Flash

Marta Kos: Kosova të formojë sa më shpejt institucionet

Lapsi.al 3 June 2025
Marta Kos: Kosova të formojë sa më shpejt institucionet

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, përsëriti se "Kosova duhet të formojë sa më shpejt institucionet e saj” dhe nënvizoi qartë se "vendi duhet të ketë parasysh se përparimi drejt Bashkimit Evropian lidhet me dialogun me Serbinë”. Këtë deklaratë Marta Kos e bëri gjatë një debati në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian. Ajo nënvizoi se "Komisioni është i gatshëm të përpilojë mendimin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në BE kur Këshilli të kërkojë një gjë të tillë”.

"Në Kosovë, pas zgjedhjeve të shkurtit, është thelbësore që të formohen shpejt institucionet dhe të shkohet përpara me reformat kyçe në drejtësi, media dhe administratën publike. Një qeveri funksionale dhe një kuvend janë të domosdoshëm në mënyrë që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”, tha komisionerja e BE-së.

Rruga e Kosovës drejt BE-së normalizimi i raporteve me Serbinë

Kosova, qysh në dhjetor të vitit 2022, ka dorëzuar formalisht kërkesën për anëtarësim në BE, por ajo kërkesë asnjëherë nuk është shqyrtuar nga ana e Këshillit Evropian.

"Komisioni mbetet i gatshëm të përgatisë mendimin për anëtarësimin e Kosovës në BE, kur të marrë një kërkesë të tillë nga Këshilli. Por më lejoni të jem e qartë, rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmesnormalizimit të raporteve me Beogradin e jo përmes veprimeve të njëanshme”, ka thënë Kos.

Sipas procedurave në Bashkimin Evropian, vendet anëtare në Këshill duhet të mandatojnë Komisionin Evropian për të përpiluar mendimin nëse Kosova i përmbush apo jo kushtet për status kandidati. Pastaj, vendimet në bazë të atij mendimi i merr Këshilli, duke vepruar njëzëri nga të gjitha vendet anëtare.

Bislimi takon Sørensen

Në kohën kur zhvillohej debati në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, zëvendëskryeministri në detyrë i qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, takoi në Bruksel Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian përdialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen. Ky është takimi i parë i Bislimit me Sørensen në Bruksel. Sørensen nuk foli për takimin, por sipas kryenegociatorit të Kosovës, në takim janë ngritur një sërë çështjesh.

"Fillimisht ai na tregoi për qasjen që ai mendon ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve, qoftë në nivel të kryenegociatorëve, qoftë edhe në takimet e larta ku pastaj udhëhiqen nga znj. Kaja Kallas, dhe pastaj në takimin bilateral ngritëm një sërë temash për të cilat besojmë se është shumë me rëndësi që sa më shpejt të kemi përgjigje nga Brukseli apo zgjidhje”, tha Bislimi.

Ai përmendi çështjen e menaxhimit të integruar të kufirit Kosovë-Serbi, mosfunksionimin e linjave të interkoneksionit mes Kosovës dhe Serbisë, që përfshihet në kuadër të implementimit të marrëveshjes së energjisë ndërmjet dy vendeve.

Vakumi institucional

Në Kosovë tash e gati katër muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, akoma nuk janë themeluar institucionet e reja, pasi që Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar për t'i hapur rrugë krijimit të qeverisë së re. Për këtë "vakum institucional” është i vetëdijshëm kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, por ai thotë se për disa çështje mund të flitet në Bruksel.

"Natyrisht se ka vështirësi për arsye se nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë, por megjithatë janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë nëse ka konstruktivitet apo qasje konstruktive nga ana e Serbisë, edhe mendoj që nuk do të ishte në rregull nëse ne i humbim këto shanse për shkak se në Prishtinë ka pengesa në konstituimin e Kuvendit”.

A do të zgjidhet ngërçi politik së shpejti?

Të mërkurën, me 04.06 deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish për të 24-tën herë me radhë në përpjekje për të zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, ndonëse nuk është njoftuar për ndonjë marrëveshje politike që do ta nxirrte vendin nga bllokada institucionale. Dhe nëse nuk gjehet zgjidhje nga ngërçi i krijuar politik, përfaqësuesit e të gjitha partive politike nuk e kanë përjashtuar edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe kryesisë, atëherë presidentja Vjosa Osmani, sipas ligjeve, detyrohet të caktojë partinë fituese si mandatare për formimin e qeverisë së re. Kabineti qeveritar i propozuar duhet t'i sigurojë të paktën votat e 61 deputetëve nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës. E Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet me 48 vendet e siguruara, duhet patjetër të hyjë në koalicion me ndonjë parti tjetër në mënyrë që të mund ta formojë qeverinë. /DW

Të këshilluara

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI