Flash

Kurti: Kandidatura e Haxhiut nuk tërhiqet, të gatshëm për kompromise për qeverinë

Lapsi.al 20 May 2025
Kurti: Kandidatura e Haxhiut nuk tërhiqet, të gatshëm për

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, deklaroi se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës është vendim i partisë dhe nuk do të tërhiqet.

“Mos ta bëjmë këtë lojë negative. Duhet të respektojmë propozimet e njëri-tjetrit dhe të kemi një kryesi [Kuvendi] të bazuar në meritë”, tha Kurti në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, të transmetuar në mbrëmjen e së martës.

Ndonëse propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, Haxhiu konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkojnë që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar.

Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka ngecur pikërisht te zgjedhja e kryeparlamentarit. Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Kurti tha se gjatë procesit të formimit të qeverisë, do të jetë i gatshëm për kompromise dhe koncesione. Kurti përmendi si partnerë të mundshëm pakicat, si dhe Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt. Ata që kanë dyshime nëse ai i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë, Kurti i porositi: “Më testoni”.

Sipas tij, një koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me pakicat dhe me Nismën do të mund të siguronte deri në 80 vota në Kuvend. LDK-ja më herët e ka refuzuar një ftesë të Kurtit për marrëveshje koalicioni. Kurti konfirmoi se ka pasur takime me Limajn dhe një rritje të besimit mes tyre, por jo një marrëveshje konkrete.

Kurti bëri të ditur se një nga parakushtet e Nismës ka qenë pozita e kryetarit të Kuvendit – kërkesë që, sipas tij, nuk ka qenë e mundur të përmbushej, pasi Nisma ka siguruar vetëm tre deputetë në Kuvend. Megjithatë, Kurti shprehu gatishmërinë për bashkëqeverisje me Nismën. 

“Synimi jonë është të kemi një qeveri të re, e cila është e re në përbërje. Pa dyshim që do të ketë edhe befasi dhe ndryshime në kabinetin qeveritar”, tha ai. /REL

Të këshilluara

ide

Parodia me taksimin e të pasurve nga kryeministri i tyre

Pavarësisht nga retorika, nuk mund të përkundet asnjë iluzion, se Edi Rama i është bashkuar trendit global për reduktimin e pabarazive. Sepse debati që po gëlon sot ka në thelb shqetësimin se mos thellimi i tyre po çon drejt shkatërrimit të demokracisë. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Eshtë vullneti për të asgjesuar demokracinë që po prodhon më shumë pabarazi

13:31 Andi Bushati

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

90.02

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI