Nëse në prapaskenë nuk ka një “komplot europian” për të mbajtur jashtë BE-së Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, atëherë historia e dështimit të negociatave, rezulton të jetë një gafë e rëndomtë, nga një strategji e gabuar që Rama dhe Zaev ndoqën për integrimin.
Sepse deri në vitin 2019, ishte Maqedonia e Veriut peng i Shqipërisë për hapjen e negociatave. Problemi ishte Shqipëria. Opozita PD-LSI ishte në rrugë në demonstrata të dhunshme. Gjysma e deputetëve dogjën mandatet. Zgjedhjet lokale u bojkotuan. Reforma në drejtësi nuk kishte rezultat.
Situata kaotike në Tiranë penalizoi Maqedoninë e Veriut, por Zoran Zaev tregoi një solidaritet apolitik, duke ndarë faturën që duhet të paguante ekskluzivisht Edi Rama. Qeveria e Maqedonisë së Veriut e gëlltiti dështimin në heshtje. I vetmi që foli ishte presidenti i atëhershëm Stevo Pendarovski.
“Kemi bërë detyrat që na janë kërkuar, kemi firmosur edhe mrekullinë politike që ishte marrëveshja me Greqinë. Nuk ka politikan në Europë të na thotë se nuk i meritojmë negociatat. Kurse Shqipëria përballet me një kaos të vërtetë. Opozita ka dalë nga institucionet dhe situata sa vjen e tensionohet. Pra si mund të krahasohemi?” u shpreh Pendarovski në 2019, duke kujtuar se procesi kishte qenë i ndarë më herët për secilin nga vendet
Por Pendarovski u përball me mërinë e Edi Ramës. Ai i kujtoi presidentit të vendit fqinj ndihmën e shqiptarëve dhe i anuloi një takim të planifikuar në Tiranë.
“Presidenti @SPendarovski nënkupton favorizimin e ndarjes nga Shqipëria në vendimin për negociatat? Çudi kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë&shqiptarëve në zhvillimet demokratike&rrugën europiane të shtetit mik. S’duket as e drejtë as praktike faktikisht!” u shprehej Rama në 2019.
https://lapsi.al/2020/10/09/historia-e-negociatave-pse-dasmat-pa-krushq-nuk-e-fshehin-dot-me-deshtimin/
Sot, Rama po flet ndryshe. Ai tingëllon njësoj si Pendarovski, kur i duhet të mbajë barrën e dështimit të një vendi tjetër. Në konferencën për shtyp me Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyin, Rama tha se nëse dështon edhe këtë qershor do të kërkojë ndarjen e vlerësimit nga Maqedonia e Veriut.
“Ne do të ndryshojmë kursin, do ndryshojmë kërkesën e do shpjegojmë që ne nuk mund të presim pafundësisht Bullgarinë e me siguri do kemi më shumë mirëkuptim më pas, sepse në ndërkohë nuk i jemi bërë pengesë që këta t’i bëjnë të gjitha provat e tyre” ishin fjalët e kryeministrit të Shqipërisë, që tani ka humbur llogaritë e dështimeve.
Hapjen e negociatave, socialistët e premtuan që në vitin 2013. Ky qershor duhet të jetë hera e nëntë që do të ketë dështim. Ndër vite, Rama i ka provuar të gjitha mënyrat për t’i hapur negociatat, madje ka hapur edhe shampanjë në Ministrinë e Jashtme, ka marrë edhe urimet zyrtare nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për hapjen e negociatave. Njësoj si vite më parë, ai mbetet ende në pritje.
https://lapsi.al/2021/05/27/negociatat-me-be-ne-ndarja-e-shqiperise-nga-maqedonia-e-veriut-rama-nuk-eshte-ceshtje-jone/
Por kryeministri ka kuptuar se njehsimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me dështimet e njëra tjetrës është një barrë e kotë, që nuk i shërben asnjërit prej dy vendeve. Një vit më parë, edhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi e la të hapur këtë mundësi. I pyetur për çështjen e ndarjes së procesit të negociatave për dy vendet, ai tha në vitit 2021, se: Mund të jetë një opsion, po!
Por çuditërisht, përgjigjia që dha sot komisioneri Varhelyi ishte ndaluese. Fati i negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të jetë i njëjtë, sipas BE-së dhe Varhelyi kërkoi durim.
"E vlerësoj shumë durimin e Shqipërisë dhe durimin e kryeministrit Rama. Kërkoj për pak më shumë durim nga ana juaj sepse objektivi ynë është që kjo punë të kryhet, të mbarohet gjatë presidencës franceze".