Deklarata e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov se Rusia përkrah qartësisht projektin e preferuar rajonal të Edi Ramës, Ballkanin e Hapur, që e quan nismë të Beogradit, provokoi regime nga disa personalitete ndërkombëtare.
Pedagogu amerikan Ed Joseph u pozicionua fort kundër Ballkanit të Hapur dhe argumenti i tij lidhet me Sergei Lavrov.
“Ajo që dua të them është se kur një figurë e urryer si Sergei Lavrov, i cili është momentalisht nën sanksione të rënda dhe vazhdon pavarësisht kësaj të avancojë luftën e Rusisë në Ukrainë, kur një figurë e tillë thotë që Ballkani i Hapur është diçka e mirë – kjo na lë të kuptojmë pikërisht të kundërtën, që në të vërtetë kjo iniciativë është diçka shumë e keqe,’ – u shpreh Joseph.
“Kjo është ajo që duam të themi kur përdorim shprehjen ‘puthja e vdekjes’. Kur Moska ofron miratimin e saj për një iniciativë ballkanike, kjo ka efektin e një ‘puthjeje vdekjeprurëse’,” – shtoi ai.

Sipas pedagogut mbështetja e vazhdueshme e Rusisë për Ballkanin e Hapur është arsye për të dyshuar rreth asaj që kjo iniciativë përfaqëson.
Sa i takon përfitimeve, Joseph tha se Serbia duke qenë ekonomi më e madhe do të ketë përfitimet më të mëdha nga një regjim i tregtisë së hapur.
Për zhvillimet ka reaguar edhe Janusz Bugajski, njohës i mirë i Ballkanit që drejton edhe një emision telviziviv nga SHBA që transmetohet në Ballkan: "Ora e Bugajskit".

Sipas Bugajskit, Rusia e sheh projektin "Open Balkan" si një mjet për përmbysjen dhe ndarjen e Eruopës. Bugajski bëri thirrje që ky projekt të bojkotohet.
"Kremlini e sheh "Ballkanin e Hapur" si një mjet të dobishëm për përmbysjen dhe ndarjen e Evropës. Qeveritë properëndimore duhet te braktisin skemën dhe te mos ndjekin agjenden Moske-Beograd", - shkroi Bugajski në Twitter.
Një qëndrim më pak kategorik ka mbajtur profesori i universitetit të mirënjohur "John Hopkins", Daniel Sewer, për projektin e preferuar të Ramës, Open Balkan. Sewer e ka trajtuar çështjen me gjerë, që nga interesat e Kosovës në projekt, nga pikëpamja amerikane dhe përfshirja ruse.
“E vetmja rrethanë në të cilën Kosova duhet të marrë në konsideratë një propozim është nëse i jepet statusi i barabartë me shtetet e tjera sovrane të përfshira. Kjo, me sa kuptoj unë, nuk i është ofruar Kosovës në Ballkanin e Hapur, kështu që propozimi as që duhet të merret parasysh”, - u shpreh Sewer.
Sewer thotë se iniciativa e ‘Ballkanit të Hapur’ nuk është hap i duhur për Ballkanin, dhe se sipas tij, të gjitha aktivitetet që supozohet se mund të kryhen në ‘Ballkanin e Hapur’, mund të bëhen edhe në alternativa të tjera, që janë më të dobishme, siç është procesi i Berlinit apo SEFTA.
“Jo me të vërtetë. Gjithçka që kam dëgjuar për Open Balkans sugjeron që aktivitetet e tij mund të kryhen të gjitha brenda Procesit të Berlinit dhe SEFTA-s”, - shtoi shkrutimisht Sewer.

