i mirë për të arritur një “fitore” në luftën në Ukrainë.

Analistë që e njohin nga afër Putinin thonë se qëllimi i tij kryesor nuk është domosdoshmërisht marrja e një territori të caktuar, por arritja e një marrëveshjeje që garanton objektivat e tij gjeopolitikë, përfshirë mbajtjen e Ukrainës jashtë NATO-s dhe ndaljen e zgjerimit të mëtejshëm të aleancës. Dhe sipas tyre, është pikërisht presidenti i SHBA-së ai që mund të japë më shumë në këtë drejtim.

“Putini kërkon ta mbajë Trump-in si një aset në një tranzicion të mundshëm drejt paqes,” thotë Sergei Markov, një analist pro-Kremlinit. “Trump është i nevojshëm për të përmbushur kushtet e Rusisë.” 

Pikërisht për këtë arsye, Putin ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për një samit. “Është më mirë të takohemi,” tha ai për Trump në janar, “dhe, mbi bazën e realitetit të sotëm, të flasim qetësisht për të gjitha çështjet me interes për SHBA-në dhe Rusinë.” 

Pas një takimi në Moskë midis emisarit të Trump, Steve Witkoff, dhe Putin-it, Kremlini konfirmoi të enjten në mëngjes se një takim mes dy liderëve pritet të zhvillohet në ditët në vijim, megjithëse nuk është caktuar ende një datë zyrtare. Zyrtarë rusë dhe amerikanë sugjeruan se samiti mund të ndodhë që javën e ardhshme.

Lexo më tej: Pas dyerve të mbyllura: Çfarë po bisedon njeriu i Trump me Kremlinin? 

Sipas burimeve europiane, Trump ka njoftuar se fillimisht do të takohet vetëm me Putin-in, dhe më pas do të përpiqet të organizojë një takim të përbashkët me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski. Por Moska nuk ka pranuar ende një format të tillë.

“Kjo u përmend vetëm si ide nga përfaqësuesi amerikan gjatë bisedës në Kremlin,” tha Yuri Ushakov, këshilltar i Putinit për politikën e jashtme. Ai shtoi se ideja nuk ishte diskutuar në mënyrë konkrete dhe Kremlini “nuk ka koment” mbi një samit trepalësh.

Vetë Putin nuk e përjashtoi një takim me Zelenskinn, por theksoi se “duhen përmbushur disa kushte” përpara se të ndodhë një gjë e tillë. “Fatkeqësisht, për momentin jemi larg këtyre kushteve,” deklaroi ai.

Nuk është ende e qartë nëse Trump ka vendosur një kusht që takimi me Putin-in të pasohet nga një bisedë me Zelenskin.

Presidenti ukrainas u shpreh në një postim në platformën X: “Ukraina nuk ka frikë nga takimet dhe pret të njëjtin guxim nga pala ruse. Është koha të përfundojmë luftën. Faleminderit të gjithëve që ndihmojnë.” 

Që nga janari, administrata Trump kishte ngurruar të pranojë një samit me Putin-in, duke pritur sinjale nga Moska për gatishmëri reale për një armëpushim. Por vendimi i papritur për të pranuar një takim ka ngritur pikëpyetje mbi atë që është diskutuar në takimin Witkoff–Putin.

Zyrtarisht nuk dihet çfarë është thënë në takim, por Kremlini ka përmendur se janë dhënë “sinjale” mbi Ukrainën. Një mundësi është që Putin të ketë treguar më shumë fleksibilitet mbi çështjen e territorit që mund të ndahet apo shkëmbehet në një marrëveshje të mundshme.

Lexo më tej: Kujtim nga ferri: I mbijetova një bombe atomike. T’i japim fund kërcënimit bërthamor 

Për momentin, vëmendja është përqendruar tek samiti Putin-Trump dhe ndikimi që mund të ketë në rrjedhën e luftës, por edhe në pozicionimin e SHBA-së ndaj aleatëve të saj në Europë.

