Pas më shumë se dy dekadash aktivitet në zonën naftëmbajtëse më të madhe të Shqipërisë, Patos-Marinzë, kompania Bankers Petroleum Albania Ltd është vendosur më në fund nën hetime. Janë 14 persona të arrestuar dhe të shoqëruar me urdhër të prokurorisë, përfshirë administratorin kinez të kompanisë dhe bashkëpunëtorë të tjerë të dyshuar për mashtrim fiskal, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Hetimi i nisur në dhjetor 2024 nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, dhe i zhvilluar për gjashtë muaj me metoda proaktive ka zyrtarizuar një fakt tashmë të njohur dhe të denoncuar prej vitesh: Bankers Petroleum raportonte humbje të vazhdueshme për çdo vit të operimit të saj nga 2004 deri në 2024. Në terma fiskalë, kjo do të thotë që kompania nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin për dy dekada, ndërkohë që ka përfituar rimbursime të paligjshme të TVSH-së në vlera miliona euro.
Sipas të dhënave të siguruara nga hetimi, kompania ka realizuar shitje dhe eksporte në vlerën mbi 532 miliardë lekë, ndërkohë që ka deklaruar shpenzime që tejkalojnë këtë shumë, duke prodhuar çdo vit bilanc negativ. Totali i shpenzimeve të vetëdeklaruara arrin në afro 11.7 miliardë lekë, një manovër që ka mundësuar përfitime të padrejta nga sistemi tatimor.
9 masa sigurie, 5 të shpallur në kërkim

Prokuroria njoftoi se janë ekzekutuar 9 masa sigurie ndaj personave kyç në këtë skemë, përfshirë administratorin aktual Hongping Xiao, ish-administratorin Leonidha Çobo, si dhe drejtues të tjerë financiarë e operacionalë të kompanisë. Ndërkohë, 5 shtetas të huaj janë shpallur në kërkim, nën dyshimet për përfshirje në skemat e mashtrimit me faturat dhe rimbursimet e TVSH-së.
Kontrollet e ushtruara në zyrat e kompanisë dhe në banesa private sollën sekuestrimin e dokumenteve dhe pajisjeve që, sipas Prokurorisë, provojnë elementë të veprave penale si falsifikim dokumentesh, operacione financiare fiktive dhe manipulim bilancesh, në bashkëpunim me kompani e individë brenda dhe jashtë vendit.
Një prej fakteve më domethënëse të këtij skandali është ky: nga viti 2006 deri në fund të 2023, Bankers Petroleum ka gjeneruar rreth 4 miliardë euro të ardhura neto vetëm nga shitja e naftës në Patos-Marinzë. Për të njëjtën periudhë, ka deklaruar zyrtarisht rreth 800 milionë euro fitime neto, por nuk ka paguar asnjë qindarkë tatim fitimi në buxhetin e shtetit shqiptar.
Arsyeja për këtë qëndron në një klauzolë të diskutueshme të marrëveshjes koncesionare të lidhur me qeverinë shqiptare. Sipas saj, Bankers përjashtohej nga tatimi mbi fitimin derisa të arrinte të ashtuquajturin “faktor R” mbi 1 – një tregues që do të thoshte se kompania kishte rekuperuar të gjitha kostot e investimit. Në këtë pikë, fitimet do të ndaheshin në mënyrë të barabartë me shtetin shqiptar. Por faktori R nuk është arritur kurrë, edhe pse kompania ka arkëtuar miliarda dhe vetë kishte parashikuar që kjo vlerë të kalohej që në vitin 2013.
Pikëpyetjet e ndërhyrjes së prokurorisë

Duhet thënë se shmangia e Bankers nga taksat nuk është një fakt i panjohur për institucionet. Prej vitesh Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paralajmëruar qartë se Bankers po i manipulonte bilancet duke vonuar qëllimisht momentin kur do të fillonte pagesa e tatimit. Por pavarësisht raporteve të KLSH apo denoncimeve publike, kompania vijoi të deklarojë se nuk ka rekuperuar kostot, ndërkohë që bilancet e saj flisnin ndryshe.
Ndërkohë që Prokuroria flet për vepra penale si mashtrimi me TVSH-në, fshehja e të ardhurave dhe pastrimi i parave, pyetja e madhe që është: Si ka mundësi që për 20 vite, shteti shqiptar nuk arriti të verifikojë në mënyrë të pavarur dhe efektive kostot e një kompanie që shfrytëzonte në mënyrë ekskluzive naftën e Patos-Marinzës? Përse nisi me kaq vonesë ky hetim i prokurorisë? A ka pasur një koordinim politik mes prokurorisë dhe qeverisë për tolerimin e Bankers? Si do të menaxhohet në vazhdim vendburimi i naftës në Patos Marinzë?
Burimi i naftës në Patos-Marinzës është një shembull unikal si një vendburim gjigant nafte i shfrytëzuar për 20 vite nga një kompani private, pa asnjë kontribut në tatim fitimi, përveç një rente minerare modeste, e cila është vetëm 10% e prodhimit bruto.
Prokuroria ka sinjalizuar se janë të implikuara edhe kompani të tjera kontraktuese dhe shumë individë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në ndërtimin dhe funksionimin e kësaj skeme mashtruese. Nëse prokuroria nuk i shkon në fund një procesi penal serioz dhe transparencë të plotë për kontratën koncesionare, rrezikon të përfundojë si shumë të tjera: me disa koka turku dhe me milionat e paprekura në llogaritë offshore./ Lapsi.al