Gjykata e Fierit i kurseu Ervin Salianjit 2 muaj e gjysëm burg për sjellje të mirë duke e liruar me kusht para se të mbaronte dënimin, por procesi ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike është një nga rastet më flagrante të përdorimit të drejtësisë së re sipas interesave të mazhorancës.
Kërkesa e Salianjit për t'u liruar u mbështet nga një raport pozitiv i burgut të Fierit dhe Shërbimit të Provës, mbështetur edhe nga prokurori i çështjes, raport që i hapi rrugë lirimit me kusht të ish-deputetit që pas kësaj i rikthehet jetës politike në vend, pa pasur mundësi të kandidojë më për deputet.
“Më në fund pati një element minimal drejtësie, për mendimin tim i gjithë procesi është i padrejtë. Ai ishte një dënim politik, por sot arritëm ta shkurtonim në më pak se dy muaj e gjysëm të dënimit të mbetur. Po procedurat janë që duhet të lirohet brenda ditë së sotme, pra lirim të menjëhershëm. Zoti Salianji sqaroi se beteja e tij ka qenë interesi publik" tha avokati pas vendimit gjyqësor.
Burgosja e Ervin Salianjit ishte produkt i një procesi të manipuluar gjykimi ndaj tij, që nisi pas denoncimit publik të trafikantit të drogës Geron Xhafaj, njëkohësisht vëllai i ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.
Dëshmitari i rremë kundër Salianjit
Denoncimi i vitit 2018 u bazua në një investigim të gazetarit Jetmir Olldashi, i ndihmuar nga ish-skafisti Albert Veliu, të cilët pretendonin se kishin përgjuar Geron Xhafajn teksa negocionte kalimin e një sasie droge nga brigjet e Vlorës drejt Italisë.
Pas publikimit të përgjimit, Geron Xhafaj nuk u mbajt për verifikime të mëtejshme në Shqipëri. Vëllai i ish-ministrit të brendshëm u dërgua me urgjencë në Itali ndërsa kampioni i zërit të tij u dërgua për ekspertizë jashtë vendit.
Menjëherë pasi u siguruan për largimin e Geron Xhafajt jashtë vendit, ndaj Ervin Salianjit, Albert Veliut dhe gazetarit Jetmir Olldashi nisi një proces që kishte për synim të inkriminonte denoncuesit e skandalit.
Albert Veliu u arratis jashtë vendit, ndërsa u arrestua më vonë në Kosovë dhe u burgos fillimisht për kalim të paligjshëm të kufirit. Ndëshkimi për Ervin Salianji ishte më i komplikuar. Për procesin ndaj tij u përdor një dëshmitar i rremë si Fredi Alizoti, i instruktuar nën presionin dhe ryshfetet e shefave të policisë në Fier dhe në Tiranë.
Sipas dëshmisë së trukuar të Alizotit, ishte ai vetë që fliste në përgjimin për Geron Xhafajn ndërsa skafistit Albert Veliu, i njohur si Babale i ishin premtuar disa qindra mijëra euro nga Partia Demokratike. Por në përgjimet e telefonatave që publikoi Ervin Salianji doli se Fredi Alizoti ishte një dëshmitar i paguar rregullisht nga shefat e policisë, të cilët jo vetëm i jepnin para, por edhe i bindeshin për transport dhe kërkesa të tjera, në këmbim të dëshmisë që shfajësonte Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Gjykatësit kamikazë
Dënimi i Salianjit nuk do të ishte i mundur pa disa gjykatës kamikazë që u bënë pjesë e procesit. Në shkallën e parë ishte Artan Gjermeni, në Apel ishin Ilbiba Bezat dhe Gentian Shala, gjykatës që u denoncuan nga ish-deputeti për lidhjet me mazhorancën dhe përfitimet që do të kishin nga ndëshkimi i tij.
Për t'u veçuar në arsyetim ishte se Ervin Salianji u dënua për kallëzim të rremë, ndërkohë që ai nuk kishte depozituar asnjë kallëzim në prokurori për çështjen në fjalë.
Salianji vërtet kishte artikuluar akuza të forta publike ndaj Fatmir Xhafajt gjatë kohës që ky ishte Ministër i Brendshëm, por ai nuk i është drejtuar asnjë autoriteti shtetëror me asnjë kallëzim. Nuk ka asnjë dokument të firmosur prej tij, të dorëzuar ndaj një oficeri të policisë gjyqësore apo ndaj një prokurori për këtë çështje.
Për këtë u shpik koncepti i kallëzimit publik, pra faji i tij qëndronte thjesht në faktin se doli në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike.
Presioni politik për dënimin e ish-deputetit të PD
Dënimin e deputetit për kallëzim publik e mbështetën publikisht vetëm dy njerëz; Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj. Për Edi Ramën, Salianji ishte "një fabrikant faktesh të paqena, një mashtrues popullor që ka përdorur mandatin e deputetit të opozitës për të degjeneruar publikisht kundërshtarin politik”.
“Ai vendim është një lajm nga më të mirë që të kam dëgjuar” u shpreh kryeministri Edi Rama kur u pyet në lidhje me vendimin për dënimin me burg të ish-deputetit Ervin Salianji.
Rama shtoi se e dinte që në ditën e parë që rasti në fjalë ishte fabrikim dhe ka pritur 6 vjet që të shohë drejtësinë.
"Po ta kontrolloj unë drejtësinë nuk do zgjaste 6 vjet. Kurrë. Sepse është një krim shumë i rëndë. Është vrasje pa gjak dhe pa të marrë jetën, por duke i marrë shpirtin, duke i marrë trutë e kokës jo një personi sepse në fund të fundit personi i goditur drejtpërdrejt, ministri i Brendshëm, unë që jam këtu, nuk është normale, por prapë i kemi dalë kësaj pune përballë. Por janë nëna. Janë prindër. Janë fëmijë. Janë nipër. Janë mbesa që dëgjojnë këto tmerre dhe llahtarisen njerëzit nga gjithë ky tmerr" u shpreh Rama.
Njeriu tjetër që e mbështeti dënimin ishte Fatmir Xhafaj, sipas të cilit Salianji u bë pjesë e krijimit të provave të rreme për vëllain e tij. "Ky është një shembull i mirë që kur krijon prova të rreme, me qëllim që të filloj një ndjekje penale, me qëllim për të akuzuar dikë duhet të përgjigjesh me kallëzim të rremë. Ka 6 vjet që çfarë nuk dëgjoj për këtë histori, kam të drejtë morale, në emër të familjes sime, mbi të cilës janë hedhur baltë dhe janë vrarë shpirtërisht për fakte të pavërteta.
Dua të bëj një sqarim me interes për publikun. Ervin Salianji nuk është dënuar sepse tha publikisht se vëllai im ka patur një dënim penal, as sepse tha se vëllai nuk është duke e vuajtur atë moment. Por është dënuar se me qëllim ka prodhuar prova të rreme, për iniciuar një proces penal për vëllain tim me synimin për të më goditur mua si politikan dhe si ministër i brendshëm në atë kohë" u shpreh Xhafaj.
Pas dënimit ndaj Ervin Salianjit, dënoncimet publike kufizohen nga një vije e kuqe, që shton rrezikun e burgosjes për denoncuesit, të cilët duhet të llogarisin se mund të përfundojnë në burg, nga një drejtësi e kapur kokë e këmbë nga kjo mazhorancë, njësoj siç ndodhi me Salianjin/Lapsi.al