Flash

Reportazhi i medias britanike: Pse flamingot po thërrasin "Rama n'burg, Berisha n'burg"

Më 16 maj 2026, në Zvërnec nisi një revolucion, në një fshat të qetë në bregdetin shqiptar, ku Jared Kushner dhe Ivanka Trump planifikonin të ndërtonin një resort luksoz. Ai u përhap në të gjithë vendin, ndërsa shqiptarët shfrynë zhgënjimin e tyre ndaj një klase politike të akuzuar për korrupsion dhe degradimin e demokracisë, të drejtuar nga Edi Rama, kryeministër prej 13 vitesh dhe i preferuari i Bashkimit Evropian. Aris Roussinos vizitoi vendin e trazuar në kulmin e asaj që tashmë po quhet “Revolucioni i Flamingove”, duke folur me aktivistë, drejtues të opozitës dhe madje edhe me vetë kryeministrin e vendit, i cili beson se populli i tij nuk ka qenë kurrë më mirë.

18:48

Gjermania dhe Britania nënshkruajnë pakt të ndërsjellë mbrojtjeje

Lapsi.al 17 July 2025
Gjermania dhe Britania nënshkruajnë pakt të ndërsjellë

Britania dhe Gjermania nënshkruan të enjten një traktat historik të mbrojtjes, duke dhënë dëshmi të mëtejshme se si liderët evropianë po bashkojnë forcat për të përballuar një realitet të ri sigurie, të ndikuar nga politika e jashtme “America First” e Presidentit Trump dhe sulmet e pandalshme të Presidentit Vladimir V. Putin ndaj Ukrainës.

Marrëveshja anglo-gjermane, e nënshkruar nga Kryeministri Keir Starmer dhe Kancelari Friedrich Merz gjatë vizitës së këtij të fundit në Londër, përfshin bashkëpunim në fushën e energjisë, ekonomisë dhe migracionit, përveç mbrojtjes.

Ajo ndërtohet mbi një marrëveshje të arritur në tetor të vitit të kaluar, në bazë të së cilës të dy vendet ranë dakord të bashkëpunojnë për mbrojtje të ndërsjellë, përmes stërvitjeve të përbashkëta ushtarake dhe zhvillimit të armëve të sofistikuara.

Traktati përfshin një zotim të ndërsjellë për të trajtuar çdo sulm ndaj njërës palë si një sulm ndaj tjetrës, duke shpallur se do të “ndihmojnë njëri-tjetrin, përfshirë edhe me mjete ushtarake, në rast të një sulmi të armatosur ndaj njërës palë.” Ky formulim pasqyron atë të përdorur javën e kaluar nga Britania dhe Franca, të cilat ranë dakord të koordinojnë arsenalet e tyre bërthamore në përgjigje të kërcënimeve ndaj aleatëve evropianë.

Z. Merz, një lider i qendrës së djathtë që erdhi në pushtet në maj, është shfaqur shpejt si një figurë kyçe në përpjekjen e Evropës për të ndërtuar një rol më të pavarur në fushën e sigurisë pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë. Z. Starmer, i cili e priti Z. Merz në rezidencën zyrtare në 10 Downing Street, po ashtu ka synuar ta pozicionojë Britaninë si një faktor kryesor në mbështetjen evropiane ndaj Ukrainës në luftën kundër Rusisë.

Gjermania nuk posedon armë bërthamore, por është furnizuesi i tretë më i madh i pajisjeve ushtarake për Ukrainën, pas Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore. Nën drejtimin e Z. Merz, Gjermania ka rënë dakord të rrisë shpenzimet ushtarake në 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2029 – një program riarmatosjeje më ambicioz se çdo tjetër që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Sipas Mark Leonard, drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, Britania dhe Gjermania kanë bërë përparime vitet e fundit në forcimin e marrëdhënieve të sigurisë dhe bashkëpunimit me Francën. Por marrëdhënia britaniko-gjermane ka qenë më e ngadaltë në zhvillim.

“Nënshkrimi i këtij traktati është me të vërtetë një hap i madh përpara,” tha Leonard.

Georgina Wright, studiuese e lartë në Fondin Gjerman Marshall në Paris, tha se traktati ishte, në një aspekt, një “fitore e lehtë” për të dy vendet, pasi Britania dhe Gjermania nuk kishin një kuadër institucional që formalizonte bashkëpunimin e tyre në fushën e mbrojtjes. “Kjo kishte të bënte me mbushjen e një boshllëku shumë të qartë,” tha ajo.

Zyrtarë gjermanë u thanë gazetarëve këtë javë se marrëveshja, që ata e quajnë “kontratë miqësie”, është përpjekja më e fundit për të afruar dy vendet në një kohë shqetësimesh të shtuara për sigurinë dhe për të kapërcyer ndarjet e krijuara nga dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Në një kohë stanjacioni ekonomik në Britani dhe Gjermani, marrëveshja e miqësisë përfshin hapa për forcimin e lidhjeve tregtare, duke filluar nga një partneritet në kërkimin shkencor deri te përmirësimi i lidhjeve hekurudhore. Ajo gjithashtu përfshin disa masa që lidhen me migracionin.

Ndër to përfshihen bashkëpunimi i ri për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore dhe përpjekje më të synuara për të lehtësuar udhëtimet e ndërsjella pas Brexit-it – si kalimi më i shpejtë për shtetasit britanikë në aeroportet gjermane dhe kërkesa më të thjeshtuara për fëmijët gjermanë që vizitojnë Londrën.

Migracioni ishte në qendër të vizitës së Presidentit Emmanuel Macron të Francës në Britani. Ai dhe z. Starmer ranë dakord për një program pilot, i mbiquajtur “një brenda, një jashtë”, sipas të cilit Britania do të rikthente në Francë rreth 50 persona në javë që kishin kaluar Kanalin Anglez në mënyrë të rrezikshme me varka të vogla. Në këmbim, do të pranonte një numër të ngjashëm migrantësh me kërkesa për azil të përpunuara në Britani.

Për arsye protokolli diplomatik, vizita e Z. Merz do të jetë më modeste sesa ajo e Z. Macron, i cili u prit me karrocë me kuaj dhe banket në Kalanë e Windsor-it. Ndryshe nga Z. Macron, Z. Merz nuk është kryetar shteti (Gjermania ka një president kryesisht ceremonial). Z. Starmer është mikpritësi i kancelarit, ndërsa Mbreti Charles III ftoi Macron-in, në shenjë reciprociteti për vizitën e tij shtetërore në Francë në vitin 2023.

Kur Trump të zhvillojë një vizitë shtetërore të rrallë në Britani në mes të shtatorit, ai, njësoj si Macron, do të pritet me gjithë madhështinë dhe ceremonialin përkatës. Më vonë këtë muaj, Trump do të bëjë një vizitë gjysmëprivate në dy klubet e tij të golfit në Skoci. Pritet të takohet me z. Starmer, megjithëse jo me mbretin.

Megjithatë, mungesa e pompozitetit për Z. Merz nuk thotë asgjë për rëndësinë e marrëdhënies mes tij dhe z. Starmer. Të dy janë liderë të qendrës, që qeverisin në sisteme politike të polarizuara.

Të dy janë gjithashtu të rinj në detyrë, që do të thotë se mund të punojnë së bashku për shumë vite. Z. Starmer sapo ka përmbyllur vitin e tij të parë në detyrë; ndërsa Macron ndodhet drejt fundit të presidencës së tij, me zgjedhjet në Francë të planifikuara për vitin 2027./ Përshtatur nga New York Times

Të këshilluara

ide

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

92.85

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI