Tashmë përpjekjet për të vënë në shënjestër zyrtarët kryesorë të administratave të mëparshme duket se po marrin vrull.
Komuniteti i inteligjencës nën drejtimin e Trump është përfshirë në një fushatë për të treguar se Obama dhe ndihmësit e tij kanë kërkuar padrejtësisht të lidhin Trump-in me përpjekjet ruse për të ndikuar në zgjedhjet e 2016-ës në favor të tij, dhe se disa prej zyrtarëve të Obamës, ndoshta edhe vetë Obama, duhet të mbahen përgjegjës penalisht.
John Ratcliffe, drejtori i CIA-s, kreu një shqyrtim tepër kritik ndaj administratës Obama dhe ish-drejtorit të CIA-s, John O. Brennan. Ratcliffe shkroi në rrjetet sociale se shqyrtimi kishte treguar se procesi kishte qenë i korruptuar dhe më pas bëri një kallëzim penal në FBI.
Drejtoresha e inteligjencës kombëtare e Trump-it, Tulsi Gabbard, publikoi një tjetër raport javën e kaluar, duke përfshirë dokumente që, sipas saj, tregonin se kishte pasur një “komplot tradhtie” në vitin 2016 nga administrata Obama për të dëmtuar Trump-in. Të mërkurën, Gabbard publikoi më shumë materiale: një raport të vitit 2017 nga Komiteti i Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, që kritikonte disa elementë të vlerësimit të administratës Obama. Por këto gjetje bien ndesh me një sërë raportesh dypartiake të Senatit, të cilat konfirmuan punën e CIA-s dhe agjencive të tjera të inteligjencës.
Raportet e administratës Trump deri tani nuk kanë sjellë asnjë provë të qartë për shkelje ligji nga Obama apo ndihmësit e tij, por të dielën, Trump postoi një video të rreme të Obamës duke u arrestuar nga agjentë të FBI-së në Zyrën Ovale.
BREAKING OBAMA ARRESTED AT THE WHITEHOUSE OFFERING TRUMP BILLIONS NOT TO TURN HIM INN, TRUMP REFUSED!! pic.twitter.com/4gqnQ2HtHZ
— Thomas Greenberg (@tommyrazorcuts) July 20, 2025
Ende nuk është e qartë nëse edhe një Departament i Drejtësisë i përkulur ndaj Trump-it do të jetë i gatshëm të hapë hetime penale ndaj Obamës apo demokratëve të tjerë të njohur dhe kritikëve të tij, apo nëse do të gjejë baza ligjore për ta bërë këtë. Edhe nëse do të ngriheshin akuza, ndjekja penale do të ishte e vështirë. Obama, si edhe Trump, me shumë gjasë gëzon imunitet për çdo veprim zyrtar gjatë kohës sa ishte në detyrë, bazuar në vendimin historik të Gjykatës së Lartë vitin e kaluar për imunitetin presidencial.
Por Trump duket i vendosur të përdorë qeverinë federale për t’i vënë në shënjestër kundërshtarët e tij politikë, njësoj siç ai vetë është përballur me hetime.
Lexo më tej: Prapaskenat/ “The Hill”: Përplasje Grenell – Rubio mes të besuarve të Donald Trump
I zemëruar nga ajo që ai e cilëson si “gjueti shtrigash”, hetimet dhe procedurat ligjore ndaj tij që nisën me hetimin për zgjedhjet e 2016-ës dhe më pas u kthyen në hetime për pengim të drejtësisë, ai ka lëshuar urdhra ekzekutivë shkatërrues ndaj firmave ligjore që kishin edhe lidhje kalimtare me këto episode. Ky presion ka bërë që shumë prej këtyre firmave të ofrojnë afro një miliard dollarë në punë juridike falas për çështje që ai favorizon.
Duke e parë universitetin si vatër të antisemitizmit dhe liberalizmit “woke” që, sipas tij, e ka kundërshtuar dhe poshtëruar, administrata e tij vendosi ta bëjë shembull Harvard-in. Ai e goditi universitetin me shkurtime masive në fondet për kërkime shkencore, tentoi t’u heqë vizat studentëve të huaj dhe nisi një sërë hetimesh të lodhshme e ndërhyrëse ndaj institucionit.
Harvard është aktualisht në negociata për një marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë, por administrata vazhdoi presionin duke i komunikuar universitetit nisjen e një hetimi të ri të mërkurën.
Ai i është vërsulur edhe atyre që i sheh si “xhepa të Deep State" brenda qeverisë së tij.
Ka kërcënuar edhe organizatat mediatike: ndaloi Associated Press nga grupi i gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, detyroi pronarët e ABC dhe CBS të pranojnë marrëveshje të shtrenjta financiare pas konflikteve për mbulimin e tij, dhe paditi Wall Street Journal për raportimin mbi lidhjet e tij me Jeffrey Epstein.
Por, siç pranojnë edhe mbështetësit e tij, asgjë nuk është më e rëndësishme sesa ta shohë njërin prej armiqve të tij politikë pas hekurave.
“Nëse i thua mbështetësve të tu se Deep State ka kryer krime tradhtie, ndërhyrje zgjedhore, shantazh dhe se një elitë e pasur dhe e ligë po komploton, atëherë duhet t’i shkatërrosh armiqtë e Popullit,” postoi të dielën kongresmenja republikane Marjorie Taylor Greene nga Georgia. “Nëse jo, baza do të të kthehet kundër dhe nuk ka më kthim pas. Prekja me pak mish nuk i mjafton më askujt. Duan gjithë biftekun.”
The New York Times, përshtati në shqip ©LAPSI.AL