Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 267 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID19, nga të cilat 7 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë dhe 2 raste në Shkodër. Në total janë testuar 7758 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID, 750 raste. Mosha mesatare e rasteve të konfirmuara është 46.8 vjeç.
Mëngjesin e sotëm ndërroi jetë një 52-vjeçar nga Kruja me iniciale S. B. i cili qëndroi për 8 ditë në reanimacion i intubuar në spitalin infektiv. Me rastin e fundit shkon në 30 numri i qytetarëve që e kanë humbur betejën me këtë sëmundje. Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 431. Aktualisht në vendin tonë, 289 persona janë aktivë me COVID19, pra numri i të shëruarve është më i lartë se i të prekurve.
Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar, 3 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 32 pacientë.