Nëse një këngëtar serbo-kroat që akuzohet rëndom se ka nxitur me këngët e tij masakrat e serbëve në Kosovë duhet të mbajë koncert në Shqipëri është një pyetje që po trazon opinionin publik, tashmë janë shqiptarët përtej kufirit, ata që kanë humbur të afërmit në luftën e Kosovës, të cilët në një letër të përbashkët lusin Bashkinë e Korçës të anulojë koncertin e Goran Bregoviç tek festa e përvitshme e birrës.
Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës në një letër drejtuar bashkisë renditi arsyet pse duhet të anulohet pjesëmarrja e këtij këngëtari i cili mendohet se nën ritmin e muzikës së tij janë kryer krime lufte në Kosovë.
Përmes kësaj letre ata njëzëri kanë shprehur dhimbjen e tyre karshi kësaj situate e që i lëndon më së shumti kategorinë më të goditur nga lufta e fundit në Kosovës, familjarët e 1632 të zhdukurve. “E kaluara jonë ndonëse nuk është e largët, ajo vazhdon të jetë shumë e rëndë për ne. Dhunimi në kohë terrori është më i lehtë i pranueshëm, sesa kur ndodhë në kohë lirie. Sot, familjet e personave të zhdukur, dhunohen në baza ditore, përkitazi me humbjen e cila iu është shkaktuar. Andaj ju lutemi të mos na lëndoni më shumë këto familje dhe iu kërkojmë të anuloni pjesëmarrjen e Goran Bregoviçit dhe çdo këngëtari e artisti serb, që frymëzoi kryerjen e krimeve mbi popullatën shqiptare” shkruan në letrën e Këshillit.
Sipas tyre, pjesëmarrja e Bregoviçit do t’i lëndoj tejmase dhe do ia rikthej dhimbjen e tyre për këto 22 vite palufte. “E dimë që arti është përtej kufijve por e tillë duhet të jetë edhe dhimbja jonë dhe nëse nuk mund t’i bashkëngjitni kauzës sonë për të ditur të vërtetën për fatin dhe vend ndodhjen e më të dashurve tanë si një e drejtë elementare, të paktën respektoni dhimbjen tonë” shkruhet në letër.
“Nëse koha gdhend gurin, ajo shkatërron njeriun. Vitet kalojnë, plakja si proces, nuk e shuan dhimbjen dhe kujtimin për ata që mungojnë”, është fjalia e fundit e familjarëve të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, drejtuar Bashkisë së Korçës, si lutje për të anuluar koncertin e këngëtarit serbo-kroat, Goran Bregoviç.

Pavarësisht se Bregoviç konsiderohet një artist i paangazhuar politikisht në konfliktet ballkanike, duket se koncerti i tij në vendin tonë është kthyer në një patate të nxehtë.
Lexo më tej: Unë kam qenë në koncertin e Bregoviçit, por këtë radhë nuk do ta bëj
Pikëpyetje ngrihen që nga organizatori që fshihet pas ftesës së tij.
Akuzat e para u hodhën ndaj kompanisë Birrës Korça, e cila u vu para përgjegjësisë, si iniciatorja për ardhjen e këngëtarit serbo-kroat në Shqipëri. Por kompania e mohoi përfshirjen në përzgjedhjen e këngëtarëve në festën e birra Korça.
Administratori Dhimitri Zonja sqaroi se i gjithë aktiviteti organizohet nga Bashkia e Korçës dhe është pikërisht ajo që vendos dhe për të ftuarit. Kreu i Bashkisë Sotiraq Filo dredhoi. Në prononcimin e saj, Larisa Katundi, nga zyra për media e Bashkisë së Korçës nënkuptoi se këngëtari Bregoviç është sygjeruar nga bizneset pjesëmarrëse.
E pyetur nëse Bashkia e Korçës është në dijeni për reagimet që janë bërë në Kosovë pas lajmit se Bregoviç pritet të këndojë në Korçë, Katundi tha se kjo nuk është hera e parë që ai vjen në Shqipëri. Ajo deklaroi se kjo çështje po trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, pasi sipas saj, Festa e Birrës nuk ka lidhje me politikën dhe s’ka lidhje me respektimin e politikave.
“Bashkia është organizatorja e festës së birrës, pjesa e kontraktimit të këngëtarëve është një marrëveshje që kemi me një kompani e cila na sugjeron se cilët këngëtarë mund të marrim. Patjetër, aprovimi kalon nga Bashkia, por këngëtarët propozohen, pra pjesa e organizimit të shoë-it, propozohet nga një kompani e kontraktuar. Ne faktikisht akoma nuk e kemi promovuar dhe nuk kemi nxjerrë materiale promocionale sa i takon kësaj pike. Nuk e kemi aprovuar akoma. Varet prej nesh. Nuk e di të them të drejtën, sepse organizatorët e festës e dinë këtë gjë dhe normalisht duhet pyetur ata që e menaxhojnë festën, unë merrem vetëm me pjesën e promocionit, kështu që nuk e di, akoma nuk na kanë dhënë ndonjë sinjal nëse do të jetë apo jo. I kam lexuar portalet dhe e di që në fakt është kontestuar dhe është diskutuar shumë kjo pjesë. Por nuk është hera e parë që ai vjen, sepse ai ka bërë dhe një koncert në vitin 2006 në Tiranë, kështu që nuk është hera e parë që ai po vjen në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën ka qenë. E di që është kontestuar kjo, e di që është diskutuar, por besoj se trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, në fund të fundit Festa e Birrës është një festë që nuk ka lidhje me politikën, është art dhe nuk është se ka lidhje me respektimin e politikave”, ka deklaruar Katundi.
Megjithatë, mendja e pushtetarëve duket të jetë ndarë. Këtë e tregon edhe reagimi i zv.kryetares së Bashkisë Korçë me deklaratën provokuese që bëri më 6 gusht për Gazetën Ekspres, kur u pyet nëse priteshin incidente në këtë koncert.
“Nuk mendoj që do të ketë ekcese. Shqiptarët po të ishin kaq trima, në llafe dhe Facebook janë shumë, po në situatën e zjarreve që po e përfshinë Shqipërinë dhe që po i vënë vetë këta me dorën e tyre, nuk kanë forcën që të shuajnë zjarrin e shtëpisë nuk i bashkohen aty siç po bashkohen shumë artistë dhe individë zjarrfikësve që po fikin zjarret në tërë Shqipërinë, plus do të ketë prezencë të madhe policore dhe nga sa di sa kam informacione, ky këngëtari, reperi Noizy që ka nxitur një lëvizje është bërë një denoncim sot në policinë në shtetit për të pasur një ndalim të tij se nuk mund të kërcënojë ai ngrihuni dhe t’i biem me shishe të mbushura kujtdo qoftë”, ka thënë Benila Themeli.
Vetë Edi Rama, edhe pse nuk ka reaguar deri më sot në mënyrë direkte për koncertin në fjalë, vetëm tre ditë më parë gjeti rastin të sulmojë hapur liderët politikë të Kosovës.
Habitshëm kryeministri fajëson politikën kosovare si ngërç në dialogun me Serbinë për njohjen e Kosovës.
Lexo më tej: Analiza fjalë për fjalë/ Rama renditet hapur pro Vuçiçit dhe kundër Kosovës
Kujtojmë se Edi Rama si kryetar bashkie i Tiranës i dha në vitin 2006 artistit Goran Bregoviç titullin "Çelësi i Qytetit".

Festa e Birrës, këtë vit do të organizohet tek Terminali i ri i Autobusëve, në hyrje të qytetit të Korçës nga 18 deri më 22 gusht.
Artistët pro dhe kundër pjesëmarrjes së Bregoviç në Festën e Birrës
Të gjithë artistët e ftuar nga Kosova për të performuar në “Festën e Birrës” kanë refuzuar të jenë në këtë festival për shkak të këngëtarit Goran Bregoviç, për të cilin pretendohet se ka frymëzuar ushtarët serb gjatë luftës në Kosovë.
Capital T, Dafina Zeqiri, Dren Abazi e shumë artistë të tjerë janë ndër emrat e këngëtarëve të Kosovës që u tërhoqën nga “Festa e Birrës”, teksa këtë gjë nuk e kanë bërë këngëtarët shqiptarë, të cilët do dalin të këndojnë në të njëjtën skenë ku do këndojë dhe Goran Bregoviç.
Listës së këngëtarëve të cilët do të performojnë i shtohen tre “muskutjerët”, Aleksandër Gjoka, Elton Deda, Redon Makashi deri tek Vikena Kamenica. Pjesë do jenë edhe Kamela Islamaj, Devis Xheraku, Endri dhe Stefi Prifti dhe Orgesa Zaimi.
©LAPSI.AL