Pas linçimit politik që i ka bërë Rama dhe partia e tij, Erion Veliajn e la në në burg edhe Gjykata e Lartë, që refuzoi sot kërkesën e tij për zbutjen e masës së arrestit.
Mundësia për zgjedhje të parakohshme në Tiranë, Rama: Nuk i dihet si shkon kjo punë
Pak ditë më parë Rama u tha socialistëve "nuk dihet si do të shkojë kjo punë", duke iu referuar prosesit për masën e arrestit. Paralelisht me këtë parashikim të pashpresë kryeministri shtoi dhe me tej izolimin politik të Lalit, duke caktuar disa nga ministrat e tij të marrin në dorë bashkinë.
Pra sot, Erion Veliaj ka mbetur vetëm formalisht kryetar dhe dhe ky është një sinjal i qartë për gjykatësit se ai nuk ka më mbrojtje politike.
Veliaj e kishte kërkuar prej kohësh në të gjitha shkallët e sistemit zbutjen e masës së arrestit. Madje në bisedat që u publikuan nga përgjimet që i kishte bërë SPAK në qeli, ai dëgjohej të thoshte se shpresat për lirim duheshin pritur nga Gjykata e Lartë.
Andi Bushati: Çfarë tregon për 11 majin, vrasja e superman-it Veliaj
Por trupi gjykues i përbërë nga Medi Bici dhe Sokol Binaj, me relatore të çështjes Albana Boksin, kanë vendosur sot të lenë në fuqi vendimin e Apelit te 13 marsit për ta mbajtur atë në burg si një prishës i mundshëm provash.
Në një thellim që Lapsi.al ka bërë në vendimet që kjo gjykatë ka dhënë me parë, nuk shihej asnjë dritë shprese për Erion Veliajn.
Znj. Boksi, që ka shërbyer më parë në GJKKO, ka qenë prezente edhe në shqyrtimin e masës së arrestit për Ilir Metën, në shkurt 2024, i cili kërkonte lirimin nga burgu me pretendimin se është kryetar partie dhe se një gjë e tillë e pengon në kryerjen e funksionit të tij publik. Edhe gjyqtari tjetër, Medi Bici, mbajti në procesin e Metës qëndrimin se "interesi publik dhe ruajtja e procedurës ligjore qëndron më sipër sesa ndikimi politik".
Po kjo dyshe gjyqtarësh kanë hedhur poshtë edhe kërkesën për të zbutur burgimin me arrest në shtëpi për ish ministrin Lefter Koka.
Në mars- prill 2022 ata nuk i vlerësuan as pretendimet personale dhe as ato politike të ish minisrit të akuzuar në aferën e inceneratorëve, madje shtuan se lirimi i tij mund të shkaktonte përsëritjen e veprave që kishte kryer.
E vetmja shpresë për Lalin para procesit ishte ajo e ndryshimit të precedentëve të tyre nëpërmjet trysnisë mediatiko- politike. Pikërisht për këtë njerëzit e tij të afërt kanë paguar dy studio lobuese ndërkombëtare, atë britanike “Mishcon de Reya LLP” dhe atë amerikane “Kasoëitz LLP”, të cilat publikuan një raport ku pretendojnë se ai po mbahet në burg në mënyrë të padrejtë.
Raporti, i cili niste me një citim të Alistair Campbell – ish-këshilltar për mediat i ish-kryeministrit britanik Tony Blair dhe i atij shqiptar Edi Rama, pretendon se mbajtja në paraburgim e Veliajt shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“SPAK e ka arrestuar kryetarin e Bashkisë Veliaj pa ngritur asnjë akuzë, në kushte që e kanë penguar atë të ushtrojë mandatin si kryetar bashkie dhe të përmbushë detyrimet e tij gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025,” deklaruan Mishcon de Reya LLP dhe Kasoëitz LLP në një njoftim për shtyp.
Por ky lloj presioni njk piu ujë pasi ai nuk u bashkërendua edhe me mbështetje politike. Që kur Veliaj ra në burg ai ngjan se është shitur nga Rama. Leja e Ministrisë së drejtësisë për ta përgjuar në qeli, zhveshja nga çdo kompetencë në bashki duke eleminuar besnikët e ish kryetarit, përjashtimi i gjithë deputetëve pro tij nga një mandat në parlamentin e ri, janë sinjale të qarta.
Rama e harroi shpejt dhe teatrin mbrojtës të ditëve të para dhe duket se e ka braktisur Lalin në fatin e vet. Shprehja e kryeministrit pak ditë më parë (shih linkun lart) "nuk dihet si do shkojë kjo punë", ndoshta ndikoi më shumë në atë që ndodhi këtë të martë edhe sesa vetë precedentët e gjyqtarëve që do të gjykojnë masën e arrestit ndaj tij.
©Lapsi.al