27 lojtarë për tre ndeshje janë zgjedhja e teknikut Edoardo Reja, që deri diku ka patur detyrim në seleksion, për shkak të situatës me Covid 19. Tekniku italian ka bërë publike listën ditën e sotme, ku me Strakoshën të infektuar me Covid, titullar do të jetë sërisht Berisha. Bie në sy megjithatë rikthimi i Gjasulës, Balajt apo edhe Uzunit, që bëri debutimin në Champions kundër Juventus, pasi kaloi koronavirus.
Për ndeshjet me Kosovën, miqësoren e datës 11 në Elbasan dhe dy sfidat kualifikuese ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë më 15 dhe 18 të këtij muaji, janë rikthyer në dispozicion Elseid Hysaj dhe Ardian Ismajli, pas mungesës në ndeshjet e muajit tetor. Edhe Memushaj, tepër i rëndësishëm për sistemin e lojës së Rejas, është i gatshëm të japë një ndihmë për Kombëtaren, për ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve.
Për repartin e sulmit, Reja ka grumbulluar, Bekim Balajn, Sokol Cikalleshin, Xhakomo Vrionin, Armando Brojën, Taulant Seferin, Rei Manajn dhe Myrto Uzunin, me këtë të fundit që ishte në dyshim, për shkak se për një periudhë të gjatë ka qenë i izoluar, për shkak se rezultoi pozitiv me Koronavirus.
