Flash

Vdekja e Gorbaçovit / Rusët të ndarë për trashëgiminë e tij

Lapsi.al 3 September 2022
Vdekja e Gorbaçovit / Rusët të ndarë për

Nga Robert Coalson dhe Mikhail Sokolov

Historiani rus, Andrei Zubov, ishte 33-vjeçar kur mori pjesë në një kongres në Leningrad më 1985. Në atë ngjarje ai dëgjoi se Mikhail Gorbachev, 54 vjeç, u zgjodh në postin e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

“Më kujtohet se nuk mund t’iu besoja veshëve të mi”, tha ai për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë. “E kuptova menjëherë se akullnaja e madhe e makinerisë totalitariste të komunizmit po shkatërrohej....Deri në atë moment, kishte vetëm një rrugë qorre”.

Gorbachev vdiq më 30 gusht në moshën 91-vjeçare dhe vdekja e tij edhe një herë nxori në pah ndarjet e thella në mesin e rusëve, teksa shumë e kritikuan atë për shkatërrimin e supozuar të një superfuqie botërore, e të tjerët e lavdëruan ish-liderin sovjetik për hapjen ndaj botës, diçka e paimagjinueshme para ardhjen së tij në pushtet.

Vite para se Gorbachev të vinte në pushtet, Zubov tha se “ne ndiheshim sikur po jetonim në një shtet të okupuar”.

“Njerëzit e ndershëm që herët tentuan ta izolonin veten ose të paktën të kishin kontakt minimal me pisllëkun dhe gënjeshtrat që krejtësisht mbuluan sistemin e Partisë Komuniste”, tha ai.

Shumë rusë – përfshirë edhe ata që zëshëm mbështesin Vladimir Putinin dhe besojnë se ai “ka ngritur në këmbë Rusinë” gjatë 23 vjetëve në postin e presidentit dhe kryeministrit – e fajësojnë personalisht Gorbachevin për kolapsimin e perandorisë sovjetike, duke i injoruar dëshmitë se sistemi kishte nisur të dilte jashtë kontrollit.

“Gjithçka ndodhi për shkak të dobësimit dhe mungesës së vullnetit të një njeriu i cili gjatë gjashtë vjetëve shkatërroi atdheun tonë”, tha Vladimir Solovyov, një publicist pro-Kremlinit. Ai këto komente i bëri në një video-blog të publikuar një ditë pas vdekjes së Gorbachevit. “Në vetëm gjashtë vjet, ai tradhtoi të gjithë kampin socialist. A e kuptoi se çfarë po bënte? Jo, nuk e kuptoi”.

Historiani pro-Kremlinit, Modest Kolerov, shkroi në Telegram se vdekja e Gorbachev, e mbushi atë “me dhimbje... për shtetin që ai qëllimisht e shkatërroi dhe dhjetëra miliona viktima që rezultuan nga ajo vrasje. Jam i lumtur që ai jetoi kaq gjatë sepse edhe fëmijët tanë tani e dinë se kush ishte ai... Bashkimi Sovjetik ka vdekur. Rusia jeton. Sfidat vazhdojnë”.

Blogeri nga Shën Petersburgu, Anatoly Nesmiyan, shprehu zhgënjimi që Gorbachevi kurrë nuk ishte i pandehuri kryesor “në tribunal për hetimin e krimeve kundër shtetit tonë”.

Të tjerët, megjithatë u përqendruan jo në atë që Gorbachevi supozohet se i bëri Bashkimit Sovjetik, por në atë që ai bëri për qytetarët sovjetikë. Të paktën për një periudhë të shkurtër kohore, balanca e menduar e pushtetit midis shtetit dhe individit – që peshonte shumë në favor të shtetit përgjatë historisë ruse, veçanërisht të marrjes së pushtetit nga bolshevikët përmes Terrorit të Madh të diktatorit, Josef Stalin dhe Epokës së Ngecjes – ndryshoi nën udhëheqjen e Gorbachevit.

“Gorbachevi refuzoi pushtetin e madh, shpërbëri qeverinë totalitare dhe i dha liri shteteve tona”, shkroi në Twitter, Fyodor Velembovsky, ish-politikan opozitar dhe aktivist i organizatës së ndaluar për të drejtat e njeriut, Memorial. Kjo organizatë u krijua gjatë pushtetit të Gorbachevit dhe u ndalua nga Putini.

