Flash

Tubimi i 7 Korrikut/ A është koha për protesta?

Lapsi.al 27 June 2022
Tubimi i 7 Korrikut/ A është koha për protesta?

Prej disa ditësh Sali Berisha ka shpallur se do të mbajë në 7 korrik protestën e tij të parë si i rikthyer në krye të PD-së dhe ringjalljen e një tradite të vjetër që pararadhësi i tij Basha e kishte fikur që prej zgjedhjeve të qershorit 2019. Nën slloganin "Shqipëria në rrezik" lideri demokrat nuk le ditë pa bërë deklarata dhe pa pompuar në rrjetet e tij sociale këtë rikthim të demokratëve në rrugë.

“Qytetarët shqiptarë, duke filluar nga interesi i tyre kombëtar, tek shëndeti, vendi i punës, xhepat e tyre, ndjejnë se janë në rrezik të madh. Ndjejnë një thirrije të brendshme se duhet me çdo kusht t’i dalin zot vetes dhe të marrin në dorë fatet e vendit. Protesta është e hapur për të gjithë shqiptarët dhe është më datë 7 korrik, në orën 19:00. Tirana do derdhet e tëra. Do protestohet ndaj qeverisë dhe parlamentit. Me vendosjen e monizmit dhe zhdukjen e “check and balance”, kushtetutshmëria e kësaj qeverie ka rënë në mënyrë përfundimtare. Rama nuk është larguar, por do të largohet”, ka përsëritur disa herë kryedemokrati duke i bërë thirrje njerëzve t'i bashkohen atij që e ka quajtur: "Fronti per Shpetimin e Shqiperise".

Por për të gjithë opozitarët dhe njohësit e mirë të mënyrës se si e bën politikën PD-ja e vjetër, ka një pikpyetje: A janë të suksesshme protestat në korrik, kur një pjesë e njerëzve e kanë mendjen për plazh, kur studentët janë kthyer në shtëpi dhe kur, ashtu si zakonisht klima politike mes palëve fillon e çtensionohet dhe parlamenti bëhet gati të marrë pushimet?

Në fakt zor, se në këtë vapë asgjesuese mund të ketë tubime të fuqishme popullore. Por duket se synimet e Berishës ndryshe nga sa flet për rrëzimin e Ramës, janë të tjera.

Pikë së pari, duke nuhatur pakënaqësinë e madhe, si pasojë e rritjes së çmimeve, ai tenton të konsolidojë monopolin e tij mbi opozitën. Nëse grupi i tij nuk është zgjeruar me deputetë të tjerë, përpos atyre që iu bashkangjitën përgjatë foltoreve, nëse një pjesë e ish hierarkëve të PD po mëtojnë akoma t'i rrëmbejnë përmes gjykatave të pushtetit selinë, vulën dhe firmën, Berisha e di mirë se në një protestë janë të dënuar të tubohen edhe ata që e duan edhe ata që s'e duan, duke i njohur atij lideshipin. Dhe tashmë pro pjesmarrjes janë deklaruar edhe nga ata që nuk njihen si mbështetës të tij.     

“Kushdo duhet të jetë në protestë, pavarësisht se kush e thërret protestën. Data 7 korrik, në kushtet kur çmimet janë ritur, duhet protestuar fuqishëm”, ka deklaruar Ervin Salianji. “Protesta është instrumenti bazë i konsolidimit të demokracisë”, u shpreh Selaudin Jakupllari. “Janë pafund arsye që ne duhet të marrim pjesë në protestë kundër Edi Ramës”, theksoi Dhurata Çupi që njihet si mbështetëse e Alibeajt. Thirrje që palët kundërshtre brenda PD-së duhet t'i mënjanojnë konfliktet në raport me protestën, ka bërë edhe deputetja që s'është rreshtuar me asnjë grupim, Grida Duma.

Por përpos legjitimimit në krye të partisë përmes protestës, thirrja e 7 korrikut ka edhe synime të tjera. Ajo i ngjan më shumë një paralajmërimi ose një ndeshjeje miqësore para fillimit të kampionatit në vjeshtë. Në shtator, nga njëra anë PD do të fillojë primaret për përzgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë. Së dyti, po në të njëjtën kohë, do të nisë edhe beteja e dyshes Berisha- Meta kundër Ramës. Pikërisht për këtë, lideri demokrat ka vendosur të testojë dhe të mbajë në gjendje axhitimi, trupën e tij.

Ndonëse korriku nuk është muaji më ideal për tubime, ajo e 7 korrikut me gjasë është planifikuar si një provë gjenerale përpara asaj që do të sjellë shtatori.

©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI