Një ditë pasi gazeta gjermane "BILD" botoi një njoftim se kancelarja Anxhela Merkel kishte inkurajuar kryeministrin tonë Edi Rama, të ndërmjetësonte në mosmarrëveshjet mes Greqisë dhe Turqisë për ndarjen e detit, ambasadori gjerman në Athinë, Ernst Reichel deklaroi se shteti i tij ka punuar intensivisht për këtë marrëveshje: "Qeveria Federale Gjermane mirëpret rinisjen e njoftuar të bisedimeve eksploruese mbi kufijtë detarë midis Greqisë dhe Turqisë, mbi bazën e ligjit ndërkombëtar. Ky është një hap i mirë dhe i rëndësishëm për të gjithë rajonin. Gjermania punoi intensivisht për të ndihmuar që kjo të bëhej e mundur", ka shkruar ai në Twitter.

Lexo më tej:
Kulisat/ Rama, ndërmjetës për pajtimin e Erdoganit me Micotaqis
Të mërkurën, gazeta gjermane Bild shkroi se kancelarja gjermane Angela Merkel inkurajon kryeministrin Edi Rama për rolin e ndërmjetësimit mes Turqisë dhe Greqisë (faksimile). Ky njoftim prej pak rreshtash dhe pa asnjë referim për burime zyrtare u përjetua me entusiazëm nga përkrahësit e kryeministrit në Tiranë. Euforinë e bënte edhe më të madhe fakti se e përditshmja bulevardeske nuk konsiderohej si një media që mund të influencohej nga Tirana zyrtare për shak se ajo pati botuar të plotë shkrimet e Peter Tiedes dhe përgjimet e vjedhjes së votave në Dibër dhe Durrës. Pra ato pak rreshta ishin të mjafta që të shërbenin si provë për aureolën e liderit global që negocion në hallet mes të mëdhenjve, që po ndërtohet në mediat shqiptare.

Kjo zhurmë nisi kur ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, pas vizitave të Ramës tek Erdogani dhe në Athinë, i bëri ftesë Greqisë për mbajtje të bisedimeve në Tiranë. “Unë do të shkoj në Tiranë, me ftesë të Edi Ramës dhe jam gati të takohem me ministrin e jashtëm grek Dendias. Shpresoj që Greqia do të mos e refuzojë këtë dhe bisedimet të fillojnë brenda këtij muaji”, deklaroi shefi i diplomacisë turke.
Gjeopolitikë/ Gjithçka duhet të dini për betejën Greqi – Turqi, në Mesdhe
Konflikti në mesdhe/ Çelsat për të kuptuar “ndeshjen” detare mes Greqisë dhe Turqisë
Nga ana e saj Greqia tha se mirëpret bisedimet, por ajo nuk e pranoi asnjëherë publikisht rolin e kryeministrit tonë si negociator dhe as Tiranën si vend ku mund të zhvillohen negociata. Ministria e jashtme greke tha se ato do të zhvillohen në Stamboill më 25 janar 2021.
Pikërisht për këtë arsye, roli i Edi Ramës në zgjidhjen e përplasjeve mes dy vendeve për përcaktimin e kufijve detarë që prekin ishujt në Detin Egje, ka mbetur i paqartë. Kryeministri nuk ka thënë asnjë fjalë dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë në këtë drejtim. Ai ka premtuar se do të flasë këtë të enjte në darkë në Open për këtë temë, ndonëse nuk dihet se çfarë do të pohojë. Mediat pranë tij, e kanë ngritur në qiell rolin e Ramës dhe kësaj i shërbeu edhe lajmi me pak rreshta i publikuar në Bild. Por ndërsa e përditshmja gjermane thoshte se Kancelarja ka inkurajuar Ramën, sot ambasadori i Berlinit në Athinë i vishte një rol të rëndësishëm vendit që ai përfaqëson.
©Lapsi.al