PROJEKTLIGJ Nr. ____/2020
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 019, DATË 29.12.2008, “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,
KUVENDI I REPUBLIKËS SE SHQIPËRISË VENDOSI
VENDOSI
Në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime: Neni 1 Në nenin 67, pikat 4 dhe 5 ndryshohen si më poshtë: 4. Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit alfabetik, duke filluar nga gërma “a”. Numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Për partitë pjesëtare të koalicionit, që garojnë me lista shumemërore të veçanta, numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre. 5. Subjekti zgjedhor nuk mund të ndryshojë renditjen e kandidatëve të listës pas regjistrimit të saj. Kandidatët rirenditen vetëm në zbatim të procedurave të këtij ligji për përllogaritjen e mandateve fituese në bazë të votimit parapëlqyes dhe të plotësimit të kushtit ligjor për kuotën gjinore.” Neni 2 Në nenin 98, pas pikës 4 shtohet pika 4/1 me këtë përmbajtje: 4/1. “Fleta e votimit duhet të përmbajë hapësirën e posaçme për ushtrimin e votimit parapëlqyes për kandidatët e subjekteve zgjedhore, numrat përkatës identifikues të së cilëve, sipas listave që kanë depozituar subjektet zgjedhore, duhet të figurojnë qartë në fletën e votimit . Mënyra e votimit parapëlqyes përcaktohet nga KQZ-ja në varësi nga numri i subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje, duke respektuar kushtin që informacioni i përcjellë nga fleta e votimit të mos jetë tejet i ngarkuar, konfigurimi i fletës të jetë i qartë e i kuptueshëm për zgjedhësin dhe zgjedhësi t’a ketë të lehtë orientimin për votimin e subjektit zgjedhor dhe të kandidatit të parapëlqyer.” Neni 3 Pika 1 e nenit 106 ndryshohet si më poshtë: “Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në krah të emrit të subjektit zgjedhor apo partisë pjesëtare të një koalicioni, dhe kandidatit të parapëlqyer të subjektit zgjedhor shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij.” Neni 4 Në nenin 117 bëhen ndryshimet si më poshtë: 1. Pika 2 ndryshohet si më poshtë: “Vota të vlefshme janë vetëm fletët e votimit, në të cilat është votuar qartësisht vetëm për njërin nga subjektet zgjedhore apo partinë politike pjesëtare të koalicionit dhe vetëm për njërin nga kandidatët e tij. Kur zgjedhësi ka votuar vetëm për një parti politike por jo për një kandidat të saj, apo kur ka votuar për më shumë se një kandidat të të njëjtës parti, vota i llogaritet vetëm partisë politike.” 2. gërma “e” ndryshohet si më poshtë: “e) është votuar për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një subjekti tjetër zgjedhor” 3. Pas gërmës “ë” shtohet gërma “f” me këtë përmbajtje: “f) nuk është e qartë se për kë është votuar ” Neni 5 Në nenin 118 bëhen ndryshimet si më poshtë: Pas pikës 6 shtohet pika 6/1 me këtë përmbajtje: “6/1 Pas përfundimit të procedurave sipas pikës 6 të këtij neni bëhet numërimi, sipas parashikimeve në pikat 1 dh 2 të nenit 95, i votave parapëlqyese për çdo kandidat të subjektit zgjedhor.” Neni 6 Pikat 5 e vijuese të nenit 163 ndryshohen si më poshtë: 5. Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, sipas këtij neni, KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike, në bazë të renditjes së kandidatëve në listë. Mandatet nominale përcaktohen pasi kandidatët të jenë renditur në bazë të votave parapëlqyese që ka marrë secili prej tyre. Renditet i pari kandidati që ka marrë numrin më të madh të votave parapëlqyese dhe pas tij në rend zbritës kandidatët e tjerë deri te kandidati i fundit i cili ka marrë numrin më të vogël të votave parapëlqyese. Kur nga ndarja e mandateve nominale të subjektit zgjedhor, brenda zonës zgjedhore, nuk respektohet parimi i barazisë gjinore i cili garanton përfaqësimin në masën e të paktën 30 % të gjinisë së nënpërfaqësuar KQZ ndan mandatet duke garantuar parimin e barazisë gjinore. Në këtë rast mandati i fundit takues për kandidatin e gjinisë më të përfaqësuar ndahet për kandidatin me numrin më të lartë të votave parapëlqyese të gjinisë së nënpërfaqësuar. Kjo procedurë përsëritet derisa mandatet që ndahen të respektojnë detyrimin e përfaqësimit në masën 30 % të gjinisë së nënpërfaqësuar për secilën zonë zgjedhore. 6. Në rastet kur numri i votave parapëlqyese të cilat përcaktojnë mandatin e fundit që ndahet është i barabartë, pa cënuar kuotën gjinore, mandati ndahet me short. 7. Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.” Neni 7 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.