Flash

Kundërshtarët dhe mbështetësit e Vuçiqit protestojnë në qytetet serbe

Lapsi.al 13 April 2025
Kundërshtarët dhe mbështetësit e Vuçiqit

Kundërshtarët dhe mbështetësit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mblodhën në vende të ndryshme më 12 prill për të protestuar, në një kohë kur tensionet janë të larta, pas muajsh protestash të organizuara nga studentët kundër Qeverisë së udhëhequr nga Vuçiqi.

Vetë Vuçiq i mblodhi mbështetësit në Beograd, duke njoftuar se do ta formojë një lëvizje të re politike përballë valës në rritje të protestave që filluan në nëntor, pas shembjes së strehës në stacionin e trenit si pasojë e të cilës humbën jetën 16 njerëz në Novi Sad.

Protestuesit, të udhëhequr nga grupe studentore por të bashkuar nga mijëra të tjerë, kanë fajësuar korrupsionin dhe mungesën e kujdesit për tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Protestat janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë që kundërshton atë që demonstruesit e cilësojnë si dështim të sundimit të ligjit, si dhe korrupsion sistematik nën udhëheqjen e Vuçiqit, i cili ka shërbyer si president që nga viti 2017, pasi më parë ishte kryeministër për tre vjet.

Vuçiq këmbëngul se protestat - të cilat janë kthyer në një nga sfidat më të mëdha ndaj pushtetit të tij të kamotshëm - po e rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në vend dhe i akuzon organizatorët se paguhen nga “agjenci të huaja të inteligjencës”.

Para mijëra mbështetësve, presidenti populist i Serbisë tha se autoritetet duhet të nisin procedurat “për të rikthyer rendin në vend” dhe se “respektimi i plotë i Kushtetutës [duhet të ndodhë] për të garantuar sigurinë e Serbisë”.

Vuçiq tha gjatë tubimit se është e nevojshme një “Lëvizje për Popullin dhe Shtetin”, sepse “na nevojitet energji e re dhe forcë e re, një plan i ri, jo plan deri në vitin 2027, por deri në vitin 2035”.

Ai nuk dha hollësi për këtë lëvizje, por tha se do të mbahen tubime të tjera.

Vuçiq përsëriti thirrjen ndaj studentëve për t’u rikthyer në shkolla dhe deklaroi se “revolucioni me ngjyra ka përfunduar”.

Autoritetet në Serbi i kanë quajtur vazhdimisht protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët si një përpjekje për “revolucion me ngjyra”.

Ky është një term që i referohet kryengritjeve popullore në vende si Ukraina, Gjeorgjia dhe Kirgizi, që çuan në rrëzimin e qeverive atje.

Protestat popullore që çuan në rrëzimin e liderit jugosllav, Sllobodan Millosheviq në vitin 2000 gjithashtu shpesh cilësoheshin si “revolucion me ngjyra”.

Gazetarët në vendngjarje raportuan se shumë nga mbështetësit që morën pjesë në tubim ishin sjellë me autobusë nga e gjithë Serbia si dhe nga Kosova dhe Bosnje e Hercegovina, ku ka minoritete të mëdha serbe.

Lideri serb i Bosnjës, Millorad Dodik - i kërkuar nga autoritetet qendrore në Sarajevë pasi u dënua për shkelje të Kushtetutës së Bosnjës - u shfaq në tubimin e Beogradit, raportoi AFP.

Dodik, i cili është president i entitetit serb në Bosnjë - Republika Sërpska - iu drejtua turmës në tubim.

Ai është gjithashtu nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për veprime që qeveritë perëndimore thonë se synojnë shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Arkivi i Takimeve Publike, një organizatë joqeveritare që vlerëson madhësinë e turmave, tha se në tubimin në Beograd morën pjesë rreth 55.000 persona. Më 15 mars, grupi vlerësoi se protesta e udhëhequr nga studentët kundër qeverisë kishte midis 275.000 dhe 325.000 pjesëmarrës.

Ndërkohë, protesta e udhëhequr nga studentët u mbajt në rrugët e Novi Pazarit, rreth 300 kilometra në jug të kryeqytetit.

Protesta është në mesin e një sërë demonstratash të thirrura nga studentët që kanë bllokuar fakultetet universitare për më shumë se katër muaj, duke kërkuar llogaridhënie nga Qeveria për vdekjen e 16 njerëzve pas shembjes së strehës së betonit në Novi Sad.

Një grup studentësh në bllokadë ecën për ditë me radhë nga qytete të tjera drejt Novi Pazarit për t’u bashkuar me protestuesit atje.

Studentët e Universitetit të Novi Pazarit e bllokuan rrethrrotullimin në dalje të qytetit.

Autobusë me mbështetës të Partisë Progresive Serbe në pushtet, të udhëhequr nga Vuçiq, ishin planifikuar të kalonin nëpër atë rrethrrotullim për të shkuar drejt tubimeve në Beograd. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse autobusët ndoqën rrugë alternative./Radio Evropa e Lirë

Të këshilluara

ide

Pse Rama nuk tërhiqet dot nga Zvërneci

Ndonëse kryeministri e la të hapur fatin e investimit të cilin e etiketoi si testin e parë të platformës Besa, ai nuk është i lirë ta bëjë këtë. Edi Rama e di shumë mirë, se nëse i thotë jo Kushnerit të cilin e yshti të hidhte në Zvërnec paratë e katarianëve, pasoja do të jetë shumë më e madhe se indiferanca përbuzëse që Trump demostroi ndaj atleteve të tij të bardha në samitin e NATO-s.

12:29 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

92.76

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI