Flash

Aqif Rakipi i mbyll gojën grupit parlamentar të Partisë Socialiste

Lapsi.al 19 April 2022
Aqif Rakipi i mbyll gojën grupit parlamentar të Partisë

Karrigia ku e ulën para nisjes së mbledhjes së grupit parlamentar e pozicionoi Ornaldo Rakipin diku pas krahëve të Edi Ramës, lart në të majtë. Në sinjalin televiziv ai binte menjëherë në sy. Pak minuta më pas, u shfaq teksa shkruante në fletë tre emrat për presidentin e ri, njësoj si kolegët e tjerë.

Mesazhi qe i qartë. Shpallja non grata e Aqif Rakipit nga SHBA nuk e prekte karrierën politike të djalit të tij, Ornaldos. Atë që e përçuan me simbolikën e pamjeve televizive, socialistët e konfirmuan me një mesazh për gazetarët pas mbledhjes. Sikur Taulant Balla kishte thënë se “Nëse ka diçka që ne si familje politike dallohemi nga të tjerët, është se kurrë nuk kemi përdorur standarde të dyfishta. Qëndrimi ynë është i njëjtë gjithmonë dhe ne i respektojmë vendimet e Shteteve të Bashkuara, aleatit tonë strategjik”.

Me këtë mesazh shigjetohej qëndrimi i paqartë i Partisë Demokratike për Aqif Rakipin, por heshtja që kaploi sot grupin parlamentar socialist nuk justifikohet dot nga amullia e opozitës.

Para mbledhjes, deputetët socialistë dhanë disa prononcime për BIRN ku duket se ishin në pritje të një vendimi. “Do të kemi një mbledhje grupi të martën, duroni deri atëherë për një qëndrim politik” kishte paralajmëruar Balla. “Na është thënë mos komentoni deri në mbledhjen e grupit. Po e presim këtë mbledhje për të diskutuar, pasi këtu duket se ka çeduar sistemi” kishte deklaruar Erjon Braçe. “Ka Partia qëndrim, atë qëndrim që kemi mbajtur dhe herë të tjera për këto raste” kishte thënë Shalsi. Ministrat Blendi Çuçi dhe Ulsi Manja i thanë BIRN të enjten se po prisnin qëndrimin e përbashkët të grupit se si do të trajtojnë çështjen “Rakipi” dhe raportin me dy deputetët që kanë fituar mandatin me mbështetjen e tij.

Por siç ka raportuar më parë Lapsi.al, në lojë ishte jo vetëm miqësia, por edhe një marrëdhënie e ngushtë interesi mes Edi Ramës dhe Aqif Rakipit.

Ndaj socialistët sot mbyllën gojën. Sanksionet amerikane u shpërfillen, megjithëse përbënin në vetvete një akuzë të fortë për votat, me të cilat u fitua mandati i Ornaldo Rakipit.

Sipas SHBA “grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike. Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit”.

Cili është standarti për të cilin flet Taulant Balla?

Ka një rast tjetër kur një funksionar socialist shpallet non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës; është rasti i Vangjush Dakos. Kur u shpall non grata në Korrikt të 2019, Dako ishte kryetar bashkie në Durrës dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Të dyja funksionet nuk u ndërprenë megjithë vendimin e SHBA. Më vonë Dakos nuk iu dha një shans tjetër për të kandiduar në Durrës, ndërsa ai nuk u zgjodh më anëtar kryesie.

Por Rama në asnjë moment nuk e hodhi poshtë miqësinë me të. “Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Se përcakton Departamenti i Shtetit kë kam mik, E përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër do jetë miku im” shprehej Edi Rama për të.

Ende sot që kanë kaluar 3 vjet, Dako vazhdon të ketë një rol kyç në organizimin e strukturave të Partisë Socialiste në Durrës dhe mbetet në krye të fushatave sa herë ka zgjedhje. Madje ai konsiderohet një lloj kryetari bashkie hije për Durrësin. Ky është standarti që mbajti në fuqi këtë të martë Edi Rama, duke heshtur bashkë me socialistët e tjerë./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI