Flamurtari për herë të parë në këtë kampionat ka lënë vendin e fundit të renditjes, duke shkatërruar 6-1 Luftëtarin, jo pa inatin e asaj që ndodhi në fillim të takimit, të nisur 15 minuta me vonesë për shkak të refuzimit të gjirokatritëve për tu futur në fushë pa u hequr më parë parrullat në mbështetje të Hashim Thaçit, por njëkohësisht edhe mbishkrimi “Drencia zemra e shqiptarisë”.
Bluezinjtë i kanë konsideruar politike parrullat, duke tërbuar administratorin e kuqezinjve Sinan Idrizi, që në një prononcim për “Supersport”, ka reaguar ashpër ndaj Luftëtarit: “Po kjo është idiotësi, se nuk krenohen me një shqiptar dhe Drenicën e Azem dhe Shote Galicës. Nuk krenohen me Hasan Prishtinën, qënka turp për këta. Thaçi është hero kombëtar. Po mesa duket janë thyer ndjenja e serbëve, do plasi lufta e tretë botërore po nuk e hoqëm banderolën. Thaçi ka ardhur në Vlorë dhe na ka mbështetur, pastaj vendosëm me mirëkuptimin e delegatëve që t’i heqim banderolat”, ka thënë Idrizi.
E në fushë, Flamurtari nuk ndaloi së ndëshkuari Luftëtarin, duke i shënuar një goleadë 6-1 me golat e Ribaj 8′, 88′, Henrike 44′ , Hoxhaj 56′ ,71′ , 76′. Golin e vetëm për bluezinjtë e shënoi Oshafi në të 59′. Dy skuadrat janë tashmë me pikë të barabarta, por vlonjatët kanë golavarazhin më të mirë dhe kanë fituar dy sfida e barazuar një përballë gjirokastritëve.