Profesori amerikan ka komentuar edhe deklaratën e dhënë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili tha se ideja për Ballkanin e Hapur, ishte e Serbisë. Kjo deklaratë, sipas Serëer, do ta pengojë krijimin e një nisme të tillë, për shkak të reputacionit negativ të shtetit rus në Ballkan. Sipas tij, Rusia është e mirëpritur vetëm në Serbi dhe në ‘Republika Srpska-n’, në Bosnjë e Hercegovinë.
“Unë mendoj se shumica prej tyre tani do të kenë mendime të dyta rreth anëtarësimit. Rusia nuk është një faktor i mirëpritur në Ballkan këto ditë, me përjashtim të Serbisë dhe Republika Srpska”, - u shpreh Sewer për PortaliD.
I pyetur se a është edhe në interesin e SHBA-së iniciativa e Ballkanit të Hapur, Serëer u shpreh se personalisht mendon se jo, por se të njëjtin mendim nuk e ndan edhe qeveria amerikane.
“Unë jo, por qeveria amerikane e bën. Ata duhet vendosin se si duhen bërë gjërat”, - u shpreh shkurtimisht Sewer.
Në fund, profesori thotë se nuk është i sigurt nëse të gjitha vendet pjesëmarrëse do të qëndrojnë gjatë në një iniciativë të tillë. Sipas profesorit amerikan, Ballkani i Hapur në rrethanat aktuale, është një iniciativë e vdekur.
“Nuk jam i sigurt që të gjitha këto pozicione do të mbahen. Mendimi im është se në rrethanat aktuale, për shkak të agresionit rus në Ukrainë, Open Balkans është një letër e vdekur”, - përmbyll profesori Daniel Sewer.
Në takimin e Ohrit të pranishëm ishin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija.
Zhvillimet më të fundit rreth Open Balkan ndodhën këtë javë, kur në Ohër u mbajt samiti i rradhës i këtij projekti kontrovers, ku benzinë zjarrit i hodhi pikërisht Sergei Lavrov, pasi iu ndalua hapësira ajrore nga Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, që ai të udhëtonte drejt Beogradit më datë 6 dhe 7 qershor.
“Duket se ata që luajnë fijet në Bruksel nuk donin në asnjë mënyrë të na jepnin një platformë, ku ne të konfirmonim në kryeqytetin e Serbisë pozicionin e Rusisë mbi problemin e Kosovës dhe problemin e Bosnje Hercegovinës. Ata nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për nismën e Beogradit për të realizuar projektin e Ballkanit të Hapur në interes të një marrëdhënieje më të fortë dhe më të shëndetshme mes vendeve të rajonit” tha Lavrov gjatë konferencës për mediat.

Sipas Lavrov, NATO dhe Bashkimi Europian duan “ta kthejnë Ballkanin në një projekt të quajtur Ballkani i mbyllur”.
Lexo më tej: Ballkani i Hapur si “armë” e Rusisë kundër NATO-s dhe Bashkimit Europian
Megjithë këto zhvillime, i dëguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se SHBA-ja mbështet iniciativën e "Ballkanit të Hapur".
Por, Escobar shtoi se shtetet që i janë bashkuar kësaj iniciative duhet të angazhohen për trajtim të barabartë për gjithsecilin shtet të Ballkanit Perëndimor.
“Ne besojmë se në mënyrë që kjo iniciativë [‘Ballkani i Hapur’] të jetë e suksesshme duhet të jetë e hapur për të gjithë. Çdo iniciativë për zhvillim ekonomik duhet t’i përfshijë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në një trajtim të barabartë”, - deklaroi Escobar.

Escobar ftoi pjesëmarrësit në këtë takim që të harmonizojnë “Ballkanin e Hapur” me iniciativat e tjera aktive në rajon, përfshirë Procesin e Berlinit dhe porositi udhëheqësit e rajonit që të mos e politizojnë iniciativën.
“Unë sinqerisht ju inkurajoj që kjo iniciativë të mbetet ekonomike. Nuk është një projekt politik. Është një projekt i rëndësishëm ekonomik. Nëse e mbani si iniciativë ekonomike ju do të keni më shumë mbështetje”, - u shpreh i dëguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
©LAPSI.AL