Një përpjekje “kulturore” për të rehabilituar kujtimin e njërit prej kolaboracionstëve më të egër shqiptarë, ish ministrit të brendshëm, urdhëruesit të masakrës së 4 shkurtit në Tiranë dhe bashkëpuntorit të gjermanëve gjatë luftës së dytë botërore, Xhafer Devës ka hapur një polemikë të madhe në Kosovë. Gjithçka ka nisur nga një vendim i ministrisë së kulturës, e cila ka vendosur të restaurojë shtëpinë e Devës në qendrën historike të Mitrovicës. Në 2 shkurt vetë ministri i Kulturës Hajrulla Çeku u pa në shtëpinë e kolaboracionistit të famshëm, duke inspektuar punimet e restaurimit ndërsa dikasteri i tij njoftoi se “filluan punimet restauruese në Shtëpinë e Xhafer Devës, shtëpi e ndërtuar në vitin 1930 në qendër të vjetër të qytetit nga arkitektë dhe punëtorë austriakë. Shtëpia e Xhafer Devës ka vlerë të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore, historike dhe arkitektonike për tërë rajonin”.

Lart Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku duke vizituar shtëpinë e Xhafer Devës, e cila po restaurohet
Me njëherë pas bërjes publike të këtij akti reagoi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. “Kjo është kultura e kujtesës në mënyrën e gabuar!”,shkroi ai në Twitter.“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. S’ka zbardhje të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas #MbroFaktet”, nënvizoi Rohde.

Duket se idetë rreth figurës së Xhafer Devës npërballen nga dy këndvështrime kryesore. Një pjesë e opinionit e sheh atë si një bashkëpunëtor të nazistëve, ministër kolaboracionist që i ka duart të lara me gjakun e shqipëtarëve që luftuan kundër pushtuesve. Ndërsa të tjerët e shohin si një nancionalist që punoi për Shqipërine e madhe që u detyrua të bashkëpunojë me nazistët për të siguruar kufijtë e vendit dhe për ta mbrojtur atë nga rreziku sllavo komunist.
Nё vitin 1944, Xhafer Deva ishte emёrua Ministёr i Punёve tё Brendshme nё qeverinё kolaboracioniste të Shqipërisë. Në pranverë të po atij viti, ai si një nga themeluesit e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, ngarkoi Bedri Pejanin, që të krijonte divizionin famëkeq “Skanderbeg”, që përbëhej nga ish oficerë të mbretërisë jugosllave dhe vullnetarë ushtarakë nga Shqipëria. Por ky formacion ushtarak nazist që u miratua nga vetë Hitleri rezultoi një dështim. Jo vetëm se ai nuk rekrutoi aq shqiptarë sa kishte premtuar, por ai u soll barbarisht dhe në mënyre pirate edhe ndaj popullsisë.
Gjithësesi, emri i Xhafer Devës lidhet në mënyrë makabre me masakrën e 4 shkurtit 1944 në Tiranë, ditë kur u vranë barbarisht jo vetëm aktivistë komunistë por plot 84 qytetarë të pafajshëm. Aksioni u planifikua një ditë më parë pasi një atentati që njësitet guerile partizane bënë kundër Devës dhe ku mbeti i vrarë një kushëri i tij. Kjo kasaphanë ishte pasojë e mentalitetit gjakatar të këtij bashkëpuntori të nazistëve i cili në gazetën “Bashkimi i Kombit” në datën 4 shkurt 1944, deklaronte:“Gjaku don gjak! Terrori kërkon terror! Nuk do të përtërihet shteti shqiptar as me gjykata, as me anketa, as me këshilla. Shteti shqiptar mund t’i kalojë këto faza kritike vetëm duke përdorur shpatën… për t’u vendosur në tërësi paqa, duhet të përdoret thellësisht terrori”.
Nisur nga krimet e pamohueshme të këtij kolaboracionisti të nazistëve disa mbrojtës së tij mundohen të justifikohen, duke thënë se ai u ka shërbyer edhe amerikanëve në luftën kundër komunizmit. Por gazetari kosovar Enver Robelli mendon ndryshe: “Disa zëra idiotësh digjitalë nga albanosfera llomotisin në mbrojtje të Xhafer Devës duke thënë se e ka luftuar komunizmin. Në rrjet qarkullojnë “dosje të CIA” me përshkrime gjoja pozitive për Xhafer Devën. Kjo është një tendencë qesharake për të dëshmuar se çdo gjë që thonë amerikanët është moralisht e pastër. Nuk është” (lexo këtu ).
Xhafer Deva mbetet një bashkëpuntor i nazistëve dhe asnjë përpjekje e tërthortë për rehabilitimin e tij nuk i bën ndër asnjë shqiptari.
©Lapsi.al