Gorbachevi vendosi interesat e qytetarëve mbi interesat e shtetit”, tha për Radion Evropa e Lirë, Kirill Martynov, gazetar që më herët ka punuar për Novaya Gazeta. Kjo gazetë u krijua nga Gorbachevi, i cili për këtë qëllim përdori paratë e fituara nga Çmimi Nobel për Paqe më 1990.

“Rëndësia e Gorbachevit ende nuk është vlerësuar”, shtoi ai.

Aleksei Tabalov, ish-pjesëtar i stafit të politikanit opozitar Aleksei Navalny, shkroi në Facebook se Gorbachevi dëshironte ta shpëtonte Bashkimin Sovjetik, por dështoi.

“Ai dështoi sepse Bashkimi Sovjetik ishte ndërtuar që në fillim mbi frikën”, shkroi ai. “Por, nën Gorbachevin, frika nuk ishte më në Bashkimin Sovjetik. Dhe kjo ka të ngjarë që është arritja e tij më e madhe”.

Ish-gazetarja televizive, Maria Phillimore-Slonim, shkroi në Facebook: “Gjithmonë do t’i jem mirënjohëse Gorbachevit. Ai na dha shpresë”.

“Gjëja kryesore që Gorbachev bëri personalisht për mua ishte se në takimin tonë të parë ai hoqi përgjithmonë nga mua frikën përballë fronit”, tha biznesmeni në mërgim dhe kritiku i Kremlinit, Mikhail Khodorkovsky.

Khodorkovsky, që ka kaluar një dekadë në burg gjatë kohës së Putinit nën akuzat që sipas tij ishin të motivuara politikisht, shkroi po ashtu në Telegram se “ky fakt ma ndryshoi jetën”.

Historiani Yury Pivovarov po ashtu lavdëroi Gorbachevin për eliminimin e frikës që mbizotëronte jetën nën Bashkimin Sovjetik.

“Ai nuk e shkatërroi shtetin tim”, tha Pivovarov. “Ai shkatërroi një përbindësh totalitar dhe kjo është lavdia e tij e përjetshme. Kjo po ashtu është një arritje e popullit rus. Ne ishim shteti i parë në botë që krijuam një regjim totalitar dhe e shkatërruam vetë, pa tanket e huaja”.

Por, ai shtoi se në Rusi nuk ka ndodhur një de-stalinizëm dhe de-komunizëm i plotë.

“Dhe tani ne kësaj mund t'ia shtojmë po ashtu edhe de-putinizimin”, tha ai.

Nën Putinin, Martynov shtoi se “trashëgimia e Gorbachevit po fshihet”.

“Ai ishte kundër luftës, por këta nisën një luftë”, tha ai. “Ai ishte për parlamentarizëm, dhe Parlamenti është fshirë. Ai ishte për liri të medias dhe liri të tubimit, por këto liri janë shkatërruar".

“Gorbachev ishte personi që i dha fund fenomenit të të burgosurve politikë në shtetin tonë, por tani ky fenomen është kthyer sërish”, shtoi Martynov, duke theksuar se Navalny nga burgu ka shprehur ngushëllime për familjarët e Gorbachevit.

Përgatiti për REL: Mimoza Sadiku

Të këshilluara

Gazeta më e madhe gjermane godet keq Ramën

Gazeta më e madhe gjermane dhe e përditshmja e referencës në qarqet politike të Berlinit FAZ, i ka kushtuar një shkrim të gjatë, fshikullues marrëdhënies së kry...

11:54

ide

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

Ata që shohin vjedhjen e Agron Shehajt nga koteci i Edi Ramës

Çmenduri të tilla, kur një pushtet prek fundin, janë të njohura. Grupe armiqësore, gazetarë puçistë, elementë të rekrutuar nga shtete armiqësore etj, historia jonë politike ka me shumicë, por vetëm Edi Rama ia ka dalë që në 10 vitet e fundit t’i njehsojë, gati- gati të duken si një fytyrë e vetme të gjithë ata që i shërbejnë.

16:41 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

33°c

KËMBIMI EURO

93.20

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI