"Për mua nuk janë dy ndeshje miqësore, por janë ndeshje të rëndësishme për atë që presim. I kam lënë një javë pushim për të qenë gati, deri të shtunën do jenë gati. Kemi dy kundërshtarë të rëndësishëm. Lojtarët duhet dhe besoj se do të jenë të motivuar". Edy Reja e bën të qartë që në fjalët e para sa të rëndësishme janë për të dy miqësoret e fillimit të qershorit, ndaj pavarësisht ndryshimeve dhe emrave do të kërkojë maksimumin nga ata që do të zbresin në fushë. "Kemi disa probleme për sa i përket pjesës së portierëve. Berisha dhe Strakosha kanë pasur problem fizike. Do flasim edhe me stafin mjekësor kur të gjithë lojtarët të jenë këtu, për t’i parë nga afër" shpjegoi italiani.
Një nga cështjet shqetësuese për teknikun, mbi të gjitha për atmosferën brenda grupit, është ajo që u krijua me Florian Kamberin, që Reja nuk heziton ta bëjë përgjegjës për mosardhjen në kombëtare: "Për sa i përket Kamberit kemi folur me përfaqësuesin e tij, nga i cili nuk i kemi marrë një përgjigje, si duket nuk është entuziast. Do e ndjekim në vazhdimësi atë, nuk mund të themi se është mbyllur këtu" - deklaroi italiani, që i është kthyer edhe asaj që ndodhi kur lojtari la grumbullimin. "Ne e kishim provuar gjatë javës në formacionin e titullarëve atëherë. Ai mendonte se do të luante dhe ishte i bindur për këtë. Pastaj lojtari më tha se kishte probleme fizike. Nuk kishte qasje pozitive. Ne e donim në skuadër, ose nuk është mirë ose ka probleme në kokën e tij. Në ndeshjet fundit e kam ndjekur dhe nuk është si më parë. Ne jemi gati të ulemi dhe të diskutojmë me të për të ardhmen. Edhe ne jemi gati të rishikojmë pozicionin tonë".
Në anën tjetër, italiani ka sqaruar edhe mos grumbullimin e Eduard Rrocës që në Turqi po bën mirë, por edhe mungesën e Gjasulës e Bajramit. "Për Bajramin do flasim në vijim. Dëshira e tij është e madhe për të ardhur këtu. Është nga më të mirët në Serie B. Ka aftësi të mira për të dribluar. I kalon lehtë kundërshtarët. Do ishte ideal për ekipin tonë. Dëshira është e madhe që të zgjidhet gjithçka dhe besoj se do jetë një fund i lumtur". "Sa i përket Rrocës është një lojtar interesant, unë e kam ndjekur në vazhdimësi. Me Gjasulën kam folur dhe ka pasur probleme, ka edhe probleme në klube, ku do ndryshohet stafi. Më kërkoi leje të mos ishte në këto ndeshje dhe ne e kuptuam".
Reja i ka idetë e qarta, pavarësisht ndryshimit të vazhdueshëm në lista dhe në kualifikueset e Botërorit do ti kthehet atyre që i japin besueshmërinë më të madhe: "Për ndeshjet e Botërorit, unë do të bazohem të ata lojtarë që janë në formë dhe më japin besim. Mihaj ka probleme fizike, po ashtu edhe Dermaku me Hysajn. Ky i fundit ka edhe çështjen e kontratës dhe nuk është në një moment të mirë. Themi shpesh që kemi ndeshje miqësore, por për mendimin tim miqësoret nuk ekzistojnë. Kemi përballë dy ekipe të forta" përfundoi tekniku.
https://www.youtube.com/watch?v=lT4K1UV5W0o