Për muaj me radhë, përfaqësuesit rusë në bisedime me SHBA-në kanë këmbëngulur që Rusia të marrë tërësisht kontrollin mbi katër rajonet ukrainase që Kremlini pretendoi se i kishte “aneksuar” në fund të vitit 2022, edhe pse pjesë të mëdha të këtyre territoreve vazhdojnë të qëndrojnë nën kontrollin e forcave ukrainase. Për negociatorët amerikanë, ky qëndrim konsiderohet si i paarsyeshëm dhe një shenjë se Moska nuk është serioze për t’i dhënë fund luftës përmes dialogut.

Sipas disa analistëve, presidenti Vladimir Putin u ka dhënë udhëzime negociatorëve rusë që të mbajnë qëndrimin më të ashpër të mundshëm, në mënyrë që të detyrojnë organizimin e një takimi të drejtpërdrejtë mes tij dhe Donald Trump-it. Kremlini llogarit se një samit mes dy liderëve mund t’i japë Putinit mundësinë të bindë Trump-in, i cili ka treguar simpati për Rusinë edhe gjatë mandatit të tij, që të përqafojë narrativën ruse për “shkaqet e vërteta të konfliktit”. 

Sipas burimeve pranë Kremlinit, kërkesat e Putinit nuk kanë të bëjnë vetëm me territoret. Ato janë më shumë strategjike: përjashtimi i Ukrainës nga NATO, kufizimi i kapaciteteve ushtarake të saj dhe krijimi i një qeverie më pro-ruse në Kiev. “Për Putinin, më e rëndësishme se territori është NATO dhe garancitë e hekurt që Ukraina nuk do të bëhet pjesë e saj, dhe që vendet e NATO-s nuk do të ndërtojnë prezencë ushtarake brenda Ukrainës,” tha Tatiana Stanovaya, eksperte në Carnegie Moscow Eurasia Center. Sipas saj, çështjet e tjera mund të jenë të negociueshme.

Fakti që Rusia nuk ka përcaktuar kurrë zyrtarisht kufijtë e katër rajoneve të “aneksuara” nënkupton se mund të ketë fleksibilitet për territorin. Ka spekulime se Moska mund të jetë e gatshme të shkëmbejë zona që kontrollon në rajonet Kharkiv dhe Sumy, që nuk janë “aneksuar”, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje. Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 1,719 kilometra katrorë në këto dy rajone.

Megjithatë, Stanovaya thotë se Putin nuk vepron sipas një plani të detajuar. “E di se çfarë dëshiron në fund,” thotë ajo. Dhe ajo që kërkon është që Ukraina të mos jetë më një “projekt anti-Rusi”, por të rikthehet në sferën e ndikimit të Moskës, qoftë përmes garancive nga Perëndimi, qoftë përmes kontrollit të brendshëm politik.

Në këtë logjikë, territori është çështje dytësore. Prioritet mbetet strategjia e madhe.

Edhe pse SHBA është përpjekur të rrisë presionin, nuk ka shenja se Putin është gati të heqë dorë nga këto objektiva ambicioze.

Lexo më tej: Trump urdhëroi lëvizjen e nëndetëseve bërthamore/ A është ky një mesazh për Putin 

Në fakt, disa analistë rusë sugjerojnë se vetë ideja e një marrëveshjeje paqeje në këtë moment, kur Rusia ka përparuar në terren, do të përbënte një lloj koncesioni nga ana e Kremlinit. “Ne mund të luftojmë dhe pak, të presim disa muaj dhe të marrim më shumë rezultate në front,” tha Feodor Voitolovsky, drejtor i Institutit për Ekonominë Botërore dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, një think-tank i financuar nga qeveria ruse.

Gjithsesi, edhe pse ofensiva verore ruse ka sjellë disa fitore, ushtria e Putinit është ende larg marrjes së plotë të rajoneve të pretenduara si “të aneksuara”.

Sipas Stanovaya-s, Putin do të preferonte që presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski të dorëzohej nën presionin e Trump-it, në mënyrë që lufta të përfundojë pa nevojën për përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak. Por, sipas saj, Kremlini është i gatshëm të vazhdojë me vite, nëse është e nevojshme. “Sigurisht që do të preferonin të mos e bënin këtë. Por nëse është e vetmja mënyrë për të marrë atë që duan, do ta bëjnë,” përfundon ajo.

Përshtatur nga analiza e The New York Times: "For Putin, Trump Summit Is Key to Securing Ukraine Goals", ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI